Jump to Navigation

Pilulat HRT e dyfishojnë rrezikun për ngjizje të gjakut

Shkencëtarët kanë zbuluar se fashat HRT nuk e rrisin rrezikun për koagulim të gjakut, ndërsa pilulat HRT e dyfishojnë atë. Sipas një studimi, femrat të cilat marrin pilula HRT (terapi zëvendësuese hormonale) mund ta dyfishojnë rrezikun për të zhvilluar trombë në gjak. Përkundër kësaj, nëse kjo terapi zbatohet nëpërmjet fashave në lëkurë, nuk e shkakton këtë rrezik. Edhe më parë ka qenë e njohur se terapia hormonale e rrit rrezikun për të zhvilluar trombozë venoze, një formë e mpiksjeve të gjakut të cilat mund të udhëtojnë deri në mushkëri ku mund të japin komplikime vdekjeprurëse. Femrat të cilat përdorin terapinë hormonale me anë të fashave janë më të sigurta nga zhvillimi i mundshëm i komplikimeve të cilat mund të jenë si pasojë e formimit të trombëve. Ekspertët shpjegojnë se terapia me anë të fashave i dërgon barnat drejtpërdrejtë në qarkullim duke shmangur mëlçinë. Ndërsa hormonet të cilat merren nga goja duhet të kalojnë nëpër mëlçi, ku efektet anësore të tyre mund të rezultojnë me ndryshime në faktorët e koagulimit duke bërë që gjaku të mpikset shumë më lehtë.


Main menu 2