Jump to Navigation

Diafragma dhe Kremi ose Xheli Spermicid

Përpara shpikjes së diafragmës në shekullin e 19-të, gratë vareshin nga burrat (përdorimi i prezervativëve dhe tërheqja) për parandalimin e shtatzënisë, dhe nga aborti dhe vdekjet e fëmijëve kur shtatzënia nuk parandalohej dot. Diafragma ishte një zbulim madhor sepse u dha grave përgjegjësi për kontrollin e lindjes dhe na çliroi nga shtatzënitë e padëshiruara. Kur diafragma përdoret në mënyrën e duhur na ruan nga shtatzënia dhe nga disa STS dhe është më e sigurtë sesa kokrra kontraceptive ose dispozitivi intrauterin. Megjithatë, përdorimi i diafragmës ka disa probleme. Një recetë e shkruar nga një mjek është e nevojshme për blerjen e diafragmës.

Përshkrimi
Diafragma, e cila gjithmonë duhet të përdoret me krem ose xhel spermicid, është prej gome të butë në formën e një kupe të cekët (shih ilustrimin) dhe rrethohet nga një suste elastike metali ( e përdredhur ose e sheshtë). Kur futet në mënyrën e duhur, diafragma zë vend rehatisht prapa kockës pubike duke arritur deri tek cerviksi. Diafragma mund të jetë e përmasave të ndryshme, që nga 50 deri në 95 milimetra, ose 2-4 inche, në vartësi të përmasave të pjesës së sipërme të vaginës suaj. Diafragma që përmban xhelin ose kremin spermicid është vendosur siç duhet në cerviks, sperma nuk mund të hyjë në kanalin cervikal. Sperma mund të lëvizë rreth sustës së diafragmës ku shkatërrohet nga xheli.
Disa gra vendosin xhel përjashta diafragmës për të shkatërruar spermën e mbetur në vaginë. Diafragma duhet të përdoret gjithmonë me krem ose xhel: Ata janë kontraceptivë të rëndësishëm; diafragma ekziston kryesisht për të siguruar mbajtjen e tyre në vendin e duhur.

Efikasiteti
Diafragma ka një raport dështimi 6 % në qoftë se vendoset siç duhet, nëse përdorimi i saj është shpjeguar mirë dhe nëse përdoret në mënyrë korrekte dhe të qëndrueshme. Raporti i dështimit 6% ka shumë gjasa të shkaktohet nga zgjerimi i pjesës së sipërme të vagjinës gjatë aktit seksual e cila së bashku më lëvizjet e hyrjes së penisit shkakton një lëvizje të diafragmës. Kur gruaja është në pozicionin sipër gjatë aktit seksual ekziston një mundësi më e madhe që diafragma të lëvizë. Raporti tipik i dështimit në këto raste është 20%. Përdorimi i diafragmës mund të kombinohet me mbikëqyrjen e fertilitetit. Përdorimi i diafragmës nga ju së bashku me prezervativin nga ana e burrit mund të çojë në 100% efikasitet. Diafragma nuk pengon aspak fertilitetin. Në qoftë se doni të mbeteni shatzënë thjesht ndërprisni përdorimin e saj.

Siguria dhe Probleme të Mundshme
Diafragma është pothuajse totalisht e padëmshme për shëndetin. Nuk mund të rrëshqasë brenda dhe të humbë (siç frikësohen shumë prej nesh) sepse vagina mbaron rreth një inç pas cerviksit. Një lloj i caktuar kremi ose xheli mund të irritojë vaginën tuaj ose penisin e partnerit. Nëse diçka e tillë ndodh provoni një lloj tjetër kremi. Diafragma mund të ushtrojë presion përpara dhe të shkaktojë dhimbje në mitër, fshikën e urinës, ose uretër.
Për disa gra kjo mund të shkaktojë uretrit ose cistit të herëpashershëm. Diafragma mund të bëjë presion mbrapa në rektum gjë që gjithashtu është e parehatshme. Nëse ju ndodh diçka e tillë ka mundësi që diafragma të mos jetë në masën tuaj. Provoni tipe të ndryshme për të parë nëse ndonjë prej tyre është më i rehatshëm. Paaftësia për të ndjerë lëvizjet e diafragmës gjatë aktit seksual (për shëmbull, si pasojë e paralizës) mund të rrisë mundësinë e dështimit të kësaj metode për disa gra. Disa grave u ndodhin infeksione mykotike të shpeshta kur përdorin diafragmën gjë që mund të evitohet me larjen dhe tharjen mirë të diafragmës midis përdorimeve.

Kush Nuk Duhet ta Përdorë Diafragmën
Nëse keni një mitër me anomali të vendosjes (për shembull, prolaps të rëndë) nuk duhet të përdorni diafragmën. Nëqoftëse keni deformim të shtyllës kurrizore (skoliozë) ose një shtyllë të paformuar mirë (spina bifida) përdorimi i diafragmës mund të mos jetë i mundur. Duke qenë se diafra gma kërkon një dorë të djathtë aktive, gratë me disa paaftësi fizike mund të mos munden t'i përdorin me efikasitet pa ndihmën e partnerit. Gratë me infeksione urinare kronike ose që kanë vuajtur nga sindroma e shokut toksik nuk duhet të përdorin diafragmën. Nëse nuk ndjeheni mirë kur prekni gjenitalet dhe nëse mendoni se nuk do të mësoheni dot me të, do ta keni të vështirë përdorimin efektiv të diafragmës.
Mund të keni frikë dhe të ndjeheni të turpshme herën e parë që fusni gishtat brenda vaginës por pas disa herësh, duke kuptuar që trupi është për t'u prekur, do t'i kapërceni vështirësitë e para për futjen e diafragmës. Organizimi ose marrja pjesë në një grup vetëndihmues mund tju ndihmojë me diskutimin e ndjenjave negative që keni për prekjen e trupit tuaj.

Si Përdoret Diafragma
Si çdo mjet tjetër, diafragma është e lehtë të përdoret pas provës së parë. Futja dhenxjerrja mund të jenë të parehatshme në fillim, por më kalimin e kohës kjo do të bëhet më lehtë dhe më shpejt. Diafragma duhet të futet brenda 6 orëve përpara aktit seksual ose kontaktit të vaginës me penisin sepse kremi ose xheli mund të fillojnë të humbasin aftësitë spemicide pas 6 orësh. Sipas vlerësimeve të bëra nga ato më fanatiket, më mirë është që diafragma të futet menjëherë përpara aktit seksual po nëse zakonisht harroheni në intensitetin seksual është më mirë ta fusni më përpara.

Përgatitja dhe Futja
Hidhni një luge çaji krem ose xhel (3/4 inç të tubetit) në kupën e cekët. Shpërndajeni kremin rreth e rrotull. (Disa libra sugjerojnë vënien e kremit rreth buzës së diafragmës ndërsa të tjerë sugjerojnë që kjo mund ta bëjë diafragmën të rrëshqasë). Një kompromis efikas mund të jetë vënia e kremit nga ana e brendshme e buzës por jo nga ana e sipërme). Mbylleni kupën duke shtrënguar buzën mid is gishtit të madh dhe gishtit të tretë. Nëse keni vështirësi mund të blini një mjet futës plastik (përdoret vetëm për diafragmën me sustë të sheshtë). Mund të qëndroni në pozicion gjysëm ulur, të ulur mbi tualetin, të qëndroni drejt me një këmbë të ngritur, ose të shtriheni me këmbët e përthyera. Me dorën e lirë hapni buzët e vaginës dhe shtyni diafragmën drejt segmentit të tretë të sipërm të vaginës, me kremin ose xhelin drejtuar nga sipër. Nëqoftëse nuk keni përdorur tamponë ose nuk e keni prekur vaginën më përpara keni parasysh se ajo merr orientim për nga mbrapa. Tani shtyni pjesën e poshtme të buzës derisa ta ndieni diafragmën në vendin e duhur. Pastaj juve do t'iu duhet të fusni gishtat dhe të arrini të ndjeni cerviksin nëpërmjet majës së butë të gomës. Partnerët e atyre grave me disa paaftësi fizike mund të mësojnë të fusin diafragmën dhe të kontrollojnë vendosjen e saktë të saj. (Për një mbrojtje më të mirë shumë gra shpërndajnë pak krem ose xhel brenda pasi diafragma është vendosur, por kjo nuk është e nevojshme). Kur diafragma është futur siç duhet dhe është në vendin e saj nuk duhet ta ndjeni fare. Edhe partneri juaj nuk ka për ta ndjerë megjithatë disa meshkuj ndjejnë që maja e penisit takon një material të butë plastik në vend të indeve vaginale. (Kjo nuk dhemb). Asnjëherë mos përdorni medikamente vaginale me bazë vajore (si p.sh., hormone vaginale ose medikamente mykotikë) ose lubrifikues me bazë vajore (si vazelina) bashkë me diafragmën, sepse ato shkatërrojnë gomën. Lëreni diafragmën brenda për të paktën 6 orë pas aktit seksual sepse kjo kohë i duhet spermicidit për shkatërrimin e spermës. Mund ta lini brenda dhe për 24 orë por jo më shumë. Shpërlarja e brendshme nuk është e nevojshme, por nëse e dëshironi atëhere duhet të prisni 6 orë.

Akti seksual në vazhdimësi
Nëse kryeni akt tjetër seksual pas të parit duhet të fusni krem ose xhel me aplikator. Futeni në vaginë pa lëvizur diafragmën.

Heqja
Hiqeni diafragmën pasi të keni gjetur një pozicion të rehatshëm, ose në të njëjtin pozicion që e futët. Nëqoftëse keni vështirësi ta kapni provoni një pozicion tjetër ose uluni në gjunjë sikur jeni gati për jashtëqitje. Fusni një gisht brenda vaginës dhe kapni buzën e poshtme të diafragmës ose midis diafragmës dhe murit vaginal ose mbi kapuçin e lastikut. Tërhiqeni diafragmën përpara dhe poshtë. Nëse keni thonj të gjatë duhet të keni kujdes se mos e çani diafragmën. Lajeni atë me ujë dhe sapun dhe thajeni me kujdes, hidhini pak niseshte nëse dëshironi (asnjëherë pudër talk) dhe vendoseni në një kuti (larg dritës). Mos e zjeni. Kontrolloni për vrima herë pas here duke e parë kundrejt dritës ose duke e mbushur me ujë dhe duke parë për rrjedhje, veçanërisht rreth buzës. Në qoftë se shtypni kapuçin plastik me dorë do ta keni më të lehtë të dalloni të çarat rreth e rrotull buzës.



Main menu 2