Jump to Navigation

Kontrolli i lindjeve

Mundësia për të kontrolluar lindjet është baza e të qenit e pavarur në jetë, e mundësisë për të kontrolluar shëndetin tonë dhe për të shijuar seksin me një mashkull. Sot të gjithë dëshirojmë kontraceptivë që janë efikasë dhe të besueshëm; që nuk kanë pasoja të dëmshme; që janë të lehtë për tu përdorur; që na mbrojnë nga sëmundjet e transmetueshme seksualisht, duke përfshirë HIV/AIDS-in, dhe që mund të përdoren përpara momentit të aktit seksual. Ndërsa i afrohemi fundit të këtij shekulli të mrekullive teknologjike, është ironike që për shumicën grave, zgjedhjet e mundshme për kontrollin e lindjeve akoma lenë shumë për të dëshiruar. Shumë prej nesh janë të pakënaqura me zgjedhjet që na paraqiten dhe që akoma mbetemi shtatzënë kur nuk e kemi planifikuar.


Disa zhvillime të reja shkencore mbartin shpresë për fushën e kontraceptivëve. Megjithatë, vetëm përmirësimi i kontraceptivëve nuk mjafton. Ndryshimi i opinionit të shoqërisë për kontrollin e lindjeve, sfidimi pabarazisë midis meshkujve dhe femrave dhe vënia në dispozicion e informacionit të saktë dhe mundësive të vërteta për zgjedhjen e metodave, kujtdo që kërkon të kontrollojë lindjen, janë kritike dhe të pazëvendësueshme.


Liria e vërtetë për riprodhim mbështet tek e drejta personale, sociale dhe politike për të vendosur nëse, kur, si, dhe më kë të kesh fëmijë.
DISA PENGESA PËR PËRVETËSIMIN E METODAVE TË KONTROLLIT MBI LINDJEN DHE PËRDORIMIN E DUHUR TË TYRE
Kontrolli mbi lindjen dhe informacioni mbi seksin. Opinionet negative ndaj kënaqësisë dhe dëshirës, dhe turpi për seksin, pengojnë shumë prej nesh për të kërkuar informacion.
Në një nivel më të përgjithshëm, të njëjtat qëndrime janë pengesë që informacioni mbi seksin të shperndahet lirisht në shkolla dhe organizmat e shoqërisë. Ligje, praktika mjekësore dhe rregullat e shkollave publike akoma na pengojnë që të marrim informacionin dhe shërbimet që na duhen, sidomos kur jemi të rinj - pavarësisht se shumë studime të kohëve të fundit tregojnë qartë se dhënia e informacionit mbi kontrollin e lindjes nuk është se e bën më të mundshëm seksin nga adoleshentët.


Kontrolli mbi lindjen Kush na i ruan interesat?
Kur kërkojmë këshillë të besueshme për kontrollin e lindjes në mënyrë që të bëjmë një zgjedhje të kujdesshme gjejmë informacion kontradiktor dhe siguri fallco. Disave prej nesh u ndalohet aksesi ndaj kontrollit të lindjes; disa të tjera janë të detyruara të zgjedhin një, pa patur gjithë informacionin e dobishëm. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, agjensi të ndryshme internacionale publikojnë udhëzues me rekomandime jouniforme, dhe nga një vend në tjetrin informacionet që u jepen mjekëve në lidhje më efikasitetin dhe sigurinë e një metode, janë kontradiktore. Për pasojë "në shumë vende të botës, gratë që dëshirojnë të përdorin kontraceptivë mund të detyrohen t'ju nënshtrohen analizave të panevojshme, të vizitohen më shumë së ç'duhet, ose ju thuhet që përdorimi i një metode nuk ka siguri kur në të vërtete ajo është e sigurt. Një pjesë e mirë e informacionit në dispozicion mbi kontraceptivët buron nga kompanitë farmaceutike dhe si pasojë influencohet prej tyre. Personeli shëndetësor mund të influencohet nga kompanitë farmaceutike dhe shitësit dhe shpeshherë mjekët rekomandojnë metodat e tyre të preferuara të cila t mund të mos jenë zgjedhjet më të mira për ne. Gjithashtu, fakti që shumë mjekë rekomandojnë çfarëdo metode që kanë të pranishme në kohën e vizitës është shumë alarmues. Faktorë të tjerë, si shërbim shëndetësor i një niveli të ulët dhe domosdoshmëria e lejes nga bashkëshorti në disa vende të botës, mund të bëhen pengesë në zgjedhjet tona për kontrollin e lindjes. Si pasojë shumë prej nesh ose përfundojnë të marrin metoda të papërshtatshme dhe mbi të gjitha të rrezikshme. Disa të tjera, duke mos dashur të përfshihen në këtë kalvar, nuk përdorin asgjë. Një metodë që mbetet në sirtar ose që nuk përdoret siç duhet, nuk do të jetë efikase sado e sofisitikuar të jetë nga ana teknologjike.



Main menu 2