Jump to Navigation

Fazat e ciklit të jetës riprodhuese

Gjatë fëmijërisë trupat tanë janë të paformuar. Gjatëpubertetit ne kalojmë nga fëmijëria në pjekurinë fizike. Tek gratë puberteti karakterizohet nga rritja e gjinjve dhe mbirja e qimeve pubike dhe të nënsqetullës (axilare) si dhe nga një nxitje e rritjes që rezulton me rritje në gjatësi dhe peshë të ndjekur nga mbarimi i rritjes së kockës. Ovulimi (pjekja e vezës) dhe menstruacioni (gjakrrjedhja, menarka) fillojnë afër fundit të pubertetit, në përgjithësi kur ne jemi rreth 12 e ½ vjeç, megjithëse shfaqja në çdo moshë nga 9-18 vjeç është normale. Që të menstruojë një vajzë ka nevojë që dhjami i trupit të saj të zë rreth ¼ e peshës totale të saj. Disa ekspertë besojnë që kjo ndodh pasi hormoni leptin, i prodhuar nga qelizat dhjamore, duhet të arrijë një nivel të caktuar në gjak për të ndihmuar fillimin e ciklit menstrual si dhe për të ndihmuar mbajtjen e tij pas pubertetit. Për të mbështetur një cikël të rregullt menstrual ne gjithashtu kemi nevojë të hamë ushqime të balancuara në yndyrë. Menstruacionet dhe ovulimi vazhdojnë mesatarisht deri në moshën 50 vjeç, por çdo moshë midis 40 dhe 55 është normale. Kur menstruacionet ndërpriten ka ndodhur menopauza. Ndryshimet e trupit që ndodhin midis fazës riprodhuese dhe pas-riprodhuese të quajtura climacteric shpesh kapin një periudhë që vazhdon deri në 15 vjet.

Cikli Ovarian: Ovulimi
Të dyja vezoret në lindje përmbajnë rreth 1,000,000 folikuj, të cilët janë sfera të vrimuara qelizash, secila me një vezë të paformuar në qendër. Vezoret arrijnë të thithin (shkatërrojnë) rreth gjysmën e tyre gjatë fëmijërise. Rreth 300-500 të 400,000 folikujve të pranishëm me shfaqjen e menstruacioneve, do të zhvillohen në vezë të formuara gjatë segmentit të jetës riprodhuese. Çdo muaj gjatë viteve tona riprodhuese 10-20 folikuj fillojnë që të maturohen (piqen) nën ndikimin hormonal. (Shihni Shtojcën për më shumë detaje.) Zakonisht vetëm një folikul zhvillohet plotësisht. Trupat tanë i absorbojnë të tjerët përpara se ata të arrijnë zhvillimin e plotë. Disa prej qelizave të folikulit sekretojnë hormonin estrogjen. Folikuli me vezën që po maturohet brenda saj lëviz drejt sipërfaqes së vezores. Gjatë ovulimit folikuli dhe sipërfaqja e ovarit çahen duke e lejuar vezën të dalë dhe të notojë përjashta. Rreth kësaj periudhe disa gra ndiejnë një spazëm apo pickim në pjesën e fundit të barkut apo kurrizit, nganjëherë të shoqëruar me një sasi të vogël ekstra sekrecioni vaginal, ndoshta të gjakosur. Këto simptoma mund të jenë kaq të shprehura sa të ngatërrohen me apendisitin apo me shtatzaninë jashtë mitre. Kjo është Middleshmerz (dhimbja e mesit). Një numër i pakët grash kanë dhimbje koke, dhimbje stomaku ose përgjumje. Gra të tjera ndihen më mirë në kohën e ovulimit. Mukusi i cerviksit gjithashtu ndryshon në këtë kohë.

Cikli Uterin dhe Menstruimi Ndryshimet cervikale
Lloji i mukusit që prodhohet nga cerviksi juaj ndryshon gjatë ciklit, në përgjigje të hormoneve. Megjithatë, egzistojnë disa rregulla të përgjithshme dhe ju mund ta ndiqni ciklin tuaj personal për të zbuluar si është ai, duke prekur hyrjen në vaginë me gishtin tuaj, duke vënë re sekrecionet, duke qënë të ndërgjegjshëm për thatësinë apo lagështinë e vaginës dhe duke rregjistruar këto karakteristika çdo ditë për disa cikle rresht. Ju mund të provoni gjithashtu shijen e sekrecioneve tuaja. Ato mund të jenë të tharta, të kripura ose të ëmbëla, të ndryshueshme gjatë ciklit në një mënyrë që është tipike për ju. Në qoftë se do ta shikonit nën mikroskop, mukusi duket si një labirint fibrash që ndërthuren me njëra-tjetrën. Është jashtëzakonisht e vështirë për spermën apo shumë organizma të tjerë si bakteret (mikrobet) të kalojnë nëpërmjet tij. Megjithatë gjatë ovulimit, nën ndikimin e estrogjenit, mukusi ndryshon dhe merr formën e fijeve tw thurura të gjata, pak a shumë të rreshtuara, të cilat mund të udhëheqin spermën në uterus. Kështu pra mukusi është si të thuash një lloj mbrojtësi i uterusit. Gjatë ovulimit ai është aq depërtues sa mund të mbështjellë vaginën dhe të mbroje spermën nga sekrecionet acide të prodhuara atje. Pas ovulimit, ndërsa mbizotëron progesteroni kundrejt estrogjenit, mukusi cervikal trashet dhe vagina juaj gradualisht bëhet më e thatë. Gratë në menopauzë mund të zbulojnë që vëzhgimi i ndryshimeve të mukusit të tyre cervikal është një mënyrë e thjeshtë për ndjekjen e niveleve të estrogjenit të tyre. Në qoftë se ju shikoni në cerviksin tuaj me një spekulum, ju mund të vini re që rreth kohës së ovulimit cerviksi është i tërhequr sipër, lart në vaginë. Gjithashtu, ai mund të zmadhohet dhe të zbutet, si dhe mund të hapet pak.

Ndryshimet endometriale dhe menstruimi
Estrogjeni i prodhuar nga folikuli i pjekur, shkakton rritjen dhe trashjen e gjendrave në shtresën e brendshme uterine (endometrium), si dhe rrit ushqimin me gjak të tyre (faza proliferative). Kjo pjesë e ciklit mund të ndryshojë lirisht kohzgjatjen e saj, nga gjashtë deri ne 20 ditë. Çdo cikël menstrual që është pak a shumë i rregullt është normal.
Kohzgjatja e ciklit zakonisht lëviz nga 20 deri në 36 ditë, me një mesatare rreth 28 ditë. (fjala menstruacion vjen nga latinishtja mensis që do të thotë muaj). Disa gra kanë cikle të gjata dhe të shkurtëra që alternohen. Në përgjithësi ndodhin ndryshime të vogla spontane, por mund të ketë ndryshime shumë të mëdha kur një grua ndodhet nën një stres të madh. Me kalimin e moshës ose pasi keni lindur një fëmijë ju mund të vini re ndryshime të qarta. Menstruacionet normale zgjatin dy deri në tetë ditë, duke pasur si mesatare 4-6 ditë.

Lëngu menstrual
Lëngu menstrual përmban mukus cervikal, sekrecione vaginale, mukus, qeliza dhe pjesëza endometriale si dhe gjak (nganjëherë i koaguluar), por përbërja mikse nuk është e qartë meqënëse gjaku njollos gjithshka në të kuqe apo bojëkafe. Kjo humbje e rregullt e gjakut edhe pse e vogël mund të shkaktoje anemi. Lëngu zakonisht nuk vjen erë deri sa bie në kontakt me bakteret në ajër dhe fillon të dekompozohet. Produktet që përdoren gjatë rrjedhjes menstruale Tamponet komerciale ngrenë disa probleme domethënëse shëndetësore. Sindroma e shokut toksik (SST) (shikoni kapitullin 24, Probleme të Caktuara Mjekesore, Praktika dhe Proçedura), është një infeksion i rrallë gjaku, por kërcënues për jetën, i cili është i lidhur me përdorimin e tamponeve, në mënyrë të veçantë të atyre me absorbim të lartë, që janë të përbërë nga rajon dhe materiale sintetike (tamponet e përbërë vetëm nga pambuk nuk janë lidhur me SST (SST është shoqëruar me diafragma, Keeper dhe dispozitivë intrauterin, megjithëse në raste të rralla). Për të shmangur SST mos përdorni tampona ndërmjet periudhave tuaja menstruale, ose mos përdorni ato tampone që janë me absorbues që ju keni nevoje gjatë menstruacioneve tuaja, dhe evitoni përdorimin e tamponeve gjatë natës.Përveç rrezikut të SST disa gra mund të pësojnë irritim vaginal, kruajtje, lëndim, erë të pazakonshme ose në disa raste të rralla hemoragji me gjak shumë të kuq, ndërsa janë duke përdorur tamp ona. Në qoftë se ju vini re ndonjërin prej këtyre problemeve, ndaloni së përdoruri tampona, përdorni tampone me absorbim më të ulët ose ndryshoni llojin e tamponit për të parë nëse kjo mund t'ju ndihmojë. Përpara se të hidhen në treg nuk bëhet ndonjë prove sigurie për tamponat dhe pjesa më e madhe e punës kerkimore të bërë nga prodhuesit mbahet sekret. Mbetjet dioksinë në produktet menstruale. Shumë nga pecetat komerciale dhe tamponet janë të trajtuara me klor, për t'u bërë edhe më të bardha dhe ne rastin e rajon- it dhe me absorbentë. Klorina lëshon mbetje dioksinë në tampona dhe peceta si dhe në ambient nëpërmjet ujit që shkarkohet dhe mbeturinave që depozitohen në tokë. Dioksina është një lëndë kimike e dëmshme që është implikuar në kancer dhe probleme të tjera shëndetësore.

Mënyra sjelljeje ndaj menstruacioneve
Kultura të caktuara i kanë izoluar krejtësisht gratë, ose i kanë lënë vetëm në shoqërinë e grave të tjera gjatë menstruacioneve të tyre, sepse njerëzit mendonin që gjaku menstrual ishte i papastër, ose që gratë gjatë menstruacioneve kishin fuqi të mbinatyrshme. Tabutë e kulturës mbizotëruese sot përfshijnë kufizimin e aktivitetit fizik, dusheve dhe marrëdhënieve seksuale, ose fshehjen totale të faktit menstrual.

Ndenjat rreth menstruacioneve
Shumë prej nesh kanë qenë të frikësuara, ose dhe të turpëruara kur menstruacionet kanë filluar për herë të parë. Ne u rritëm me pak ose aspak informacion se nga vjen gjaku apo indi, pse vjen dhe pse nganjëherë dhemb. Disa prej nesh kanë menduar se po vdisnin kur kanë parë rrjedhjen menstruale për herë të parë. Disa prej nesh kanë qenë tmerrësisht të frikësuara që një mësues apo një djalë do të vinte re që ne ishim duke kaluar menstruacionet. Nga ana tjetër disa prej nesh ndiheshin jo rehat në qoftë se nuk menstruonin.

Problemet menstruale
Menstruimi është një ngjarje normale e shëndetëshme për shumë vite në jetën e gruas. Megjithatë, shumë gra duke përfshirë një spektër kulturash shumë të ndryshme, provojnë probleme menstuale të cilat mund të rradhitën nga një shqetësim i lehtë në dhimbje akute. Për ato nga ne që i kanë këto probleme në raste të veçanta apo shpesh herë është e rëndësishme që t'i kuptojnë problemet për të mësuar si t'i përballojnë ato. Problemet menstruale mund të mos jenë të paevitueshme. Më shumë studime janë të nevojshme për ne për të kuptuar aq sa duhet rreth bashkëveprimit të gjendjes sonë fizike dhe emocionale me ambientin e jashtëm (fizik dhe social) dhe ambientin e brendshëm (duke përfshirë ndryshimin ciklik të kimisë së trupit dhe trashëgiminë) për të mësuar se përse disa gra kanë probleme dhe disa të tjera nuk kanë. Kura shtëpiake për problemet menstruale - Vështrim i përgjithshëm Meqënëse çdo grua është unike dhe reagon në mënyra të ndryshme, kushtojini vëmendje ndikimit që kura e zgjedhur ka mbi ju.
Pavarësisht nga kurimet specifike që ju mund të zgjidhni, tre gjërat që rreshtohen më poshtë kanë aplikim të gjerë për të gjitha problemet menstruale. Ushqimi: Ndihmon fakti i të ngrënit të një diete të shumëllojshme, të mjaftueshme, dhe të balancuar. Shumë gra zbulojnë që një dietë e pasur në drithëra, bishtaja, zarzavate, fruta, maja birre dhe me pak ose aspak kripë, sheqer, alkool dhe kafeinë (që gjendet në kafe, çaj, çokollatë dhe pijet e buta) ndihmon në reduktimin e fryrjes paramenstruale dhe lodhjes. Gjithashtu ju mund të keni nevojë të hani disa herë në ditë vakte të vogla dhe të shpeshta në krahasim me dy ose tre vakte të mëdhaja. Fibra në dietë është e rëndësishme sepse disa gra raportojnë një kapsllëk të butë përpara fillimit të menstruacioneve. Gjumi: Ndihmon fakti i marrjes së sasisë së nevojshme të gjumit. Ritmet tuaja mund të ndryshojnë gjatë ciklit.


Krijoni kohë për të fjetur po qe se keni nevojë. Aktiviteti Fizik: Aktiviteti fizik i moderuar ndihmon shumë gra të ndihen më mirë përpara dhe gjatë menstruacioneve. Gratë në Lëvizje. Joga (sidomos pozicioni kobra) dhe tai chi mund të ndihmojnë në mënyrë të veçantë. Eksperimentoni me pozicione të ndryshme për të kuptuar se cili mund t'ju ndihmojë ju.

Si të përballojmë probleme specifike paramenstruale dhe menstruale

Ndryshimet paramenstruale
Gratë mund të provojnë një varietet sensacionesh ose eksperiencash, për disa ditë, përpara dhe nganjëherë gjatë ditës së parë të menstruacioneve. Midis tyre janë ndryshime emocionale, depresion (shpesh i butë dhe nganjëherë i theksuar), fryrje, dhimbje në gjinj, dhe dhimbje koke. Nganjëherë këto ndjesi paramenstruale bëhen ndërhyrje serioze në jetën tonë dhe nganjëherë ato janë të buta e të durueshme. Për shembull disa gra raportojnë që ndihen më energjike dhe krijuese para menstruacioneve, dhe se disa mendojnë që ndryshimet e buta emocionale janë të tolerueshme dhe madje interesante. Të gjitha përpjekjet e deritanishme për të gjetur një bazë biologjike apo një përkufizim uniform për problemet paramenstruale kanë dështuar, por megjithatë këto probleme janë shumë reale.

Depresioni i lehtë paramenstrual
Ato prej nesh që depresohen para menstruacioneve shpesh arrijnë në konkluzionin që ne po shqetësohemi për probleme të cilat kanë egzistuar gjithmonë. Thjesht, këto probleme nuk mund t'i përballojmë dhe aq mirë gjatë ditëve paramenstruale. Është e rëndësishme që të mbahen mend problemet shqetësuese, edhe në qoftë se na duhet t'i shkruajmë, me qëllim që kur të ndihemi më mirë të dimë si të punojmë për t'i zgjidhur ato.

Depresioni i rëndë paramenstrual
Kur depresioni para menstrual është më shumë se sa mërzitje dhe ndërhyn në mënyrë të konsiderueshme në jetën tuaj të përditëshme (ju nuk ngriheni dot nga krevati, nuk shkoni dot në punë, keni mendime t'i bëni keq vetes), atëhere është koha që të kërkoni një mjek profesionist të shëndetit mendor, dikush që ka aftësitë dhe eksperiencën për të dalluar problemet serioze paramenstruale nga probleme të tjera emocionale.

Mjekime Shtëpiake për Spazmat dhe Dhimbjet e Kurrizit
Gjethet e bimëve mund të ndihmojnë. Çaji me gjethe boronice rekomandohet më shumë, por kamomili dhe mentja janë gjithashtu të mira për një qetësim të përgjithshëm. Zieni një lugë gjelle për një gotë uji. Edhe bimët kineze mund të ndihmojnë. Bimët që përdoren si medikamente duhen përdorur në sasira të moderuara. (Shikoni Burimet në këtë kapitull dhe kapitullin 5, Tërësia e Shëndetit dhe Kurimit, për më shumë mbi bimët). Disa gra hanë shumë ushqime të pasura në kalçium ose marrin kalçium dhe magnez plotësues në raport dy me një për disa ditë përpara rrjedhjes ose gjatë gjithë ciklit. Filloni me 250 mg kalçium dhe 125 mg magnezium. (Mos merrni dolomite që përmban dhe kalçium dhe magnez, sepse mund të jetë e ndohtur me plumb ose arsenik.) Të ngrohtat në stomak ose në pjesën e poshtme të kurrizit mund t'ju ndihmojnë. Orgazma me ose pa partner mund të ketë efekt. Shumë gra përdorin medikamente që merren pa recetë si aspirin, acetaminofen (p.sh.Tylenol), ose Ibuprofen. Marrja e tepërt e aspirinës mund t'ju hollojë gjakun dhe ta bëjë hemorragjnë më të rëndë.

Periodat me shumë hemorragji dhe/ose hemorragjia e çrregullt
Perioda me shumë hemorragji mund të ndodhin nëse ju nuk ovuloni (p.sh në qoftë se ju jeni në menopauzë), në qoftë se jeni nën stres të fortë, jeni duke përdorur IUD për kontrollin mbi lindjen, po bëni një dështim, ose keni fibriomiomë apo tumor në mitër. Hemorragjia e parregullt - rrjedhja jashtë ciklit - mund të shkaktohet nga hyrja në menopauzë, nga një operacion i freskët sterilizimi, ose nga një problem shëndetësor. Për faktin se një hemorragji e madhe ose e parregullt mund të sinjalizojë probleme shëndetësore serioze është ide e mirë të flisni me doktorin tuaj në qoftë se keni të tilla probleme. Medikamentet psikotrope si Valiumi dhe Libriumi, apo drogat e "rrugës", mundet gjithashtu të krijojnë parregullwsi në perioda.

Mjekimet e shtëpisë për periodat me shumë hemorragji dhe/ose hemorragji të çrregullt
Provini të hani ushqime që përmbajnë vitaminë C ose merrni sasi shtesë vitamine C si dhe bioflavonoid (që njihet edhe me emrin vitamin P). Shumica e ushqimeve që përmbajnë vitaminë C përmbajnë gjithashtu edhe bioflavonoid. Në qoftë se ky problem fillon pasi të keni marrë kokrrat kontraceptive (shih kapitullin 13, Kontrolli mbi Lindjen) provoni 10.000 ose më pak njësi vitaminë A - mënyra më e mirë dhe e sigurtë për ta marrë është në formën e beta-karotinës. Vitamina A me shumicë është toksike; në qoftë se filloni të keni pështjellime, irritime në lëkurë, dhe /ose ndryshime të tjera, ndaloni përdorimin e saj.

Amenorrea
Një problem tjetër menstrual është amenorrea, ose mungesa e periodave menstruale. Amenorrea parësore është diagnoza e mosardhjes së periodave asnjëherë deri në kufirin e moshës më të lartë të ardhjes së menstruacioneve (18 vjeç); amenorrea dytësore është ndalimi i menstruacioneve pas të paktën një periode. Disa shkaqe janë shtatzënia; menopauza; të ushqyerit me gji; dieta ekstreme ose anoreksia; të pangrënët; stërvitje e rëndë atletike sidomos gjatë adoleshencës së hershme; përdorim i mëparshëm i kokrrave kontraceptive; përdorimi i disa lloj drogash; difekt i lindur i rrugëve gjenitale; ç'ekujlibër hormonal; ciste apo tumore; sëmundje kronike; anomali kromozomale; stress ose faktorë emocionalë. Shpesh amenorrea shkaktohet nga një kombinim i disa prej këtyre faktorëve. Meqënëse amenorrea është shpesh një nga simptomat e sterilitetit, mjekët dhe librat mjekësorë i kushtojnë asaj shumë më tepër vëmendje se problemeve paramenstruale ose periodave me dhimbje, megjithëse këto dy të fundit janë shumë më të zakonshme.

Mjekime shtëpiake për amenorrenë
Si mjekim shtëpie për të sjellë periodat ose për perioda shumë të lehta ju mund të provoni çajin e gjethes së mendrës (mos përdorni vajin, pasi mund të jetë toksik). Zieni një lugë çaji për një kupë uji. (mos e përdorni mendrën në qoftë se jeni ose mund të jeni shtatzënë dhe dëshironi që ta mbani shtatzëninë.) Gjithashtu një rënie në peshë 10-15% nën një minimum të shëndetshëm mund të ndalojë periodat tuaja; një rikthim në peshën tuaj minimale ose mbi të, zakonisht mund ta korrigjojë këtë problem. Në qoftë se keni marrë kokrrat kontraceptive dhe keni vështirësi për të rikthyer periodat, siguroni marrjen e kalorive dhe vitaminave të mjaftueshme dhe përpiquni të bëni më pak aktivitet fizik. Ju mund të provoni gjithashtu të merrni sasi plotësuese vitamine B6, acidi folik, dhe vitamine E, dhe të zvogëloni sasinë e proteinës që merrni. Anemia e theksuar mund të ndalojë përkohësisht menstruacionet.

Dhimbja në gjinj, ndjenja e fryrjes - Mjekime shtëpiake
Disa gra raportojnë se marrja e vitaminës B6 ose Pirodiksinës ndihmon. Filloni me 25 deri në 50mg në ditë dhe mund të provoni deri në 100 mg si dozë ditore. Ndaloni përdorimin në qoftë se filloni të provoni mpirje apo shenja të tjera treguese të një një dëmtimi të përkohshëm të nervave. Shihni kapitullin 2, Ushqimi, faqe 55, për ushqime që përmbajnë vitaminë B6. Përdoreni me një vitaminë të përgjithshme B-kompleks për një absorbim më të mirë nga organizmi. Mundohuni të ulni sasinë e kripërave duke ngrënë më pak kripë dhe rrisni sasinë e kaliumit (shihni kapitullin 2, Ushqimi). Disa gra përdorin diuretikë: ujë, çaj reduktues të ujit, ushqime, bimë ose medikamente. Përdorini me kujdes. Shumica e diuretikëve, me përjashtim të ujit, eleminojnë kaliumin nga trupi. Shmangni kafeinën për të reduktuar dhimbjen në gji.

Lodhja dhe Zbehja
Kontrolloni nivelin e hekurit në gjak për të parë nëse jeni anemike.



Main menu 2