Jump to Navigation

Antioksidantët

Organizmi ynë përballet vazhdimisht ( në gjakun qarkullues dhe në qeliza ) me disa lëndë mjaft të dëmshme, të ashtuquajturat “radikale të lira”, të cilat janë të pashmangshme pasi në pjesën më të madhe ato janë produkte përfundimtare të metabolizmit të lëndëve ushqyese, proteinave, yndyrnave, karbohidrateve etj.. Aktualisht është shtuar edhe një rrezik tjetër edhe më i madh për organizmin tonë, i cili ka të bëjë me ndotjen e mjedisit (ujit, ajrit dhe ushqimit ), kjo si pasojë e zhvillimit të vrullshëm industrial e urban edhe në vëndin tonë. Në këtë shkrim duam t`ju sensibilizojmë sado pak, për t’u mbrojtur nga këto rreziqe që kërcënojnë çdo ditë jetën tonë.


Dihet se për kryerjen normalisht të aktivitetit të përditshëm, organizmit të njeriut i nevojiten lëndë të shumta natyrore, kryesisht karbohidratet, proteinat, yndyrnat etj., të cilat i shërbejnë atij për ripërtritjen e qelizave si edhe për të siguruar energjinë e nevojshme për jetën.


Këto lëndë shpërbëhen në organizmin tonë nëpërmjet reaksioneve biokimike, në lëndë më të thjeshta që përthithen nga organizmi dhe janë mëse të nevojshme përsa thamë edhe më lart. Por jo të gjitha lëndët që përftohen nga shpërbërja e tyre janë të nevojshme për qelizat e organizmit tonë. Pjesët e panevojshme të strukturës kimike të lëndëve ushqyese, janë radikalet e lira. Ato janë produkte përfundimtare që dalin nga metabolizmi i lëndëve ushqyese. Radikalet e lira janë mjaft të dëmshme, e megjithatë përderisa ato janë në qarkullimin e gjakut së bashku me lëndët e nevojshme (glikogjenin, aminoacidet etj.) shpërndahen në të gjithë organet, nga ku nuk përjashtohet mundësia që të depërtojnë edhe në brendësi të qelizave, duke shkaktuar dëmtime serioze të tyre.


Pra, si produkte dytësore të metabolizmit qelizor, në organizmin tonë krijohen radikalet e lira. Këto lëndë dëmtojnë membranat qelizore, shkatërrojnë molekulat e AND-së dhe në këtë mënyrë ato janë shkaktaret kryesorë të plakjes fiziologjike të qelizave e për pasojë edhe të organizmit në tërësi.


Radikalet e lira, duke u përqëndruar në disa organe jetësore, luajnë një rol të madh edhe në shfaqjen e disa sëmundjeve serioze si në zemër, mushkëri e mëlci.Gjithashtu ato janë edhe shkaktaret kryesorë të kancerit. Mbrojtja e organizmit nga radikalet e lira arrihet nëpërmjet disa lëndëve që prodhohen nga vetë organizmi, që njihen si antioksidantë. Gjithashtu ato mund të merren edhe më anën e ushqimit të përditshëm ose nëpërmjet suplementeve.


Antioksidantet kryesorë janë vitamina C, vitamina E, beta-karoteni dhe seleni. Aftësi të tilla kanë edhe disa lëndë të tjera si koenzima Q10, zinku, acidi gama-linoleik, l-cistina dhe glutina. Në bazë të analizave shkencore që janë bërë, antioksidantët kanë si funksion t’u kundërvihen radikaleve të lira duke i neutralizuar ato. Përballë këtyre agjentëve të rrezikshëm dhe të pashmangëshëm, organizmi ynë ka luftuar e lufton vetë, por kjo jo gjithmonë është e mjaftueshme. Organizmi i shëndoshë prodhon sasi të mjaftueshme antioksidantësh për neutralizimin e veprimit shkatërrues të radikaleve të lira, që çlirohen çdo ditë në organizmin tonë. Por aftësia e qelizave për krijimin e antioksidantëve varet nga: faktorët gjenetikë, nga mosha dhe nga ushqimi. Organizmi i njerëzve më të dobët dhe të moshuar, apo i atyre që hanë ushqim të njëjtë dhe jo të shëndetshëm, prodhon shumë pak antioksidantë, kjo bën që t’u lihet hapësirë radikaleve të lira për veprimin e tyre të dëmshëm, pra shfaqjen e sëmundjeve.


Një rrezik potencial prej radikaleve të lira paraqesin moshat e vjetra, te të cilat mundësia e prodhimit nga vetë organizmi i antioksidantëve siç e thamë ulet ndjeshëm. Gjendja është edhe më e rënde te të sëmurët kronikë, të cilëve ju shtohen edhe radikalet e lira që çlirohen nga shpërbërja e medikamenteve që marrin për mjekim.


Faktorët e jashtëm, që lidhen me jetën bashkëkohore, si ndotja e mjedisit ( tymi i cigares, gazrat industriale dhe të makinave, lëndët toksike që çlirohen prej tyre në ambient e që hyjnë në organizëm nëpërmjet rrugëve të frymëmarjes dhe lëkurës ), ushqimi dhe uji i papastër nga ndotjet kimike, stresi, rrezatimi nga kompjuteri dhe televizori etj., janë gjithashtu një rrezik tjetër i madh, për shëndetin tonë. Për shkak të të gjitha këtyre rreziqeve të theksuara më sipër, lufta që bën vetë organizmi nuk është e mjaftueshme, prandaj përdorimi i antioksidantëve shtesë, do të jetë një ndihmesë e madhe për organizmin tonë, në luften kundër radikaleve të lire.


Antioksidantët që përmendëm më lart, ndikojnë në përmirësimin e shëndetit tonë, madje edhe nëse përdoren vetëm. Megjithatë në bazë të hulumtimeve bashkëkohore, veprimi i tyre zmadhohet mjaft, kur merren të gjitha menjëherë (sinergjizëm). Vitamina C, veç të tjerash, e përforcon sistemin imunitar dhe rrit rezistencën ndaj sëmundjeve ngjitëse, shton prodhimin e interferonit dhe përmirëson mbrojtjen kundër lëndëve kancerogjene. Kjo vitaminë mundëson mbrojtjen kundër stresit dhe ndihmon në absorbimin e hekurit, zvogëlon dhimbjen dhe kontrollon gjakrrjedhjen si dhe simptomat e shkaktuara nga niveli i ulët i kalciumit. Për herë të parë vitamina C është zbuluar nga shkencëtari Hungarez, Albert Sent Gjergji i cili e ka ekstraktuar nga speci. Vitamina C haset edhe në mjaft bimë të tjera si frutat e tharta.
Burimi më i madh i saj është kacja, meqenëse acidi askorbinik në të gjëndet bashkë me flavonoidet, kjo e shton edhe më shumë ndikimin pozitiv të kësaj vitamine. Vitamina E, rregullon oksidimin e vitaminës A, të vitaminës C dhe të selenit, kështu që këto veprojnë në organizëm për një kohë më të gjatë. Hulumtimet e bëra në Kanada flasin se shfaqja e kataraktit është 50% më e vogël te personat që kanë marrë doza të konsiderueshme të vitaminës C dhe E.


Në bazë të hulumtimeve të bëra, vitamina E ndikon në shtimin e aftësisë seksuale, përforcon sistemin imunologjik dhe mbron membranat qelizore nga dëmtimet e ndryshme. Vitamina E është vazodilatator dhe antikoagulant i mrekullueshëm si dhe mjet i mirë për uljen e tensionit të lartë. Te pacientët që vuajnë nga Parkinsoni ajo pakëson çfaqjen e dridhjeve, lehtëson paralizën dhe humbjen e drejtpeshimit.
Nevojat ditore për vitaminë E arrijnë 10 – 30 mg në ditë, me qëllim që niveli plazmatik të mbahet në kufijtë normalë. Beta-karoteni është provitaminë e vitaminës A, që do të thotë se nëpërmjet saj organizmi e prodhon vitaminën A, sipas nevojave të tij në mëlçi dhe në traktin gastrointestinal.


Në disa hulumtime të bëra në Amerikë, që zgjaten mbi dhjetë vjet, ka rezultuar se në grupet e kontrollit që vazhdimisht kanë marrë beta-karoten, numri i meshkujve me sëmundje të zemrës apo të prostatës, ka qënë shumë herë më i vogël në krahasim me ata të grupit që nuk kanë përdorur beta-karoten. Japonezët dhe Norvegjezët, të cilët konsumojnë shumë ushqime të pasura me beta-karoten, sëmuren shumë rrallë nga kanceri në mushkëri, gji, prostatë, apo në zorren e trashë. Vitamina A ndikon në mjekimin e shumë sëmundjeve të syrit dhe në infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes. Ajo është një mjet i mirë për një lëkurë, flokë dhe dhëmbë të shëndetshëm.


Edhe seleni pengon apo ngadalëson plakjen e qelizave. Në mënyrë të ngjashme me vitaminat e mësipërme, edhe ai neutralizon radikalet e lira. Të përdorura bashkë, ato kanë një efekt shumë më të madh, ndaj edhe quhen komponentë sinergjikë. Seleni qetëson valët e ngrohta dhe ndjenjën e rëndë te gratë, që shfaqen në periudhën e menopauzës. Meshkujt kanë edhe më shumë nevojë për selenium, sepse tek ata ai koncentrohet kryesisht në teste, kështu që një sasi e madhe e selenit del nga organizmi nëpërmjet spermës.


Shumë sëmundje të zemrës që u konstatuan në rajonin Kashen të Kinës, ishin të shkaktuara nga mungesa e selenit. Prandaj kjo sëmundje u quajt sëmundja Kashen. Toka e Zelandës së Re është e varfër me selen, prandaj atje bagëtia e trashë vuan nga dobësia e muskulit të zemrës. Kjo mungesë, plotësohet duke importuar drithëra nga Australia. Burimet natyrore të selenit janë, bisqet e grurit, krundet, brokola, mishi i tonit etj. Organizmi ynë ka nevojë për 20 – 200 mikrogram selen në ditë.


Nuk ka asnjë dyshim se përdorimi i antioksidantëve, për njerëzit e moshuar dhe sidomos për personat që përdorin mjekime mbajtëse për sëmundje kronike dhe sidomos diabetikët, është shumë i nevojshëm, sikurse është i nevojshëm edhe për ata që jetojnë në qytet, si edhe për sportistët, pasi ato ofrojnë mbrojtje të shëndetit nga veprimet e dëmshme të radikaleve të lira.

Nga: Josif RISTO



Main menu 2