Jump to Navigation

Vetëvrasjet

Suicidet janë ndeshur që në fillimet e historisë së shkruar. Termi “suicid” rrjedh nga fjala latine “suicidium” dhe ka kuptimin e kryerjes së vetëvrasjes. Ndërprerja e qëllimshme e jetës nga vetë personi, që përfundon me vdekjen e tij quhet suicid ose vetëvrasje. Edwin Shneidman (1897) e përcakton suicidin si vdekje të qëllimshme, të vetëshkaktuar, në të cilën një person bën përpjekje të qëllimshme, të drejtpërdrejta dhe të vetëdijshme për t’i dhënë fund jetës. Sipas tij suicidi lidhet me nevoja të penguara ose të paplotësuara, me ndjenjat e mungesës së shpresës dhe të ndihmës, me konfliktet ambivalente midis stresit të të mbijetuarit dhe të paaftësisë për të përballuar jetën, me ngushtimin e opsioneve të të perceptuarit të saj dhe të nevojës për shpëtim.


Ekziston një kufi midis të menduarit për suicid dhe veprimit suicidal. Disa persona kanë mendime për suicid, por kurrë nuk veprojnë; disa bëjnë plane për suicid me ditë e javë ose edhe me vite përpara kryerjes së veprimit; të tjerët i japin fund jetës së tyre pa paramendim Prandaj mund të dallohen disa kategori të sjelljes suicidale:
1) Tentativat suicidale janë veprime për suicid që nuk përfundojnë me vdekje. Shumica e tyre bëhen në mënyrë impulsive, pra janë të paplanifikuara mirë. Shpesh tentativat suicidale janë shkarkime emocionale, prandaj mund të shoqërohen me një ndjenjë lehtësimi. Tentativat të tilla nganjëherë bëhen për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve, duke ngjallur keqardhje, ose si formë presioni për përfitime të pamerituara. Por përgjithësisht ato kanë karakter recidivues dhe përbëjnë gjithnjë rrezik të madh për jetën, mbasi 1-2 % e personave që bëjnë tentativa suicidale, pas një viti përfundojnë me vdekje nga suicidi.
2) Tentativat suicidale të dështuara konsiderohen rastet kur një individ bën një tentativë për suicid, por nuk e plotëson aktin e suicidit, prandaj nuk pëson dëmtime. Në momentin e fundit ndyshon mendje dhe heq dorë nga vetëvrasja. P.sh., një person mbështet tyten e revolverit në kokë me mendimin për të vrarë veten, por menjëherë ndryshon mendim dhe e ul armën. Tentativa suicidale e dështuar është një kategori e re, që zë vend midis ideve suicidale dhe tentativës suicidale.
3) Suicid i arsyetuar ose racional quhet vetëvrasja e kryer nga një person i shëndetshëm nga ana mendore. Pra ai nuk manifeston asnjë lloj çrregullimi psikik, por vlerëson në mënyrë reale se vdekja është më e preferuar se jeta, mbasi ajo është bërë e padurueshme për shkak të problemeve të papërballueshme ose të disa sëmundjeve të pashërueshme, që i privojnë autonominë dhe lirinë e tij. Mendohet se vetëm rreth 5-10 % e suicideve të arsyetuara, rezultojnë me të vërtetë të tilla, mbasi jo të gjitha të raportuarat nuk kanë të dhëna për praninë e sëmundjeve mendore. Përgjithësisht, madje edhe në sëmundjet somatike (p.sh., kaceri), në bazë të vetëvrasjeve racionale mendohet se qëndron depresioni, i cili ëshë shkaktari i veprimit suicidal.
4) Suicidet e asistuara kanë të bëjnë me pacientë që vuajnë nga sëmundje të rënda e të pakurueshme, të cilët autorizojnë një “personkudestar “ për të marrë vendim për jetën e tyre, kur ata vetë nuk janë në gjendje ta bëjnë një gjë të tillë.
5) Pakt suicidal konsiderohet rënia dakord e dy ose më shumë personave për të vdekur në të njëjtën kohë, duke kryer suicid. Njerëz të tillë kanë marrëdhënie të ngushta midis tyre ose i bashkon i njëjti ideal (p.sh. dy të dashur, besimi fetar i njëjtë).
6) Parasuicidi është një term, i cili përdoret për të përshkruar pacientët që dëmtojnë veten e tyre, por që zakonisht nuk dëshirojnë të vdesin. Një veprim i tillë është quajtur vetëmutilim (vetëgjymtim ose vetësakatim). Studimet tregojnë se rreth 4 % e të gjithë pacientëve të spitaleve psikiatrike dëmtojnë veten dhe raporti femra-meshkuj është 3:1. Shpeshtësia e vetëdëmtimit të pacientëve psikiatrikë është 50 herë më e madhe se e popullsisë së përgjithshme. Vetëdëmtim është gjetur në rreth 30 % të të gjithë abuzuesve me substanca orale dhe në 10 % të përdoruesve të tyre intravenoz të shtruar në pavionet e abuzimit me substanca. Shumica e tyre janë me çrregullime personaliteti (personat e introvertuar, neurotikë dhe armiqësorë) dhe me abuzim substancash. Vetëdëmtimi është trajtuar si vetëdestruksion i lokalizuar nga përdorimi i pakontrolluar i impulseve agresive subkortikortkale.
7) Pacientët suicidalë mund të kyejnë edhe homocide, duke vrarë për mëshirë fëmijët ose gruan, që t’i çlirojë nga “vuajtjet e padurueshme”, sepse janë të bindur se edhe ata vuajnë si ata. Më pas vrasin edhe veten (suicidi i ndërlikuar ose altruist). Më rrallë ndeshen rastet kur i sëmuri vret një person tjetër, që ta dënojnë me vdekje, mbasi i mungon guximi për të vrarë veten (suicidet paradoksale). Epidemiologjia e suicideve Suicidi është problem shëndetësor madhor në të gjithë botën. Ai renditet në 10 shkaqet që çojnë në vdekje. Është e vështirë të nxjerrësh shifra të sakta mbi shpeshtësinë e suicideve, sepse shumë “vdekje aksidentale” në të vërtetë janë vetëvrasje të qëllimshme por raportohen më pak sesa ndodhin për shkak të përçmimit social (stigmës). Nga ana tjetër vetë familjarët i fshehin vetëvrasjet sepse kompanitë e sigurimeve nuk paguajnë në të tilla raste. Në botë vdesin nga suicidet 1 milion njerëz çdo vit, mesatarisht 15/100,000 banorë. Shpeshtësia ndërkombëtare e suicideve është prej më të lartave, mbi 25/100,000 persona, në Skandinavi, Zvicer, Gjermani, Austri, në vendet e Europës Lindore (të ashtuquajturat zona suicidesh) dhe Japoni, deri në më pak se 10/100,000 banorë në Spanjë, Itali, Irlandë, Egjypt dhe Hollandë. Suicidet përgjithësisht janë më të shpeshta se sa mesatarja kombëtare në shtetet e perëndimit dhe më të ulta në shtetet e lindjes. Mesatarja për Evropën është 27/100,000 banorë. Nga analiza e suicideve të dekadës së fundit midis personave të moshave 15-44 vjeç rezulton se Neë Jersey ka përqindjen më të ulët të suicidve si popull për të dyja sekset, kurse Nevada e New Mexico ka përqindjen më të lartë për burrat dhe Nevada e Wyoming për gratë. Vendi kryesor i suicideve në botë është Golden Grate Bridge në San Francisco, me më shumë se 800 suicide, që kur u hap ura në vitin 1937. Në SHBA ka më grupi më i mbrojtur prej tyre. Gjithashtu, meqënëse personat në komunitetet rurale (periferike) janë më të integruar në shoqëri se sa ata në zonat urbane, rezultojnë me më pak vetëvrasje. Sipas Durkheim, duke qenë se protestianizmi është një fe me integrim më të pakët se katolicizmi romak, në popullsinë protestane ka një përqindje më të lartë suicidesh se sa te katolikët. Ndërsa suicidin altruist Durkheim e aplikonte për individët me integrim të tepruar në një grup social, me të cilin lidhet edhe prirja e tyre për suicid. Për shëmbul, një ushtar duke qenë produkt i integrimit të tepruar sakrifikon jetën e tij në betejë. Kur integrimi në shoqëri është i çrregulluar, njerëzit nuk mund të zbatojnë normat e zakonshme të sjelljes dhe vetëvrasjet e tyre Durkheim i konsideronte suicide aomike. Me çrregullimin e integrimit social spjegohet përse ndryshimet e vrullshme në gjendjen ekonomike i bëjnë personat më të ndjeshëm se më parë. Në teorinë Durkheim, çrregullimi i integrimit gjithashtu shfaqet edhe gjatë paqëndrueshmërisë sociale dhe rënieve të përgjithshme të standardeve dhe vlerave të shoqërisë.
2) Faktorët psikologjikë Teoria e Frojdit. Zigmund Frojd propozoi konceptimin e parë të rëndësishëm psikologjik për suicidin. Ai përshkroi vetëm një pacient që kishte bërë tentativë suicidale, por vizitoi shumë pacientë të deprimuar. Në artikullin “Zia dhe melankolia” Frojdi pohoi bindjen e tij se suicidi përfaqëson një agresion të drejtuar nga brenda kundër një objekti të dashur. Ai dyshonte në ekzistencën e ndonjë suicidi pa një dëshirë të mëparshme për të vrarë dikë tjetër, të represuar në subkorteks. Sipas Frojdit njerëzit kanë instiktin e vdekjes (“thanatos”), i cili funksionon në kundërshtim me instiktin e jetës dhe ndërsa shumica e njerëzve mësojnë ta drejtojnë instiktin e vdekjes te të tjerët, personat suicidalë e drejtojnë atë te vetja e tyre.
Teoria Meninnger
Në punimin e tij “Burri kundër vetes” Karl Meninger u mbështet në idetë e Frojdit. Ai e konceptonte suicidin si homocid i invertuar, i kryer për shkak të inatit të pacientit kundër një personi tjetër. Kjo vrasje e invertuar drejtohet nga vetëvetja. Meninger gjithashtu përshkroi instinktin e vdekjes së vetëdrejtuar (koncepti i vdekjes sipas Frojdit) dhe shtoi tri komponentët e armiqësisë në suicid: dëshirën për të vrarë, dëshirën për t’u vrarë dhe dëshirën për të vdekur.
Teoritë e kohëve të fundit. Sociologët e sotëm nuk janë të bindur se suicidi lidhet me strukturën e veçantë psikodinamike ose të personalitetit. Ata mendojnë se mund të mësohet shumë mbi psikodinamikën e pacientëve suicidalë, nga fantazitë e tyre rreth asaj që do të ndodhë dhe pasojave që rrjedhin nëse kryhet suicidi. Fantazi të tilla shpesh përfshijnë dëshirat për hakmarrje, fuqi, kontroll ose ndëshkim; shlyerje faji, sakrificë ose dëmshpërblim; shpëtim ose vrasje; çlirim, rilindje, lidhje me vdekjen ose me një jetë të re. Mundet që pacientët suicidalë të nxjerrin në pah fantazitë suicidale, pasi kanë humbur një objekt të dashur ose të kenë pranuar dëmtim narcistik, mund të përjetojnë ndjenja dërmuese zemërimi dhe faji ose mund të identifikohen me viktimat e suicidit. Pacientët depresivë mund të bëjnë tentativë suicidale vetëm se u duket sikur do të shërohen nga depresioni. Një depresion i gjatë dhe i maskuar mund të shkaktojë tentativë suicidale, sidomos në qoftë se plotësohet nevoja e pacientit për ndëshkim. Në mënyrë të njëjtë, shumë persona suicidalë e përdorin preokupimin me suicidin si mënyrë lufte kundër depresionit të patolerueshëm dhe të qenies i pashpresë. Në një studim të tij, Aaron Beck tregoi se mungesa e shpresës është një prej treguesëve më të saktë të rrezikut të gjatë për suicid.
3) Faktorët biologjikë. Teoria biologjike që përpiqet të shpjegojë mekanizmin e veprimeve suicidale është hipoteza e uljes së nivelit të serotoninës në SNQ. Një grup studiuesish të Institutit Karolinska të Suedisë ishin të parët që zbuluan se përqendrimi i ulur i metabolitit të serotoninës (acidi 5-hidroksi-indolacetik ose 5-HIAA) në likuorin cerebrospinal (LCS) lidhet me sjelljen suicidale të njerëzve. Një përfundim i tillë u arrit mbi bazën e studimeve neurokimike pas vdekjes, të cilat zbuluan ulje të vogël të vetë serotoninës në trungujt e trurit ose në korteksin frontal të viktimave të suicidit. Ata ekzaminuan suicidet komplete te 92 pacientë depresivë, që kishin tentuar për suicid dhe gjetën se 11 prej tyre bënë suicid brenda 1 viti dhe nga këta 8 pacientë rezultuan me përqendrime nën mesatare të 5-HIAA-s në LCS. Rreziku për suicid në këtë nëngrup ishte 17 %, kurse në nëngrupin me përqendrime mbi mesatrae të 5-HIAA-s në LCS vetëm 7 %. Gjithashtu koha e mbijetesës gjatë vitit të parë pas tentativës suicidale ishte rëndësishëm më e ulur në nëngrupin me përqendrime të ulura të 5-HIAA.


Grupi Karolinska arriti në përfundimin se përqendrimet e ulura të 5-HIAA në LCS parashikojnë rrezik për suicid në grupin e pacientëve depresivë me rrezik të lartë, të cilët kanë tentuar më parë për suicid. Përqendrime të ulura të 5-HIAA në LCS u demonstruan gjithashtu edhe në adolenshtët që kishin vrarë veten.
Edhe studimet receptore pas vdekjes raportuan ndryshime të rëndësishme në lidhjen e serotoninës presinaptike dhe postsinaptike te viktimat e suicidit. Këto fakte të marra së bashku (studimet e LCS, neurokimike dhe receptore) mbështesin hipotezën se pakësimi i serotoninës centrale lidhet me suicidin. Studimet e kohëve të fundit japin të dhëna gjithashtu edhe për ndryshime në sistemin noradrenergjik të viktimave të suicidit.
4) Faktorët gjenetikë.
Kohët e fundit i është dhënë një rëndësi shumë e madhe studimit të faktorëve gjenetikë që mund të predispozojnë njerëzit për të manifestuar sjellje suicidale, e cila ashtu si edhe çrregullimet e tjera psikiatrike, priret të ketë një shpeshtësi me të madhe brenda familjeve ose të afërmëve të ndryshëm biologjikë. P.sh., suicidi i Margaux Hemingway-it në 1997 ishte suicidi i pestë brenda katër gjeneratave të familjes së Ernest Hemingway-it. Në pacientët psikiatrikë, anamneza me të dhëna për suicid në të kaluarën rrit rrezikun për tentativë suicidale, madje suicidi komplet është grupi më i diagnostikuar. Në mjekësi, të dhëna më domethënëse për përfshirjen e faktorëve gjenetikë në sëmundjet e ndryshme japin studimet e binjakëve, të adoptuarëve dhe studimet e gjenetikës molekulare. Studimet e binjakëve. Një studim pilot në vitin 1991 analizoi 176 çifte binjakësh (62 monozigotë; 114 dizigotë) në të cilët njëri nga binjakët kishte kryer suicid. Në nëntë prej këtyre çifteve binjakësh, kishin kryer suicid të dy binjakët. Shtatë (11.5%) prej këtyre 9 çifteve (konkordant për suicid) u gjetën midis 62 çifteve monozigotë, ndërsa vetëm dy çifte (1.8%) (konkordant për suicid) u gjetën midis 114 çifteve binjakësh dizigotë.
Kjo diferencë në grupin e binjakëve për konkordancë për suicid (11.3 kundër 1.8 %) rezultoi statitikisht e rëndësishme (P< .01). Pra sucidet rezultojnë më të shpeshtë në binjakët monozigotë, që kanë material gjenetik të njëjtë. Gjatë një studimi tjetër u grumbulluan 35 çifte binjakësh (26 monozigotë, 9 dizigotë), 1/3 e të cilëve kishin kryer suicid. Më pas u intervistuan binjakët që ishin gjallë. Dhjetë prej 26 binjakëve monozogotë gjallë rezultoi se kishin bërë tentativa për suicid, kurse asnjë prej 9 binjakëve dizigotë gjallë nuk kishtë bërë tentativë suicidale (P< .01). Megjithëse binjakët monozigotë dhe dizigotë mund të kenë disa diferenca eksperiencash gjatë zhvillimit, këto rezultate tregojnë se çiftet e binjakëve monozigotë kanë konkordancë për suicid dhe tentativë suicidale rëndësishëm më të lartë, çfarë sugjeron se faktorët gjenetikë mund të luajnë rol në sjelljen suicidale.


Studimet Amerikano-Daneze të të adoptuarëve. Të dhënat më domethënëse, që sugjerojnë praninë e faktorëve gjenetikë në suicid vijnë prej studimit të të adoptuarëve në Danimarkë. Verifikimi i rregjistrave të shkaqeve të vdekjeve zbuloi se 57 prej 5483 të adoptuarish në Kopenhagë kryen suicid. Studimi i shkaqeve të vdekjes zbuloi se 12 prej 269 kushërinjve biologjikë të 57 të viktimave suicidale të adoptuarëve kishin kryer vetë suicid, krahasuar me vetëm me 2 prej 269 kushërinjve biologjikë të 57 të adoptuarëve të kontrollit. Kjo është një diferencë rëndësishëm e lartë për suicid midis farefiseve të dy grupeve, që flet përsëri për rolin e rëndësishëm të faktorëve gjenetikë në shkaktimim e vetërasjeve.


Në një studim tjetër të 71 të adoptuarëve me çrregullime humori, viktimat e suicidit të adoptuarëve me krizë rrethanore ose me përpjekje suicidale impulsive ose me të dyja, patën më shumë të afërm biologjikë që kishin kryer suicid sesa të grupit të kontrollit. Kjo çoi te sugjerimi se faktorët gjenetikë, duke ulur pragun për sjellje suicidale mund të çojnë te paaftësi për të kontrolluar sjelljen impulsive. Çrregullimet psikiatrike ose stresi mjedisor mund të shërbejnë si “mekanizma fuqizimi, të cilët ushqejnë ose nxitin sjelljen impulsive, duke e drejtuar atë drejt përfundimit suicidal”.
Studimet gjenetike molekulare. Triptofan hidroksilaza (TPH) është një enzimë, që përfshihet në biosintezën e serotoninës. Është identifikuar një polimorfizëm në gjenin e TPH humane, i cili ka alelet U dhe L. Meqënëse përqendrimet e ulura të 5-HIAA-s në LCS lidhen me sjelljen suicidale, është hedhur hipoteza se personat me sjellje të tillë mund të kenë ndryshime në gjenet që kontrollojnë sintezën dhe metabolizimin e serotoninës. Është zbuluar se alkoolistët impulsivë, të cilët kanë përqendrime të ulura të 5-HIAA-s në LCS, kanë më shumë gjenotipe LL dhe UL. Gjithashtu, anamneza me të dhëna për tentativa suicidale lidhet rëndësishëm me gjenotipin e TPH-së në të gjithë alkoolistët e dhunshëm, ku 34 prej 36 subjekteve të dhunshëm që u përpoqën për suicid patën gjenotipe LL dhe UL. Kështu u arrit në përfundimin se prania e alelit L lidhet me rrezik të rritur për tentativa suicidale.


Gjithashtu, të dhëna anamnestike për tentativa të shumta suicidale janë ndeshur më shpesh në subjektet me gjenotipin LL dhe më rrallë midis atyre me gjenotip UL. Kjo çoi në sugjerimin se aleli L lidhet me sjellje suicidale të përsëritura. Prania e një aleli L te triptofan hidroxalaza mund të shkaktojë kapacitet të ulur të saj për të kaluar në 5-hidroksitriptofan gjatë procesit të sintezës së serotoninës, pra sintetizim të reduktuar, duke shkaktuar kështu qarkullim të ulur qendror të serotoninës, për rrjedhim edhe përqendrime të ulura të saj në LCS. Edhe këto studime mbështesin hipotezën e uljes së niveleve të serotoninës në personat suicidalë Faktorët e rrezikut për suicid Njohja dhe trajtimi me kompetencë profesionale dhe me seriozitetin e duhur, i faktorëve që mund të rrisin rrezikun për suicid te personat e ndryshëm, përbën një nga detyrat më të rëndësishme në praktikën klinike të mjekut psikiatër si edhe të pjesës tjetër të stafit psikiatrik. Rreziqet e kryerjes së një vetëvrasjeje ose të një homocidi përbëjnë dy nga urgjencat më madhore në psikiatri, mbasi ashtu si infarkti akut i miokardit ose hemoragjia cerebrale apo ndonjë patologji organike tjetër vdekjeprurëse, marrin jetë njerëzish. Hapi i parë në parandalimin e suicidit është njohja dhe identifikimi i faktorëve të rrezikut, domethënë i atyre faktorëve që rrisin mundësinë për të bërë vetëvrasje, megjithëse nuk janë shkaqe të domosdoshme. Më poshtë paraqitet lista e faktorëve të rrezikut për suicid dhe një diskutim mbi pjesën kryesore të tyre.


Seksi. Vlerësimi i suicideve në meshkujt dhe femrat e të të gjitha moshave ka treguar se burrat kryejnë vetëvrasje 4 herë më shpesh se gratë, ndërsa gratë bëjnë 4 herë më shumë se burrat tentativa suicidale. Një nga shpjegimet për këtë ndryshim, lidhet me qenien më kurajozë të burrave si edhe me mundësitë më të mëdha fizike të tyre për të ndërtuar skemën e suicidit. Mosha. Shpeshtësia e suicideve rritet me kalimin e moshës. Piku i suicideve për burrat është pas moshës 45 vjeç, kurse për gratë numri më i madh i suicideve komplete ndeshet pas moshës 55 vjeç. Të moshuarit kryejnë më pak tentativa suicidale se më të rinjtë, por të rinjtë janë më të suksesshëm në realizimin e suicideve.


Megjithëse të moshuarit përbëjnë vetëm 10% të popullësisë totale, ata shpjegojnë 25 % të suicideve. Përqindja e atyre mbi moshën 75 vjeç është 3 herë më e madhe se e të rinjve. Është konstatuar se shpeshtësia e suicideve midis të rinjve rritet shumë shpejt, veçanarisht në meshkujt 15-24 vjeç, ndërsa te femrat e të njëjtës grup-moshë rritet më ngadalë se sa te meshkujt. Adoleshentët dhe adultët e rinj shpesh përjetojnë strese, konfuzion dhe depresion për shkak të rrethanave që ndeshen në familjet, shkollat dhe në komunitetet e tyre. Ndjenja të tilla mund t’i trondisin ata dhe t’i çojnë në vlerësimin e suicidit si “zgjidhje”. Në dekadën e fundit shpeshtësia e suicideve te burrat e moshës 25-34 vjeç është rritur rreth 30 %. Suicidi renditet në vendin e tretë të shkaqeve të vdekjeve në grup-moshat 15-24 vjeç (pas aksidenteve dhe homocideve) dhe numri i tentativave suicidale në këtë grup-moshë shkon 1-2 milion në vit. Aktualisht më shumë suicide ndeshen midis moshave 15-44 vjeçare. Rraca. Një ndikim të veçantë në shpeshtësinë e vetëvrasjeve ushtron edhe rraca njerëzore.


Dy prej tri suicideve kryhen nga meshkujt e bardhë. Përqindja e suicideve midis të bardhëve ka qenë rreth dy herë më e lartë se te të gjitha grupet e tjera, por shpeshtësia e suicideve midis rracës së zesë është në rritje e sipër Feja. Shpeshtesia e suicideve ndryshon edhe sipas besimeve fetare të ndryshme. Historikisht përqindjet e suicideve midis popullsisë katolike ka qenë më e ulët se midis protestanëve dhe çifutëve.
Bindjet kulturore ose fetare siç është, p.sh., besimi se “suicidi është një zgjidhje e mrekullueshme e dilemës personale”, ndikojnë në rritjen e shpeshtësisë së vetëvrasjeve. Statusi martesor. Martesat e fuqizuara nga lindja e fëmijëve duket se pakësojnë rëndësishëm rrezikun për suicid. Shpeshtësia e suicideve te të martuarit është 11/100,000, kurse për beqarët kjo shifër gadi dyfishohet, më e madhe është në personat e ve (24/100,000), kurse te të divorcuarit është 40/100,000. Burrat e divorcuar (69/100,000) bëjnë shumë më tepër suicide në krahasim me gratë e divorcuara (18/100,000). Një variant i suicideve në familje janë të ashtuquajtuarit suicidet përvjetor, kur personat që kryejnë suicid e ralizojnë atë në ditën kur kanë lindur.


Profesioni. Thuhet se përgjithësisht puna i mbron njerëzit nga suicidi. Profesionistët, veçanarisht mjekët, tradicionalisht konsiderohen në rrezik më të lartë për suicid, por studimet e fundit nuk zbuluan rrezik të rritur për suicid te mjekët meshkuj mbi 25 vjeç në SHBA. Shpeshtësia vjetore e suicideve të tyre rezulton rreth 36/100.000. Ndërsa të dhëna të fundit për Mbretërinë e Bashkuar dhe Skandinavinë tregojnë se përqindja e suicideve për mjekët meshkuj është 2-3 herë më e madhe se te meshkujt e popullsisë së përgjithshme të së njëjtës moshë. Edhe mjeket femra në SHBA kanë rrezik më të lartë për suicid (41/100.000) se gratë e tjera mbi 25 vjeç (12/100,000). Studimet tregojnë se mjekët që kryejnë suicid vuajnë nga një çrregullim mendor dhe më të zakonshme janë çrregullimet depresive dhe varësia nga substancat. Mjekët femra dhe meshkuj e kryejnë më shpesh vetëvrasjen me mbidozim substancash dhe më rrallë me armë zjarri se sa popullsia e përgjithshme.


Barnat që i gjejnë me lehtësi, dhe njohuritë shkencore mbi toksicitetin e tyre, janë faktorë të rëndësishëm në realizimin e suicideve. Mjekët psikiatër konsiderohen me rrezik më të lartë për suicid, pasuar nga oftalmologët dhe anesteziologët. Gjithashtu popullsi e veçantë në rrezik janë muzikantët, dentistët, oficerët e zbatimit të ligjeve, juristët dhe agjentët e sigurimeve. Në të vërtetë vihet re prirja drejt një barazimi të rrezikut për vetëvrasje midis të gjitha specialiteteve.


Përqindja e suicideve rritet gjatë rënieve ekonomike, kohëve me papunësi të lartë, rënieve në nivelin e punësimit dhe gjatë luftrave.
Mënyrat. Shumica e burrave përdorin si mënyrë vetëvrasjeje armët e zjarrit, varjen në litar ose hedhjen nga lartësitë, kurse gratë marrin më shpesh substanca psikoaktive me mbidozim ose helme, por edhe përdorimi i armëve të zjarrit është në rritje. Nga 24,672 vdekje nga suicidi të burrave në vitin 2001, 60% ishin realizuar me armë zjarri (Anderson and Smith 2003). Në shtetet me ligje të rrepta kontrolli të armatimeve, përdorimi i armëve të zjarrit si metodë suicidesh është ulur. Përgjithësisht metoda më e zakonshme e kryerjes së suicideve është varja.


Klima. Nuk është zbuluar ndonjë lidhje e rëndësishme stinore me suicidet. Sjellja suicidale e mëparshme. Tentativat suicidale të kryera në të kaluarën janë ndoshta treguesi më i mirë që pacienti është në rrezik të rritur për suicid. Rreth 40 % e pacientëve depresivë, që kryejnë suicid, kanë bërë më parë tentativa suicidale. Rreziku për një tentativë të dytë suicidale është më i lartë brenda tri muajve nga përpjekja e parë. Depresioni është shkak jo vetëm i suicideve, por edhe i përpjekjeve serioze për suicid. Studimet tregojnë se sa më serioze ose të rrezikshme të jenë tentativat për vetëvrasje të të sëmurëve, aq më i madh është numri dhe rëndesa e simptomave depresive. Si rrjedhojë rreziku për të kryer suicid është shumë më i madh.


Mënyrat. Shëndeti fizik. Prania e një sëmundje fizike te personat suicidalë ndikon shumë në kryerjen e suicidit. Studimet pas vdekjes tregojnë se sëmundjet fizike janë të pranishme në 25-75 % të të gjitha viktimave të suicidit dhe se janë faktorë kontribues të rëndësishëm në 11-51 % të suicideve të kryera.


Kanceri i gjirit ose i organeve gjenitale u zbulua në 70 % të grave që kryejnë suicid. Sëmundjet e përgjithshme, që rrisin rrezikun për suicid janë epilepsia, skleroza multiple, traumat e kokës, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundja Huntington, demenca dhe AIDS-i. Po kështu disa patologji endokrine, ku futen sëmundja Cushing, sindroma Klinefelter dhe porfiria, lidhen me rrezik të rritur për suicid. Të gjitha këto sëmundje lidhen me çrregullimet e humorit. Dy sëmundje gastrointestinale, ulcera peptike dhe ciroza hepatike, kanë rrezik të rritur për suicid dhe të dyja ndeshen më shpesh midis personave me varësi nga alkooli. Të njëjtin efekt në këtë drejtim japin edhe hipertrofia e prostatës, e trajtuar me prostatektomi dhe insuficienca renale, e trajtuar me hemodializë. Edhe te këto dy sëmundje mund të ndeshen ndryshime humori.
Efektet e drejtpërdrejta të sëmundjeve organike, që kontribuojnë në shpeshtësinë e suicideve dhe në tentativat suicidale, janë mungesa lëvizshmërisë, veçanarisht kur aktiviteti fizik është i rëndësishëm për profesionin ose argëtimin; shëmtimi fizik, sidomos i grave, dhe dhimbjet kronike të rënda. Përveç këtyre, efektet sekondare, si ndërprerja e marrëdhënieve me të tjerët dhe humbja e statusit profesional, janë faktorë prognostikë. Nga ana tjetër, disa barna si rezerpina, kortikosteroidet, antihipertensivët dhe disa antikancerozë që përdoren për mjekimin e sëmundjeve të tilla,mund të shkaktojnë depresion, i cili nganjëherë ka mundësi të çojë deri në suicid.


Shëndeti mendor.
Pothuajse 95 % e personave që kryejnë suicid ose bëjnë tentativa suicidale kanë një çrregullim mendor të diagnostikuar. Rreziku për suicid i pacientëve psikiatrikë është 3-12 herë më i lartë se i njerëzve normalë. Faktorët psikiatrikë me rëndësi të madhe për shkaktimin e suicideve janë çrregullimet depresive, skizofrenia, abuzimi me substanca dhe çrregullimet e tjera mendore. Çrregullimet depresive përbëjnë 80 % të tyre, skizofrenia mbi 10 % dhe demenca me deliriumin 5 %. Rreth 25 % pacientëve me çrregullime mendore janë gjithashtu me varësi alkoolike, pra kanë diagnozë të dyfishtë.
Shkalla e rrezikut për vetëvrasje ndryshon në varësi të moshës, seksit, diagnozës dhe të qenies shtruar në spital ose në kushte ambulatore. Pacientët psikiatrikë, femra dhe meshkuj, që kanë qenë disa kohë shtruar në spital, kanë 5-10 herë rrezik më të lartë për suicid se popullsia e përgjithshme. Kjo reflekton faktin se pacientët me çrregullime të rënda mendore kanë prirje të hospitalizohen më shumë. Një përqindje e vogël, por e rëndësishme e pacientëve psikiatrikë e kryejnë suicidin ndërsa janë të shtruar në spital. Midis pacientëve psikiatrikë ambulatorë, periudha pas daljes është koha kur rritet rreziku për suicid.
Ekzistojnë diferenca të rëndësishme në shpeshtësinë e suicideve midis të rinjve dhe të vjetërve me diagnoza psikiatrike dhe ngjarje stresante të mëparshme. Një studim i kryer në San Diego të Kalifornisë tregoi se abuzimit me substanca dhe çrregullimi antisocial i personalitetit janë diagnozat më të shpeshta midis personave që kryejnë suicid nën moshën 30 vjeç, kurse mbi moshën 30 vjeç janë çrregullimet e humorit dhe çrregullimet kognitive.


Studimet gjithnjë e më shumë raportojnë se pacientët psikiatrikë që kryejnë suicid priren të jenë relativisht të rinj. Sipas një studimi mosha mesatare e suicideve në meshkuj rezultoi 29.5 vjet dhe në gra 38.4 vjet. Kjo rënie relative shpjegohet pjesërish me shpërthimin në moshë të re të skizofrenisë dhe të  çrregullimit depresiv madhor, të cilat shkaktojnë mbi gjysmën e këtyre suicideve.
Çrregullimet depresive janë diagnozat më të zakonshme që shoqërohen me suicide, megjithëse përparimet psikofarmakologjike gjatë 25 viteve të fundit mund të kenë reduktuar rrezikun për suicid midis pacientëve depresivë.


Afërsisht 10-15 % e të sëmurëve me depresione madhore vrasin veten gjatë jetës, kurse 20-25 % e tyre bëjnë tentativa suicidale.
Shpeshtësia e suicideve e pacientëve me çrregullime humori është 400/100,000 në pacientët meshkuj dhe 180/100,000 në femrat.
Mendohet se 60 % e vetëvrasjeve kryhen nga të sëmurë të tillë. Studimet tregojnë mbi 1/3 e pacientëve depresivë që kryejnë suicid e realizojnë atë brenda 6 muajve pas daljes nga spitali, me sa duket në kushte recidive të sëmundjes.


Rreziku për suicid është i lartë edhe midis pacientëve me skizofreni. Mbi 10 % e tyre vdesin nga suicidi. Në SHBA 4000 pacientë skizofrenikë në vit kryejnë vetëvrasje. Shumica e tyre e realizojnë atë gjatë 5 viteve të para të sëmundjes, pra në moshë të re. Studimet e bazuara në spitale tregojnë se simptomat depresive, pasojë e humorit depresiv ose edhe e depresionit postskizofrenik, janë të pranishme në të paktën e 2/3 të pacientëve me skizofreni që kryejnë suicid. Vetëm një përqindje e vogël e suicideve kryhen për shkak të zërave halucinatore ose për t’i shpëtuar deluzioneve të persekutimit. Edhe ndërgjegjësimi i mirë i sëmundjes, i kombinuar me ndjenat e humbjes së shpresave e të aftësive të mëparshme dhe të dhënat për funksionim të mirë premorbid, rrisin rrezikun për vetëvrasje. Pas daljes nga spitali skizofrenët mund të përjetojnë ndjenjë fatkeqësie ose kthimin në vështirësitë e vazhdueshme. Si rezultat ata bëhen të trishtuar, kanë mungesën e shpresës për të ardhmen, bien në gjendje mërzitjeje, prandaj i kryejnë më shpesh suicidet.
Deri në 15 % e të gjithë personave me varësi alkoolike kryejnë suicid dhe 40 % bëjnë tentativa suicidale. Shpeshtësia e suicideve të tyre mund të shkojë deri në 270/100,000 në vit. Rreth 80 % e viktimave suicidale të varësisë alkoolike janë meshkuj. Mendohet se 50-75 % e këtyre pacientëve vuajnë nga depresioni madhor, madje mund të ndeshen edhe çrregullime ankthi, të personalitetit, etj. Grupi më i madh i personave me varësi alkoolike janë pacientët me çrregullim antisocial të personalitetit. Studimet tregonë se pacientë të tillë mund të kryejnë suicid, të abuzojnë me substanca të ndryshme dhe të shfaqin sjellje impulsive, agresive e kriminale.Rrezik i rritur për suicid është zbuluar edhe midis abuzuesve me substanca të tjera, sidomos me heroinë dhe kokainë. Shpeshtësia e suicidit në persona me varësi nga heroina është rreth 20 herë më e lartë se e popullsisë së përgjithshme. Mundësia e sigurimit të substancave, përdorimi intravenoz, çrregullimi i antisocial i personalitetit shoqërues, stili kaotik i jetës dhe impulsiviteti janë disa prej faktorëve që i predispozojnë personat me varësi nga substancat për sjellje suicidale, sidomos kur ata janë disforikë, depresivë ose të intoksikuar.


Afërsisht 3- 9 % e personave me çrregullime personaliteti kryejnë vetëvrasje, domethënë 7 herë më shpesh se sa popullsia e përgjithshme.
Çrregullimet e personalitetit mund të ndikojnë në shtimin e sjelljeve suicidale duke shërbyer si faktor predispozues për çrregullime mendore të rënda (çrregullime agresive ose varësi nga alkooli), duke shkaktuar vështirësi marrëdhëniesh dhe përshtatjeje sociale si dhe precipituar ngjarje jetësore të padëshirueshme, duke dëmtuar aftësinë për t’u përballur me çrregullimet fizike e mendore si dhe krijuar konflikte me personat që i rrethojnë (anëtarët e familjes, mjekët, etj). Në vetëvrasje përfundojnë më shpesh personat me çrregullime personaliteti të tipit kufitar, shmangës, antisocoial (5 %) dhe skizoid.
Tentativa suicidale të pasuksesshme bëhen afërsisht nga 20 % e pacientëve me çrregullime paniku ose fobi sociale. Kur pacientët të tillë vuajnë njëkohësisht edhe nga depresioni rreziku për të realizuar vetëvrasjen rritet.


Faktorët mbrojtës
Janë identifikuar disa faktorë mbrojtës të njerëzve nga rreziku për suicid, të cilët janë:
1) kujdesi klinik efektiv për çrregullimet mendore, fizike dhe për abuzimin me substanca.
2) lehtësia për të siguruar një sërë ndërhyrjesh dhe mbështetjesh klinike të nevojshme.
3) mbështetja familjare dhe komunitare.
4) mbështetje të vazhdueshme nga kujdesi shëndetësor dhe mendor.
5) aftësitë në zgjidhjen e problemeve, konflikteve dhe reagimi jo i dhunshëm ndaj debateve.
6) bindjet kulturore dhe fetare që dekurajojnë vetëvrasjet dhe mbështesin instinktin e vetëmbrojtjes.

Parashikimi i suicideve
Parashikimi sa të jetë e mundur i rrezikut për të kryer vetëvrasje nga njerëz të ndryshëm ka një rëndësi të veçantë, sepse mundësitë e parandalimit janë më të mëdha. Në këtë mënyrë stafi psikiatrik mund të ndodhet një hap përpara veprimeve të personave suicidalë. Klinicistët duhet të vlerësojnë rrezikun e pacientëve për vetëvrasje mbi bazën e ekzaminimit klinik. Faktorët që ndikojnë në kryerjen e suicideve ndahen në faktorë me rrezik të lartë dhe faktorë me rrezik të ulur.
Me rrezik të lartë janë mosha mbi 45 vjeç, seksi mashkull, varësia alkoolike, sjellja e dhunshme, tentativa suicidale e mëparshme dhe shtrimet në spitale psikiatrike. Parashikuesit që lidhen me rrezikun për suicid (22) paraqiten në pasqyrën e Sjellja parasuicidale Disa persona, që janë duke planifikuar kryerjen e vetëvrasjes, kanë një sjellje të veçantë, e cila po të analizohet me kujdes mund të çojë në zbulimin e disa tipareve që të bëjnë të dyshosh për rrezikun e afërt të veprimeve suicidale.
Një sjellje e tillë konsiderohet presuicidale dhe ka këto shënja:
1) të përmendurit e shpeshtë të aktit të vetvrasjes;
2) përpjekjet e mëparshme për suicid;
3) ndryshimet e menjëhershme dhe të theksuara të sjelljes;
4) të braktisurit pa shkak i shkollës, i punës, i shokëve ose miqve, i aktiviteteve dhe shpërndarja e pasurisë personale si dhe
5) lënia me shkrim e amaneteve ose arësyeve të vetëvrasjes.

Qëndrimi ndaj vetëvrasjeve
Qëndrimi ndaj vetëvrasjeve, në varësi nga koha dhe kulturat, varion nga dënimi deri në tolerancë, madje deri në ligjërimin e tyre. Ka rryma të ndryshme në botë që mbrojnë idenë se suicidi është një “veprim i arsyeshëm”, një e drejtë e njeriut për të vendosur se kur duhet të vdesë. Kundërshtarët e të drejtës për të kryer vetëvrasje, sidomos teologët kristianë e argumentojnë qëndrimin e tyre me bindjen se vetëvrasja është në kundërshtim me prirjen e natyrshme të njerëzve për të jetuar, se një njeri nuk ka të drejtë ta privojë shoqërinë nga prania dhe veprimtaria e tij dhe se njeriu i përket Zotit, prandaj vetëm ai mund të vendosë se kur është koha për të vdekur. Akoma më e papranueshme është vetëvrasja për një pacient, të cilin e shtyn sëmundja mendore drejt suicidit. Pra ai nuk ka logjikën normale për të gjykuar mbi jetën e tij. Me gjithë këto në vitin 1993, në 47 shtete të SHBA-së, u vu në zbatim ligji në mbrojtje të dëshirës për të vdekur të personave që vuajnë nga sëmundje të pakurueshme ose duke autorizuar një person-kujdestar për të marrë vendim për jetën e tyre, kur ata vetë nuk janë në gjendje ta bëjnë (suicidet e asistuara).
Kurse në vitin 1998, në Hollandë u aprovua ligji i eutanazisë.

Nga: Prof. Asc. Dr. Vuksan KOLA



Main menu 2