Jump to Navigation

Kumtesë për media nga MSH Kundrejt Reagimit te FSSHK-së

E Enjte 15 Mars 2012 15:26


Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës vlerëson se reagimi i sotëm i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës lidhur me Udhëzimin Administrativ që rregullon çështjen e licencimit të profesionistëve të huaj mjekësor për të ofruar shërbime shëndetësore në Kosovë është një reagim i pavend, në kundërshtim me Kontratën Kolektive Sektoriale, neni 33.1 dhe jashtë fushëveprimit të vet kësaj marrëveshjeje midis MSh-së dhe FSSHK-së.


Udhëzimi Administrativ i nxjerrë nga MSh ka të bëjë ekskluzivisht me sigurimin e shërbimeve cilësore shëndetësore për qytetarët e vendit, zvogëlimin e informalitetit në sektorin privat, stimulimin e investimeve të huaja në shëndetësinë kosovare, shtimin e mundësive për trajnimin e punëtorëve shëndetësor të vendit, avancimin e sektorit privat shëndetësor dhe rritjen e konkurrencës midis dy sektorëve, në funksion të sigurimit të shërbimeve shëndetësore që nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore, si dhe sigurimin e shërbimeve shëndetësore sa më cilësore dhe më të lira për qytetarët e vendit.

Për Ministrinë e Shëndetësisë, prioritet ekskluziv është interesi i pacientit kosovar, ndërsa të gjitha interesat e tjera janë sekondare karshi kësaj.



Main menu 2