Jump to Navigation

Rezonanca Magnetike

Imazheria e rezonancës magnetike është një ekzaminim mjekësor jo invaziv, i padhembshëm që ndihmon mjekët në diagnostikimin e sëmundjeve të ndryshme kur metodat e tjera radiologjike janë të pamjaftueshme.
Rezonanca Magnetike, pra RM, përdor fushë të fuqishme magnetike, valë radioje dhe një kompjuter për të prodhuar pamje të detajuara të organeve, indeve të buta, kockave dhe virtualisht të gjitha strukturave të tjera të brendshme të trupit. RM nuk përdor rrezatim të jonizuar (rrezet x).
Imazhet e detajuara të RM i mundësojnë mjekut të vlerësojë më mirë pjesët e trupit dhe sëmundje të veçanta që nuk mund të përcaktohen në mënyrë të përshtatshme me metodat e tjera të imazherisë si rreze x, ultratingujt ose tomografinë e kompjuterizuar (e quajtur edhe CT ).
Aktualisht RM është ekzaminimi më i ndjeshëm i imazherisë së kokës (veçanërisht trurit) rutinë në praktikën mjekësore.
RM është zgjidhja më e mirë për ekzaminimin e:
• Artikulacioneve kryesore të trupit si gjuri, shpatulla, kyçi i dorës e i këmbës etj
• shtyllës kurrizore për sëmundje të diskut
• indeve te buta të ekstremiteteve (muskujt dhe kockat)

Cilat janë disa nga përdorimet e zakonshme të procedurës?
Rezonanca Magnetike e kokës kryhet për të ndihmuar diagnostikimin e:
• tumoreve të trurit
• anomalive të zhvillimit të trurit
• patologjive vaskulare të kokës (p. sh. aneurizmat)
• çrregullimet e syve dhe të veshit të brendshëm
• infarktit cerebral
• pacientët e traumatizuar (në pacientë të veçantë)
• sëmundjet e gjëndrës së hipofizës
• disa çrregullime kronike të sistemit nervor siç është skleroza multiple
Rezonanca Magnetike e sistemit muskuloskeletal përdoret për të diagnostikuar apo vlerësuar:
• çrregullimet degjenerative të kyçeve, siç është artriti, këputjet e meniskut (gjurit)
• frakturat (në pacientë të veçantë)
• patologjitë e kyçeve për shkak të traumave (p. sh. këputje e tendinit)
• patologjitë e diskut spinal (p. sh, hernia diskale)
• dëmtimin e shtyllës kurrizore pas traumave
• dëmtimet e lidhura me sportin dhe çrregullimet e lidhura me punën të shkaktuara nga sforcimi i përsëritur, vibrimi ose goditjet e fuqishme
• infeksionet (p. sh. osteomieliti)
• tumoret (p. sh. tumoret fillestare dhe metastazat) që përfshijnë kockat dhe kyçet
• dhimbjen, ënjtjen ose hemorragjinë në indet brenda dhe përreth kyçeve dhe kockave
Rezonanca Magnetike gjithashtu përdoret për të diagnostikuar:
• tumoret e kraharorit, abdomenit ose pelvisit
• sëmundjet e arteries koronare dhe problemeve të zemrës, përfshirë aortën, arteriet koronare dhe enët e gjakut, ekzaminimi i përmasave dhe trashësisë së dhomave të zemrës dhe shtrirja e dëmtimit e shkaktuar nga infarkti i miokardit (MI) ose sëmundje progresive e zemrës.
• patologjitë funksionale dhe anatomike të zemrës.
• tumoret dhe anomalitë e tjera të organeve riprodhuese (p. sh. uterusin, ovaret, testikujt, prostatën).
• lezione të mëlçisë ose organeve të tjera (kur diagnoza nuk arrihet me teknika të tjera).
• anomali dhe sëmundje vaskulare, arteriale dhe venoze kongjenitale (p. sh. arteroskleroza) të kraharorit, abdomenit dhe pelvisit (Angiografia RM).
• patologjitë e tëmthit dhe rrugëve hepatobiliare (MRCP) si alternative e ERCP invazive.
Rezonanca Magnetike e gjirit ofron informacion të vlefshëm rreth shumë patologjive të gjendrës mamare që nuk mund të merren përmes modaliteteve të tjera të imazherisë, siç janë mamografia dhe eko e gjirit duke çuar në diagnozën e saktë.
Rezonanca Magnetike e gjithë trupit (whole body MR) është kontrolli i plotë i trupit nga koka deri tek gishti i këmbës duke përdorur sistemin modern TIM të RM dhe përdoret në zbulimin e metastazave në pacientët kur njihet fokusi primar malinj dhe anasjelltas, për të gjetur shkallën e përhapjes dhe lokalizimin e patologjive infiltrative të palcës së kurrizit, patologjitë infiltruese të palcës kockore, për të gjetur shkallën e perhapjes në sëmundjet muskulare si polimiozit dhe sëmundje të tjera sistemike, si alternativë e shintigrafise dhe PET-CT.

Si duhet të përgatiteni për procedurën?
Mund t’ju kërkohet të vishni një përparëse gjatë ekzaminimit ose mund t’ju lejohet të mbani veshur rrobat tuaja nëse ato janë të lirshme dhe nuk kanë kapëse metalike.
Nëse nuk ju është këshilluar të veproni ndryshe, ju mund të vazhdoni më rutinën tuaj të përditshme dhe të merrni mjekimin tuaj si zakonisht.
Disa ekzaminime të RM mund të kërkojnë që pacienti të pijë lëndë kontrasti ose t’I injektohet me rrugë intravenoze. Ju lutemi të vini në dijeni radiologun ose teknikun që do të kryejë egzaminimin për forma të mundshme alergjie siç mund të jenë urtikarie, astma alergjike, ose alergji nga ushqime apo medikamente të ndryshme. Megjithatë lënda e kontrastit e përdorur në egzaminimin e RM, i quajtur gadolinium, nuk përmban jodinë dhe ka pak mundësi për të shkaktuar reaksion alergjik.
Radiologu gjithashtu duhet të dijë nëse keni ndonjë problem serioz me shëndetin dhe çfarë operacionesh keni kryer. Disa patologji, siç është sëmundja e veshkave dhe anemia drepanocitare (sickle cell anemia) mund të pengojë të kryeni RM me lëndë kontrasti.
Gratë duhet të informojnë mjekun e tyre ose teknikun radiolog për ndonjë shtatëzani të mundshme. Për shkak se rreziku i ekzaminimit RM tek fetusi është i panjohur, rekomandohet që ky ekzaminim të kryhet vetëm në raste të domosdoshme.
Nëse ju keni klaustrofobi (frikë nga hapësirat e mbyllura) ose ankth, ju mund të kërkoni nga mjeku juaj t’ju japë një qetësues të lehtë.
Bizhuteri dhe aksesorë të tjerë duhet të lihen në shtëpi nëse është e mundur, ose të hiqen para ekzaminimit me RM. Për shkak se mund të ndërhyjë me fushën magnetike të njësisë së RM-së, objektet metalike dhe elektronike nuk lejohen në dhomën e ekzaminimit. Këto sende përfshijnë:
• bizhuteri, ora, karta krediti ose aparate dëgjimi te cilat mund të dëmtohen nga fusha magnetike
• kapëse flokësh, zinxhirë metalikë dhe sende të tjera të ngjashme metali, të cilat
ulin efektin diagnostikues te imazheve
• Proteza dentare të lëvizëshme
• stilolapsa, thika xhepi dhe syze
Në pjesën më të madhe të rasteve një ekzaminim RM është i padëmshëm për pacientët me implante metalike,me perjashtim të disa llojeve. Njerëzit me implantet e mëposhtme nuk mund të hyjnë në zonën e RM-së:
• implant defibrilator
• implant koklear (i veshit)
• klipse aneurizmatike
Ju duhet t’i tregoni teknikut nëse keni pajisje mjekësore ose elektronike në trupin tuaj, për shkak se ato mund të prishin cilësinë e egzaminimit ose të paraqesin rrezik për jetën. Shembujt përfshijnë:
• valvulë artificiale të zemrës
• kateter infuzioni
• pajisje intrauterine (sterile)
• pajisje elektronike të implantuara si pacemaker kardiak
• proteza metalike të artikulacioneve ose anesive
• kapëse metali, vida, pllaka ose kllapa kirurgjikale.
Në përgjithësi, objektet metalike të përdorura në kirurgjinë ortopedike nuk paraqesin rrezik gjatë RM-së. Megjithatë, një proteze artikulare vendosur pak kohë më parë mund të kërkojë përdorimin e një procedure tjetër imazherie. Nëse ka ndonjë pikëpyetje për prezencën e tyre, duhet të bëhet një radiografi për të zbuluar prezencën e ndonjë objekti metalik.
Punonjësit që merren me përpunimin e metaleve ose të tjerë që dyshohen për mbetje metalike në trupin e tyre mund të kenë nevojë për një ekzaminim radiografik përpara RM-së. Bojërat e përdorura për tatuazhe mund të përmbajnë hekur dhe mund të nxehen gjatë RM-së, por rrallë përbëjnë problem. Mbushjet e dhëmbëve dhe telat rrallë mund të preken nga fusha magnetike por ato dëmtojnë cilësinë e imazheve të zonës së fytyrës ose të trurit, kështu që radiologu duhet të vihet në dijeni për to.

Çfarë pamje ka pajisja e RM?
Njësia tradicionale e RM është në formën e një tuneli cilindrik muret e të cilit përbëhen nga një magnet rrethor. Ju do të shtriheni në një tavolinë të lëvizshme ekzaminimi që rrëshqet në qendër të magnetit.
Qendra kompjuterike që përpunon informacionin e imazhit është e vendosur në një dhomë të veçantë (dhoma e kontrollit).

Si funksionon procedura?
Ndryshe nga ekzaminimet konvencionale me rreze x dhe tomografia e kompjuterizuar (CT), RM-ja nuk ka radiacion. Ajo përdor fushën magnetike e cila përfitohet nga rryma elektrike.
Ndërkohë që ju rrini shtrirë brenda njësisë së RM-së, valët e radios drejtohen tek protonet në zonën e trupit tuaj që do të studiohet. Nën ndikimin e fushës magnetike, këto protone ndryshojnë pozicionin e tyre, duke prodhuar sinjale që kapen nga bobinat.
Më pas një kompjuter përpunon sinjalet dhe prodhon një seri imazhesh secila prej të cilave tregon një shtresë të hollë të trupit që më pas përpunohen në pamje 3 dimencionale shumëplanëshe.
Për shkak se protonet janë më të shumtë në molekulat e ujit, imazhet RM tregojnë diferenca në përmbajtjen e ujit në inde të ndryshme të trupit. Si rrjedhim, RM është veçanërisht e përshtatshme për të zbuluar çrregullimet në zonat e sëmura të trupit, për shembull, zonat e prekura nga tumoret, infeksionet dhe inflamacionet të cilat ndikojnë në prishjen e ekuilibrit të lëngjeve në qelizë dhe jashtë saj. Në përgjithësi, diferencimi i indeve anormale (të sëmura) nga indet normale është veçanërisht me i lehtë me RM sesa me modalitetet e tjera të imazherisë siç janë rrezet x, CT dhe ultratingujt.

Si zhvillohet procedura?
Ju do të vendoseni mbi një tavolinë të lëvizshme ekzaminimi. Rripa dhe lidhëse mund të përdoren për t’ju ndihmuar të qëndroni pa lëvizur dhe të mbani pozicionin e duhur gjatë marrjes së imazheve.
Pajisje të vogla të quajtura koile ose bobina, të afta për të dërguar dhe marrë vale radioje, mund të vendosen përreth zonës së trupit që do të ekzaminohet.
Nëse do të përdoret një lëndë kontrasti në ekzaminimin e RM, një infermiere ose teknik do të vendosë një tub intravenoz (vigon) në venën e dorës apo krahut tuaj.
Lënda e kontrastit ka për t’u injektuar nëpërmjet vigonit pas një seri skanimesh. Seri të tjera të imazheve do të merren pas injeksionit.
Kur ekzaminimi të ketë përfunduar, mund t’ju kërkohet të qëndroni derisa mjeku radiolog të kontrollojë imazhet, në rast se do të nevojitet të marrë imazhe të tjera.
Ekzaminimi i plotë zakonisht përfundohet brenda 30 minutave.
Spektroskopia RM, e cila ofron informacion shtesë për metabolitet prezentë në qelizat e trupit, mundet të zhvillohet gjithashtu gjatë ekzaminimit RM dhe do t’i shtojë rreth 15 minuta kohës së ekzaminimit.

Çfarë provon pacienti gjatë dhe pas procedurës?
Ekzaminimi me RM është pa dhimbje.
Megjithatë, disa pacientë mund të mos rrinë dot pa levizur për sa kohë kryhet ekzaminimi. Të tjerët provojnë ndjenjën e të qenit mbyllur brenda (klaustrofobinë). Në raste të tilla mund të aplikohen qetësues apo anestezi për pacientët anksioze dhe femijët e vegjël.
Është normale që pjesa e trupit që po ekzaminohet të ndihet lehtësisht më e ngrohtë, por nëse ju shqetëson, njoftoni radiologun ose teknikun. Është e rëndësishme që të qëndroni plotësisht pa lëvizur gjatë regjistrimit të imazheve, që zakonisht zgjat nga disa sekonda deri disa minuta çdo herë. Ju do të kuptoni se po regjistrohen imazhe sepse do të dëgjoni tinguj goditës nga aparatura. Ju do të mund të qetësoheni ndërmjet seancave të imazheve.
Do të jeni vetëm në dhomën e ekzaminimit gjatë RM, megjithatë tekniku do të mund t’ju shohë, dëgjojë dhe flasë me ju gjatë gjithë kohës duke përdorur komunikimin me dy drejtime. Nëse dëshironi mund t’ju lejohet një mik ose i afërm të qëndrojë me ju në dhomë gjatë egzaminimit.
Ju mund të kërkoni kufje për të kufizuar zhurmën e aparaturës gjatë skanimit. Aparatura jonë e RM është me e pajisur me ajër të kondicionuar dhe e ndriçuar mirë. Gjithashtu është e pajisur me muzikë për t’ju ndihmuar të kaloni kohën dhe të mos dëgjoni zhurmat. Kur injektohet lënda e kontrastit, është normale të ndjeni ftohje dhe një rrjedhje për një ose dy minuta. Agia intravenoze mund t’ju shkaktojë parehati kur vendoset dhe kur hiqet, mund të keni edhe mavijosje.
Nëse nuk keni marrë qetësues apo anestezi, nuk është e nevojshme të qëndroni pas egzaminimit për të marrë veten. Ju mund ti ktheheni rutinës së përditshme menjëherë pas egzaminimit. Pak pacientë mund të kenë efekte anësore nga lënda e kontrastit, siç mund të jenë të përzierat dhe dhimbja lokale. Shumë rrallë, pacientët janë alergjikë ndaj materialit të kontrastit dhe kanë urtikarie dhe kruarje të syve.
Rekomandohet që nënat që ushqejnë me gji fëmijët, të mos e bëjnë një gjë të tillë për 36 deri 48 orë pas RM me lëndë kontrasti.

Cilat janë përfitimet krahasuar me rrezikun?
Përfitimet
• Rezonanca Magnetike është një teknikë jo-invazive e imazherisë që nuk përfshin ekspozimin ndaj radiacionit.
• Imazhet e RM të trurit dhe strukturave të tjera kraniale janë më të qarta dhe më të detajuara se me metodat e tjera të imazherisë. Ky detaj e bën RM një mjet të pazëvendësueshëm në vlerësimin e shumë patologjive te trurit, përfshirë dhe tumoret.
• RM gjithashtu jep informacion funksional (fRM) të zonave të ndryshme të trurit.
• RM mundëson zbulimin e patologjive që maskohen nga kocka me metodat e tjera të imazherisë.
• RM është ekzaminimi më i ndjeshëm për tumoret e trurit.
• Angiografia RM (ARM) jep imazhe të detajuara të enëve të gjakut në tru – pa nevojën e lëndës së kontrastit.
• RM e indeve të buta të trupit – siç është zemra, mëlçia dhe shumë organe të tjera – kanë një ndjeshmëri të madhe për të identifikuar dhe karakterizuar patologjitë dhe lezionet lokale në krahasim me metodat e tjera të imazherisë. Ky detaj e bën IRM një mjet të pazëvendësueshëm në diagnostikimin e hershëm dhe vlerësimin e shumë lezioneve fokale dhe tumoreve.
• RM është provuar si metoda më e vlefshme në diagnostikimin e shumë patologjive përfshirë kancerin, sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut dhe ato të sistemit muskuloskeletal.
• RM jep informacion të detajuar jo vetëm për strukturën e një organi po edhe për funksionin e tij.
• RM- MRCP i lejon mjekut të vlerësojë tëmthi, pankreasin dhe rrugët hepatobiliare në mënyrë jo-invazive dhe pa injektim kontrasti.
• RM ofron një alternativë të shpejtë, joinvazive për diagnostikimin e problemeve të zemrës dhe gjithë sistemit kardiovaskular.
• Lënda e kontrastit e përdorur në ekzaminimet e RM ka më pak mundësi të prodhojë reaksione alergjike sesa kontrastet me bazë jodine të përdorura në radiografinë konvencionale më rreze x dhe CT.

Rreziqet
• Razonanca Magnetike nuk paraqet ndonjë rrezik për pacientin kur ndiqen udhëzimet përkatëse të sigurisë.
• Nëse përdoret qetësuesi, mund të ketë rrezik për mbidozë të qetësuesit. Teknologu ose infermierja monitorojnë shenjat tuaja të jetës për të minimizuar rrezikun.
• Megjithëse fusha e fortë magnetike nuk është e dëmshme në vetvete, pajisjet mjekësore që përmbajnë metale mund të keq-funksionojnë ose të shkaktojnë probleme gjatë një ekzaminimi RM.
• Ka një rrezik shumë të vogël për reaksion alergjik nëse injektohet lende kontrasti. Reaksione të tilla janë zakonisht të lehta dhe kontrollohen mirë nga medikamentet. Ka gjithashtu një rrezik të vogël për infeksion në vendin e injektimit. Fibroza nefrogjenike është aktualisht nje komplikacion i rrallëi RM që mendohet të shkaktohet nga injektimi i disa (por jo të gjitha) kontrasteve të RM në pacientë me funksionim të dobët të veshkave.

Cilat janë kufizimet e Rezonances Magnetike?
• Imazhet e cilësisë së lartë arrihen vetëm nëse mundet të qëndroni plotësisht pa lëvizur kur regjistrohen imazhet. Nëse jeni në ankth, konfuzë apo keni dhimbje të mëdha mund të jetë tepër e vështirë për të qëndruar plotësisht pa lëvizur gjatë marrjes së imazhit.
• Një person që është tepër obez, mund të mos hyjë në hapësirën e makinerisë se RM.
• Prezenca e një implanti ose objekti metalik shpesh e bën të vështirë të merren imazhe të qarta dhe lëvizjet e pacientit mund të kenë të njëjtin efekt.
• Frymëmarrja mund të dëmtojë cilësinë e imazheve gjatë RM së gjoksit, abdomenit dhe pelvisit. Në këto raste do t’ju kërkohet të mbani frymën disa herë.
• Kontrolli i mushkërive është i kufizuar.
• RM nuk rekomandohet përgjithësisht për pacientët që sapo janë dëmtuar. Kjo sepse pajisjet tërheqëse dhe pajisjet e reanimacionit nuk duhet të hyjnë në zonën ku merren imazhet. Për më tepër, ky ekzaminim merr më shumë kohë se modalitetet e tjera të imazherisë (më tipike rreze x dhe CT) dhe rezultatet mund të mos jenë të disponueshme menjëherë siç është shpesh e nevojshme në situatat e traumave.
• Megjithëse nuk ka asnjë arsye për të besuar se rezonanca magnetike dëmton fetusin, efektet e fushës së fortë magnetike nuk janë kuptuar mirë. Për këtë arsye gratë shtatzëna zakonisht këshillohen të mos bëjnë një ekzaminim RM nëse nuk është i nevojshëm nga ana mjekësore.
• Zbulimi i kalciumit (në tumore dhe inde të tjera) është i kufizuar ne RM.
• RM mund të kërkojë më shumë kohë në krahasim me modalitetet e tjera të imazherisë.



Main menu 2