Jump to Navigation

Indet me funksion trofik dhe mbrojtës

1. Gjaku përbëhet prej pjesës së lëngëshme – plazma, dhe prej pjesëve që janë elementet e formuar të suspenduar në të.
Elementët e formuar që ndodhen në plazmë janë tre lloje: a) rruazat e kuqe të gjakut (eritrocitet) pa bërthamë dhe paraqiten si transportues të oksigjenit; b) rruazat e bartha të gjakut (leukocitet), të cilat gëzojnë levizje ameboidale, në sajë të të cilave ato mund të dalin (të migrojnë) nga enët, të përfshijnë e të tresin pjesët e vogla të ndryshme, p.sh. qelizat e vdekura, bakteret etj. Ky funksion i quajtur fagocitozë ka një rëndësi të veçantë për rezistencën që i bën organizmi sëmundjeve (imuniteti); c) pllakat e gjakut (trombocitet), kanë rëndësi të veçantë në koagulimin e gjakut.

2. Limfa, si edhe gjaku, përbëhet prej plazmës dhe prej elementëve të formara, por në të mungojnë eritrocitet dhe për këtë arsye ajo është pa ngjyrë.
Gjaku dhe limfa bëjnë pjesë në indet e lëngëshme të mjedisit të brenshëm; substanca e tyre e ndërmjetme është lëngu.

3. Indi retikular përbëhet prej qelizash në formë ylli, të cilat formojnë me zgjatimet e tyre një rrjetë (reticulum), dhe gëzojnë veti fagocitare. Në ansat e rrjtës mund të qëndrojnë limfocitet dhe atëherë këtë ind e quajmë indi limfoidik. Ai përbën bazën e nyjeve limfatike, të shpretkës dhe organeve të tjerë që gëzojnë aftësi për fagocitozë.

4. Indi lidhor. Substanca ndërmjetëse e tij përbëhet prej fijesh të cilat predominojnë mbi qelizat. Fijet janë të bashkuar në dy tufa – kolagenë ose ngjitëse dhe elastikë (si rrjedhim i refraktimit tepërt të rrezeve kanë pamje të shkëlqyeshme).
Indi konjuktival, sipas shtrirjes, epërsisë së fijeve dhe karakterit të qelizave mund të ndahet në këto lloje:
a) Indi jo i formuar fibrilar i shkrifët, ose tesuti celular (fijet shtrihen jo në mënyrë të rregullt, në drejtime të ndryshme), mbush boshllëqet ndërmjet organeve (indi ndërmjetës, interstium – distancë), dhe futet brenda organeve duke formuar bazën e tyre (stromën);
b) Indi dhjamor përmban shumë qeliza të mbushura me dhjamë, në disa vende luan rolin e jastëkut elastik, që kundërvepron presionin , si dhe ka rëndësi për termo-regulacionin;
c) Indi pigmentoz përmban pigment, që ndodhet në membranën vaskulare (korioiden) e syrit, qeliza pigmentoze të veçanta – në shtresën e indit lidhor të lëkurës.
Indet me funksion mbështetës
d) Indi lidhor fibroz i formuar (fibrilar) përbëhet prej tufash, të cilat gjenden pranë njëra-tjetrës të mbushura me fije kolagjene, të cilat shkojnë paralelisht në drejtim të forcës tërheqëse të tyre, për shëmbull në tendinat dhe ligamentet, të cilët formohen nga një ind i ketillë. Indi lidhor fibrilar i formuar mund të arrijë fortësi shumë të madhe, por elasticiteti i tij nuk është aq i madh.
e) Indi elastik përbëhet prej një numri të madh fijesh elastike, të cilat formojnë rrjetë dhe membrana. Muret e enëve, si dhe disa ligamente janë shumë të pasura me ind elastik, i cili i jep atyre një nuancë të verdhë. Indi elastik në sajë të elasticitetit te tij mund të tërhiqet dhe të lirohet si gomë; ai ndeshet në ato vënde ku ndodhin shpesh herë tërheqje dhe kontraktime, për shembull në ligamentet elastike, enët.

5. Indi kërcor ka një konsistencë të fortë elastike të veçantë. Ai përbëhet prej qelizash dhe prej një sasie të konsiderueshme substancë intersticiale. Në bazë të karakterit të kësaj të fundit, dallojmë kërc hialinoz, fibrilar dhe elastik. Substanca intersticiale e kërcit hialinoz ( me pamje xhami) në dukje është homogjene; në shtresat e trasha ajo na kujton  xhamin opak ( prej këtej ka ardhur edhe emri), ndërsa në prerjet e holla është tërësisht transparent. Kërci fibrilar, dallohet nga ai kercor (hialinozi) nga fakti që në substancën instersticiale të tij shtrihen tufa fijesh të ngjitëshme prej indi lidhor që i japin atij një fortësi të madhe në krahasim me kërcin hialinoz. Kërci elastik, që është aq i përhapur në organizëm, përmban në substancën e tij intersticiale një rrjetë prej fijesh elastike.

6. Indi kockor është indi më i fortë dhe i qëndrushëm në gjithë organizmin; përsa i përket qëndresës së tij atë e tejkalon disa herë vetëm adamantina e dhëmbit. Sipas kërkimeve të Rauber-it, fortësia e kockës në terheqje i afrohet fortësisë tunxhit dhe çelikut, ndërsa fortësia sipas shtëngimit i afrohet fortësisë së hekurit, tejkalon katër-pesë herë fortësinë e gurit gëlqeror dhe dy herë fortësinë e gneisit dhe granitit në shtypje. Indi kockor fortësinë e tij ia detyron substancës intersticiale, e cila përbëhet prej fijesh të holla të ngjitëshme të mbushura me kripra kalciumi. Në substancën kockore kryesore shtrihen qeliza kockore të vogla në formë ovale, të pajisura me zgjatime të shumta ( hollësira mbi ndërtimin e kockës studio osteologjinë). Një lloj të veçantë të indit kockor paraqet dentina, e cila formon bazën dhëmbit. Dentina dallohet nga kocka kryesisht nga se nuk përmban qeliza në shtrashësinë e vet. 



Main menu 2