Jump to Navigation

Anatomia e Njeriut

Anatomia e njeriut është shkenca që studion formën dhe strukturën e organizmit të njeriut, merret me ligjet e dinamikës të kësaj strukture në lidhje me funksionin dhe mjedisin që e rrethon atë.
Anatomia e vjetër deskriptive vendoste përpara saj objektin-problem “Si është ndërtuar organizmi i njeriut?”.  Ajo kufizohej vetëm  në përshkrimin e strukturës prej nga mori edhe emrin e saj. Anatomia deskriptive analizonte formën jo në lidhje me funksionin  dhe nuk synonte të zbulonte ligjet  e zhvillimit të organizmit. Megjithatë, shkenca në zhvillimin e saj kalon në dy faza kryesore:

1- Faza përshkruese që merret me grumbullimin e fakteve, përshkrimin dhe sintetikën e tyre;
2- Faza e përgjithësimit të fakteve të grumbulluara, të sistemimit dhe zbulimit të ligjësive.
Për këtë arsye, edhe anatomia e sotme mundohet jo vetëm që t’i përshkruaj faktet, por edhe t’i përgjithësoj ato.
Në qoftëse për anatominë e vjetër përshkruese qëllimi ka qënë përshkrimi, në anatominë e sotme përshkrimi u bë një nga metodat për studimin e strukturës. Magjithatë, anatomia e sotme mundohet të sqarojë jo vetëm “si” është ndërtuar organizmi, por edhe “pse” ai është ndërtuar në këtë formë. Për t’iu përgjigjur pyetjes së dytë ajo analizon si lidhjet e brendëshme, ashtu edhe lidhjet e jashtme të organizmit.
Organizmi i njeriut  nuk paraqet një diçka të ngrirë, të derdhur në një formë krejtësisht të mbaruar, por zhvillohet  e ndryshon vazhdimisht që nga çasti i lindjes e deri në atë të vdekjes. Për këtë arsye anatomia nuk studion vetëm ndërtimin e njeriut të rritur të sotëm, por analizon edhe se si është formuar organizmi i njeriut në zhvillimin e tij të vazhdueshëm. Në këtë këndvështrim shkencor anatomia përqëndrohet në:               

1- Zhvillimin e llojit njerëzor në proçesin e evolucionit të kafshëve – filogeneze        (phylon-gjini, genesis-zhvillim) dhe prejardhjen e njeriut – antropogeneza (anthropos-njeriu) & për këto shfrytëzohen të dhënat e anatomisë krahasuese;  2- Proçesin e zhvillimit të njeriut të sotëm në raport me zhvillimin e shoqërisë, dhe për këtë shfrytëzohen  sidomos të dhënat e antropologjisë; 3- Proçesin e zhvillimit të individit – ontogeneza (onthos-individ) gjatë gjithë jetës së tij – uterine (embriogenezës) dhe ekstra uterine, nga lindja deri në momentin e vdekjes. Për këtë qëllim përdoren të dhënat e embriologjisë dhe “anatomia moshatare”.
Studiohen edhe format individuale dhe seksuale të gjinisë, strukturës dhe pozicioni i trupit dhe i organeve që e formojnë atë, si dhe raportet topografike të tyre.
Si rezultat anatomia studion organizmin e njeriut si tërësi, që zhvillohet duke patur si bazë ligje të caktuara nën influencën e kushteve të brendëshme dhe të jashtme gjatë gjithë evolucionit të tij. Një studim i tillë i strukturës së organizmit njerëzor, përbën karakteristikën evolutive të anatomisë. I gjithë studimi i anatomisë së njeriut nuk paraqitet i thjeshtesuar, por i bazuar në principet e unitetit të teorisë dhe të praktikës dhe i shërben qëllimeve të mjekësisë si edhe kulturës fizike.

Veçoritë deskriptive evolutive dhe funksionale paraqiten si anë të ndryshme të një anatomie të vetme. Karakteristika më e rëndësishme e anatomisë është veprimi dhe zbulimi i ligjeve të ndërtimit dhe të zhvillimit të organizmit me qëllim zbatimin në organizmin njerëzor në atë drejtim që është i nevojshëm për zhvillimin e favorshëm dhe harmonik të njeriut.
Meqënëse materiali anatomik është i madh dhe ka vështirësi në studimin e organizmit, ky i fundit studiohet në fillim sipas sistemeve dhe për këtë arsye anatomia ka marrë edhe emrin sistematikë. Duke e studiuar organizmin sipas sistemeve, ne e ndajmë atë artificialisht në pjesë të tij, duke përdorur metodën analitike.

Për t’a kuptuar organizmin në tërësi është e nevojshme që të përdoret edhe metoda e sintezës. Sinteza e dijeve anatomike bëhet gjatë proçesit të tërë të kursit të studimit të anatomisë, duke zbuluar lidhjet e formës me funksionin dhe duke studiuar strukturën në aspektin e zhvillimit të saj nën ndikimin e faktorëve të jashtëm dhe të brendëshëm. Në mbarim të kursit të anatomisë të gjithë sistemet studiohen së bashku, ashtu siç ekzistojnë në organizmin e gjallë. Në këtë rast i kushtohet vëmendje raporteve reciproke të tyre dhe veçanërisht me sistemin nervor, i cili e bashkon organizmin në një tërësi të vetme.
Krahas anatomisë sistematike, ekziston edhe anatomia topografike, e cila studion raportet e organeve (në hapsirë) në zona të ndryshme të trupit dhe që ka rëndësi direkte të aplikueshme në klinikë veçanërisht për kirurgjinë praktike dhe për këtë arsye e quajmë gjithashtu edhe anatomi kirurgjikale.
Për të kënaqur nevojat e arteve figurative (piktura dhe skulptura),  shërben  anatomia plastike, e cila studiohet në institucionet mësimore artistike.
Për derisa anatomia ka të bëjë me studimin e organizmit normal, të shëndoshë, ajo quhet anatomi normale me ndryshim nga anatomia patologjike, e cila studion organizmin e sëmurë dhe ndryshimet patologjike të organeve të tij.

Lidhjet që ekzistojne në organizmin e tërë mund të zbulohen vetëm kur krahasohen të dhënat e anatomisë me të dhënat e tjera të degëve të ngjashme me të.
Njeriu paraqitet si produkti më i lartë i  zhvillimit të materies së gjallë. Për këtë arsye, që të kuptohet struktura e tij duhet të përdorim të dhënat e biologjisë që është shkenca e ligjeve të krijmit dhe të zhvillimit të natyrës së gjallë. Sikurse njeriu paraqitet si një pjesë e natyrës së gjallë, ashtu edhe shkenca, që studion strukturën e tij, d.m.th. anatomia, është pjesë e biologjisë.
Për të kuptuar strukturën e organeve nga pikëpamja e lidhjes së formës me funksionin, anatomia përdor të dhënat e fiziologjisë që është shkenca e aktivitetit jetik të organizmit. Në këtë kuadër biologjia ndahet në morfologji, që është shkenca që studion formën dhe në fiziologji, që është shkenca që studion funksionin.
Anatomia dhe fiziologjia studiojnë aspektet e ndryshme të të njëjtit organizëm njerëzor në tërësi dhe për këtë qëllim përdoren metoda të ndryshme dhe trajtim të ndryshme: anatomia metodën morfologjike kurse fiziologjia metodën funksionale.

“Anatomia  e bashkuar me Fiziologjinë është mbretëresha e mjekësisë”              (A.P. Valter, 1853). Të këtilla janë marrëdhëniet reciproke të këtyre dy degëve gjinore, të cilat paraqiten si alfa dhe omega e dijeve mjekësore. Me qënë se  nuk mund të shkëputet forma e jashtme e organeve nga struktura e brendëshme e tyre atëherë anatomia është e lidhur ngushtë me Histologjinë, e cila është shkenca që merret me indet dhe zhvillimin e tyre – anatomia mikroskopike. Anatomia makro dhe mikroskopike në esencë paraqesin një shkencë e cila është e ndarë në dy degë për sa i përketë teknikës së analizës. Megjithatë, specifiteti i metodave të analizës (mikroskopi), materiali dhe ligjet e veçanta të zhvillimit të indeve, të qelizave dhe të substancës jo qelizore, detyruan që të ndahet histologjia në një disiplinë të veçantë.



Main menu 2