Jump to Navigation

Keni probleme me gjirin?

Ju duhet të ambientoheni me të mësuarit për të kontrolluar periodikisht vetë gjirin tuaj duke u parë në  pasqyrë për të konstatuar në se në ata kanë ndryshuar ndonjë gjë në përmasa, në trajtë, në simetri, për ndonjë deformim të pamjes së tyre, për ndonjë prishje të lëmueshmërisë së lëkurës së tyre, për ndonjë ndryshim në uniformitetin e konsistencës nëpërmjet prekjes, shtypjes apo kapjes lehtazi të masës së gjinjve me anë të gishtave të dorës e deri në zonën e sqetullave për të prekur ndonjë gjëndër nën sqetulla. Koha më e mirë për të ekzaminuar gjinjtë është menjëherë pasi ju kanë lënë menstruacionet. Prekja e kokrrizave të shpërndara uniformisht janë të padëmshme por nganjëherë ato mund të jenë shkaktuar edhe nga tumoret kanceroze. Disa gjendje të dyshimta që lidhen me ushqyerjen me gji zakonisht i përgjigjen mirë një trajtimi të thjeshtë.

Ja disa nga rrethanat që krijojnë probleme në gjinjtë tuaj:
1. Në se jeni duke ushqyer ndonjë fëmijë dhe konstatoni në brendësi të gjirit ndonjë xhungë të vogël e të fortë, kjo gjë mund të vijë nga bllokimi i kanaleve të qumështit. Në se kjo xhungë nuk është zhdukur brenda javës dhe gjiri bëhet i dhimbshëm dhe i skuqur atëherë duhet të kontaktoni me ndonjë mjek. Në se gjiri juaj zmadhon dimensionet deri dy herë më tepër, ënjtet, bëhet i fortë, tensionohet dhe për më tepër edhe kur gjendja juaj e përgjithshme nuk është e mirë atëherë mund të keni një mbi mbushje me qumësht të gjinjve sidomos në se jeni me lindjen e parë dhe fëmija është në inkubator. (Breast Engorgement). Në këtë rast këshillohet të mos shtrydhet gjiri, sepse po të mirren disa masa paraprake si mbajtja e gjinjtë në sytienë të përshtatshëm në ngrohtësi dhe në kushte komodë dhe duke pirë ndonjë paracetamol dhe tek një fëmijë që është i dobët dhe i paaftë të thithë qumështin, duke bërë veprime inkurajuese që ai të mund të marrë gjirin në intervale të rregullta sa më shpejt të jetë e mundur, lehtësimi do të vijë brenda disa ditëve. Sidoqoftë, në raste të veçanta mund të tentohet një shtrydhje e lehtë me duar ose me pompë. Në se shenjave të mësipërme u shtohet edhe skuqja e pjesshme ose e plotë e gjirit në formë trekëndëshi dhe diçka tutje thithave atëherë mund të keni infeksionin e gjirit (Mastitis) ose (Abscess). Në këtë rast duhet brenda 24 orëve të konsultoheni me mjekun tuaj dhe ndërkohë mos e ndërpritni dhënien e qumështit në të dy gjinjtë.
2. Në se jeni duke ushqyer ndonjë fëmijë dhe konstatoni një zbutje ose plasaritje të thithave vetëm gjatë dhënies së gjirit, kjo shkaktohet nga që fëmija nuk është pozicionuar ashtu siç duhet gjatë dhënies së gjirit. Duke e mbajtur fëmijën në një pozicion jo të përshtatshëm, ai nuk e mbërthen plotësisht thithën prandaj nevojitet që fëmijën ta mbajmë në mënyrë të tillë që goja e fëmijës ta mbështjellë mirë thithën. Në se acarimi dhe dhimbja e thithave mban gjatë gjithë kohës atëherë kjo mund të vijë nga plasaritja e thithave (Cracked Nipples). Mbani thatë thithat në kohën midis ushqyerjeve dhe mund ti lyeni ato me pomada zbutëse.
3. Në se keni një xhungë të brendshme dhe njëra prej thithave ka ndryshuar formën apo trajtën mund të mos jetë ndonjë sëmundje serioze (Breast Lumps), (Abnormal Nipples). Sidoqoftë, për të përjashtuar ndonjë kancer gjiri (Breast Cancer), këto shenja duhen marrë seriozisht.
4. Një xhungë e brendshme e padhembshme, poshtë një lëkure me pamje si lëvorja e portokallit, me futje nga brenda e thithave dhe me sekrecionet me rrema gjaku mund të jenë shenjat një kanceri gjiri (Breast Cancer) i cili po mos të trajtohet mund të lëshojë metastaza në gjëndrat e sqetullave, mushkëri, mëlçi dhe kocka. Prandaj në dyshimet e para duhet bërë mamografia. Në këtë rast gjiri mbahet e fiksuar midis pllakës së poshtëme të rrezeve dhe kapakut të sipërm.
5. Shkaqet e sekrecioneve nga thithat (Nipple Discharge), janë të ndryshme dhe fillojnë nga shkaqe normale e deri në një problem lokal apo hormonal.
6. Në se ndjeni butësi ose tensionim apo fortësim të gjinjve, kjo mund të vijë si rezultat i disa ndryshimeve hormonale që po ndodhin në trupin tuaj që ju paralajmërojnë se p.sh. që brenda 10 ditësh do tu vijnë menstruacionet (Premenstrual Sindrome) ose që jeni shtatzënë.



Main menu 2