Jump to Navigation

Realizohet për herë të parë në Shqipëri implanti koklear i veshit

Spitali Amerikan në bashkëpunim me Universitetin e Vjenës dhe Qendrën Spitalore Universitare, realizuan për herë të parë në Shqipëri dhe rajon implantin koklear të veshit.
Arritja e madhe në fushën e mjekësisë, i solli fatin e shumëdëshiruar vajzës katër vjeçe e lindur pa aftësi dëgjimi, dhe 57-vjeçarit, i cili e kishte humbur dëgjimin totalisht gjatë viteve të fundit.             
Ekipi i përbërë nga Prof. Dr. Wolfgang Gstottner, nga Universiteti i Vjenës, Dr. Dritan Vasili dhe Dr. Edlira Beqiri nga Spitali Amerikani dhe Prof. Dr. Pjerin Radovani nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, kanë kryer ndërhyrjen kirurgjikale të implantit koklear të veshit tek dy pacientët e parë: një vajzë 4 vjeçe e lindur pa aftësi dëgjimi dhe një zotëri 57 vjeç, i cili kishte humbur dëgjimin totalisht gjatë viteve të fundit. Dy implantet e para, të realizuara me sukses në Spitalin Amerikan, janë fryt i punës së gjatë të ekipit të këtij spitali në bashkëpunim me klinikën e ORL pranë QSUT. Një kontribut të veçantë në realizimin e kësaj ndërhyrjeje ka firma Austriake MED – EL që ka dhuruar për këta dy pacientë aparaturën e implantit. Operacioni i vogëlushes u realizua edhe me mbështetjen e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë që drejtohet nga Liri Berisha.
Këto dy implante janë të parët e shumë implanteve të tjera kokleare që realizon Spitali Amerikan.



Main menu 2