Jump to Navigation

Keni ngjirje apo humbje zëri?

Ngjirja e papritur e zërit është një simptomë i zakonshëm i infeksionit të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes që përfshin larynksin dhe kordat vokale. Infeksione të tilla shkaktohen thuajse gjithmonë nga viruset. Ngjirja apo humbja graduale e zërit në më të shumtat e rasteve shkaktohet nga mbipërdorimi i zërit, pirja e duhanit dhe më rrallë nga kanceri i laringut.
Kujdes! Në rastet kur ngjirja apo ndryshimi i timbrit të zërit zgjat në më shumë se 2 javë, atëherë është mirë që të konsultohemi me ndonjë mjek për të përjashtuar fillimin e zhvillimit të një kanceri të larinksit.

Ja disa nga shkaqet që mund të shkaktojnë ngjirjen apo humbjen e zërit:
1. Në se keni mbi një javë ngjirje zëri dhe pini duhan atëherë ju mund të keni Laryngitis, një inflamacion kronik i kordave vokale të fytit. Në njerëz që konsumojnë rregullisht duhanin, një tjetër mundësi është edhe kanceri i larinksit (Cancer of the larynx).
2. Në se keni mbi një javë ngjirje zëri, dhe ndjeni lodhje, keni tharje dhe ashpërsim të lëkurës, mbindjeshmëri ndaj të ftohtit dhe rritje të pashpjegueshme të peshës, ju mund të keni rënie të funksionit të gjëndrës tiroide (Hypothyroidism).
3. Në se keni mbi një javë ngjirje zëri dhe ndërkohë keni një profesion të tillë që kërkon mbipërdorim të zërit si p.sh. këngëtar, aktor apo mësues ju mund të keni nyje në kordat e zërit ose infeksion të këtyre kordave (Laryngitis).
4. Në se brenda një jave ju keni sekrecione nga hundët, teshtima, kollë dhe acarim të fytit atëherë këtë pezmatim të kordave të zërit mund ta ketë shkaktuar një infeksion viral i fytit. Në këtë rast ju rekomandohet thithje të avujve të ujit. Në se nuk ndjeheni më mirë brenda dy ditësh duhet të konsultoheni me ndonjë mjek.
5. Në se brenda një jave ju keni kënduar dhe keni përdorur zërin më tepër se zakonisht atëherë në këtë rast ju rekomandohet thithje të avujve të ujit. Në se nuk ndjeheni më mirë brenda dy ditësh duhet të konsultoheni me ndonjë mjek.
6. Në rast se brenda një jave, ju keni ndenjur në një ambient ku është pirë shumë duhan, atëherë në këtë rast ju rekomandohet thithje të avujve të ujit. Në se nuk ndjeheni më mirë brenda dy ditësh duhet të konsultoheni me ndonjë mjek.
7. Në rast se brenda një jave, ju keni thithur pluhur, gazra apo tymra të ndryshëm, kjo gjë mund të dëmtojë rëndë rrugët respiratore prandaj është mirë të komunikoni urgjentisht me ndonjë mjek.



Main menu 2