Jump to Navigation

Keni harresë apo pështjellim?

Shpesh njerëzit bëhen harraqë në se ata kanë shumë punë për të bërë. Kjo gjë është pjesë e natyrshme e procesit të vepruarit. Pështjellimi është paaftësia për të menduar qartë; këtu mund të përfshihet edhe harresa. Në se këto ankesa bëhen aq të mëdha sa të atakojnë jetën e përditshme ju duhet të konsultoheni me ndonjë mjek.

Kujdes! Duhet ti telefononi menjëherë një mjeku në se dikush papritmas duket shumë i pështjelluar dhe i çorientuar në kohë e hapësirë apo kur ndokush thotë se dëgjon apo shikon gjëra që në fakt nuk evidentohen.
Ja disa nga shkaqet që mund të shkaktojnë harresën apo pështjellimin:
1. Një nga këto shkaqe mund të jetë ndonjë dëmtim të mëparshëm të kokës (Head Injuries) dhe në këtë rast duhet patjetër t’i telefononi doktorit tuaj.
2. Në se nuk keni pasur dëmtim të kokës por ankoheni se keni pamje të turbullt, mpirje, mornica apo dobësi në ndonjë anë të trupit, marrje mendsh apo humbje të vetëdijes, vështirësi në të folur dhe në se këto shenja vazhdojnë gjatë, ju mund të keni një aksident akut vaskular në tru (Stroke) dhe po qe se këto shenja me kalimin e kohës fillojnë të lehtësohen atëherë ju mund të keni një atak vaskular provizor në tru (Transient Ischaemic Attack). Sidoqoftë, në të dyja rastet ju duhet të njoftoni urgjencën mjekësore.
3. Ethja, dhe sidomos një temperaturë e lartë mbi 39 C mund të japë në vetvete një gjendje pështjellimi. Sidoqoftë këtu mund të futen edhe disa sëmundje serioze që shoqërohen me temperaturë të lartë si ajo e mushkërive që quhet Pneumonia etj.
4. Një sëmundje zemre si p.sh. pamjaftueshmëria kronike e zemrës (Chronic Heart Failure) apo edhe e sëmundjes kronike të mushkërive (Chronic Obstructive Pulmonary Disease) mund të çojnë në gjendje pështjellimi si pasojë e pamjaftueshmërisë së oksigjenimit të trurit.
5. Edhe vetë sëmundja e sheqerit (Diabetes Mellitus) me fenomenet e ngritjes tej mase të nivelit të sheqerit (Hyperglycaemia) apo edhe me uljet e mëdha të shifrave të sheqerit në gjak (Hypoglycaemia) mund të jetë shkak pështjellimi.
6. Teprimi me pirjen e alkoolit mund të shkaktojë jo vetëm pështjellim por deri edhe humbje të memories.
7. Edhe marrja e ndonjë ilaçi mund të shkaktojë gjendjen e pështjellimit prandaj edhe në këtë rast duhet të këshilloheni me ndonjë mjek.
8. Në se personi është i moshuar dhe shikoni se fenomeni i harresës dhe i pështjellimit vjen duke u shtuar gradualisht dhe për më tepër vihen re edhe ndryshime të personalitetit, tendenca për mospërkujdesje ndaj higjienës personale dhe paaftësi për manovruar në jetën e përditshme atëherë mund të jemi para një sëmundje degjeneruese të trurit (Dementia). Sidoqoftë edhe mërzitma (Depression) mund të japë simptoma të tilla.



Main menu 2