Jump to Navigation

Mamografia

Në ditët e sotme, kanceri i gjirit mund të trajtohet me sukses të konsiderueshëm. Kërkimet suedeze kanë përparuar në zhvillimin e trajtimit të formave të kancerit të gjirit. Rezultatet e trajtimit janë përmirësuar së tepërmi duke bashkuar përpjekjet dhe burimet nga trajtimi mjekësor, kirurgjik dhe me rrezatim. Zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit e bën trajtimin si më të lehtë, ashtu dhe më efikas.
Ekzaminimi mamografik, apo mamograma, është një grafi e gjirit që kryhet me rreze iks. Mamograma kryhet për:
• Gratë që bëjnë kontrollin shëndetësor apo ekzaminimin.
• Gratë që kanë vënë re vetë anomali/gunga ose që kanë simptoma të tjera të gjirit. Ato janë referuar për mamografi nga doktori.
• Gratë që kryejnë kontrolle vjetore pas operacioneve.

Ekzaminimi mamografik
Në ditët e sotme, të gjitha grave brenda një intervali të caktuar moshe u ofrohet ekzaminim mamografik. Çdo këshill rrethi përkatës vendos se në cilin interval moshe duhet kryer ekzaminimi. Bordi Kombëtar i Shëndetit dhe i Asistencës Sociale rekomandon që këshillat e rretheve të ofrojnë ekzaminim mamografik për gra të moshës 40 deri 74-vjeç në interval 18-mujor nëse janë më të reja se 55 vjeç dhe në interval 2-vjeçar nëse janë mbi 55 vjeç. Në Vestra-Gëtaland, drejtuesit kanë vendosur për një interval 21-mujor midis ekzaminimeve mamografike për të gjitha grupmoshat.

Si kryhet procedura?
Në ekzaminimin mamografik nxirren dy grafi me rreze iks për secilin gji nga dy kënde të ndryshme. Gjiri ngjishet midis dy pllakave për pak sekonda. Ngjeshja e gjirit është e nevojshme për të përftuar një figurë të mprehtë e të qartë. E gjithë procedura kërkon vetëm pak minuta dhe kryhet nga personel i trajnuar për ekzaminime mamografike.
Grafitë me rreze iks, apo filmat, lexohen në vijim nga radiologu, një doktor i specializuar për mamografi. Të gjitha mamografitë vlerësohen nga dy radiologë tërësisht të pavarur. Ky quhet lexim i dyfishtë dhe shton besueshmërinë dhe saktësinë e leximit.
Ndonjëherë ndodh që grafia me rreze iks duhet të kryhet për herë të dytë. Nëse radiologu kërkon grafi shtesë dhe nëse zbulohet ndonjë ndryshim ose anomali në gji, ju do të njoftoheni dhe do të thirreni për ekzaminime të mëtejshme mamografike dhe mbase dhe për teste të tjera kontrolluese. Në rast se thirreni, kjo nuk do të thotë detyrimisht që keni kancer në gji. Pas ekzaminimit mamografik, rezultatet ju dërgohen drejtpërdrejt në adresën tuaj brenda dy deri tre javësh.
• Ekzaminimi i rregullt mamografik mundëson, në shumicën e rasteve, zbulimin e kancerit të gjirit më shpejt se ç’mund ta kuptoni vetë. Kanceri i gjirit që diktohet që herët, rrallë përbën kërcënim për jetën. Kërkimet shkencore tregojnë se vdekshmëria nga kanceri i gjirit mund të ulet me 30-45% përmes kryerjes së ekzaminimeve mamografike.
• Asnjë metodë diktimi e kancerit të gjirit nuk është 100% e saktë dhe as mamografia nuk përbën përjashtim. Me raste, anomalitë në mamografi mund të duken të dyshimta, por me ekzaminimin e mëtejshëm rezultojnë se nuk janë kanceroze. Kjo ndodh përafërsisht në dy raste për çdo 100 mamografi. Si rregull nevojiten vetëm pak mamografi të tjera dhe rëndom kërkohet një ekzaminim me ultratinguj për vlerësimin përfundimtar. Disa herë mund të nevojitet dhe biopsi si dhe, megjithëse shumë rrallë, një operacion i vogël në gji.
• Ekzaminimi mamografik nuk mund të diktojë të gjitha tumoret kanceroze – disa ndodhin dhe gjatë intervalit midis një mamografie negative dhe mamografive të planifikuara për t'u kryer në vijim. Kjo mund të ndodhë nëse tumori avancon me shpejtësi ose dhe nëse nuk jep shenja anomalie në mamografitë e kryera.
• Mamografitë mund të diktojnë kancerin e gjirit në stade shumë të hershme. Nuk ka të ngjarë që gjithë këto ndryshime të hershme të shndërrohen me kalimin e kohës në kancer "të rrezikshëm". Kryerja e mamografike ekzaminuese rrit shkallën e zbulimit të zhvillimit të indeve anomale ose të kancerit në stadet e tij të para, të cilat sipas gjasave nuk zhvillohen në kancer “të rrezikshëm".
• Gjatë kryerjes së mamografisë, pacientët ekspozohen ndaj një doze shumë të ulët rrezatimi. Kjo mund të krahasohet me rrezatimin e ulët nga hapësira, nga toka dhe me rrezatimin natyral nga trupi i çdo njeriu për një periudhë dymujore, ndaj të cilit ekspozohemi të gjithë. Sipas Autoritetit të Sigurisë ndaj Rrezatimit në Suedi, rreziku i lëndimeve nga rrezatimi është i papërfillshëm, si në ekzaminimet e rregullta, ashtu dhe në ato të përsëritura. Kur gjiri ngjishet, rrezet iks kanë rrugë më të shkurtër përgjatë gjirit, gjë që redukton edhe më tej dozën e rrezatimit.

Referimi për mamografi
Ekzaminimet mamografike jashtë rutinës ndodhin në rast referimi nga doktori. Të gjitha ndryshimet në gji duhen marrë seriozisht dhe duhen kontrolluar. Nëse diktoni ndryshime në gjirin tuaj, duhet të kontaktoni me qendrën shëndetësore të zonës tuaj ose me klinikat e gjirit.
Shembuj të ndryshimeve të gjirit:
• Një gungë e re në gji, ose ndryshim në konturin e gjirit.
• Shenja në lëkurë ose në majën e gjirit.
• Rrjedhje lëngu me gjak ose pa ngjyrë nga maja e gjirit.
Rezultatet e ekzaminimit i dërgohen doktorit që ka dhënë referimin.

Vetekzaminimi i gjirit
Ndonjëherë tumoret mund të shfaqen me shpejtësi. Për këtë arsye duhet të mësoni ta vetekzaminoni rregullisht gjirin tuaj. Mirë është që ekzaminimin ta kryeni në një ditë të caktuar çdo muaj. Nëse dyshoni se keni diktuar ndonjë gungë në gji, duhet të kontaktoni menjëherë me doktorin. Është e rëndësishme të kërkoni ndihmë për të përcaktuar se ç’lloj ndryshimi keni diktuar. Jo të gjitha ndryshimet e gjirit janë kancer. Tumoret e gjirit janë në të shumtën e rasteve beninje (jokanceroze) dhe jo malinje (kanceroze).



Main menu 2