Jump to Navigation

Përcaktimi i moshës së shatëzanisë

Për të përcaktuar sa më saktë moshën e shtatzanisë dhe datën e parashikuar të lindjes, duhet të përdoren të gjitha informacionet në dispozicion:
• Dita e parë e periodave të fundit • Përmasat e mitrës gjatë vizitës nga barku dhe asaj vaginale.
• Matja e gjatësisë nga fundi i mitrës deri në mes të kockës pubike.
• Matja e përmasave të bebit me anë të ekografisë (që në gjuhën popullore quhet “eko”).
• Rezultatet e vizitave ekografike.
Mosha e shtatzanisë vlerësohet duke u nisur nga dita e parë e periodave të fundit, atëhere kur kemi të bëjmë me cikle të rregullta menstruale dhe kjo ditë është e sigurt.

Kur do të lindë fëmija?
Një shtatzani normale zgjat 40 javë, nga dita e parë e periodave të fundit. 40 javë janë dhjetë muaj hënorë ose nëntë muaj kalendarike.
Nëqoftëse e mbani mend mirë ditën e parë të periodave të fundit dhe keni pasur një cikël të rregullt, bebi do të lindë normalisht pas 9 muajve e 7 ditëve nga dita e parë e periodave. Një mënyrë e shkurtër për ta llogaritur është: nga dita e parë e periodave të fundit zbriten tre muaj dhe shtohen mbi të 7 ditë. Për shembull nëse periodat e fundit kanë qenë më 7 maj, muaji i pestë, zbrit tre muaj, mberrin në 7  shkurt, i cili është muaji i dytë, shtohen 7 ditë dhe data e mundshme e lindjes rezulton 14 shkurt.

Si mundet që madhësia e mitrës të ndihmojë në përcaktimin e moshës së shtatzanisë?
1. Deri në javën e 12-të, që do të thotë tre muajshe, përmasat e mitrës janë të tilla që nuk dallohen nga barku, vetëm me vizitën gjinekologjike te mjekut ose personelit shendetësor. Ajo që ndihmon më shumë, sidomos në rast paqartësie, është ekografia.
2. Nga java 13-të deri në javën e 24-t të shtatzanisë, që do të thotë muaji i gjashtë, mitra preket mirë nga barku dhe përcaktohet me lehtësi madhësia e saj, duke matur distancën nga kocka pubike deri në fundin e mitrës.
3. Pas javës së 24-t të shtatzënisë mitra bëhet e dukshme edhe me sy të lirë, kështu që si për ju, ashtu edhe për personelin mjekësor është më i lehtë përcaktimi i madhësinë së saj në raport me moshën e shtatzanisë.

Përse është i rëndësishëm vlerësimi i madhësisë së mitrës?
Nëqoftëse rritja e mitrës nuk përputhet me rritjen e moshës së shtatzanisë, dyshohet për prapambetje të rritjes së bebit, gjë e cila shoqërohet me dëmtime të mundshme të bebit. Nëse dyshoni për diçka të tillë, duhet të drejtoheni menjëherë tek mjeku specialist, sepse vihet në rrezik jeta ose e ardhmja e bebit. Përveç kësaj dyshohet edhe për sasi të pakët të lëngut amniotik (ujrat që rrethojnë bebin), vdekje të bebit brenda në mitër, apo plasje para kohe të membranave.
Sa u tha më sipër ka vlerë për rastet kur madhësia e mitrës është më e vogël se sa duhet të ishte, në raport me moshën e shtatzanisë. Por ka raste kur kjo madhësi është më e madhe se duhet të ishte për moshën e dhënë. Në këto raste dyshohet për:
• Shtatzani me shumë fëmijë (dy ose më shumë).
• Sasi të shtuar të lëngut amniotik (ujrat që rrethojnë bebin).
• Fëmijë me peshë të madhe (mbi 4 kg.).
• Diabet të nënës.



Main menu 2