Jump to Navigation

Vaksinimi kundër Kancerit të Qafës së Mitrës

Tashmë dihet që shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës është një virus i quajtur Virusi i Papilomës Njerëzore ose HPV. Ka më shumë se 100 tipe të virusit të HPV, por vetëm 15 prej tyre janë viruse me rrezik të lartë dhe shkaktarë të kancerit të qafës së mitrës. Nga këto tipi 16 dhe 18 së bashku janë shkaktarë të pjesës më të madhe të kancerit të qafës së mitrës në të gjithë botën.
Sot shkenca ka arritur të zbulojë vaksinën kundër këtyre viruseve të HPV-së.

Çfarë është vaksina kundër HPV-së?
Vaksinat ofrojnë mbrojtje ndaj sëmundjeve infektive të rëndësishme. Ato kanë mundësuar çrrënjosjen e disa sëmundjeve infektive dhe kanë vënë në kontroll përhapjen e disa të tjerave.
Vaksinat përgjithësisht janë të mirë-toleruara nga organizmi i njeriut dhe kanë kontribuar rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë së jetës së shumë njerëzve në mbarë botën.
Në sajë të zbulimeve të vazhdueshme në shkencë dhe mjekësi, tashmë vaksinat janë në gjendje të parandalojnë kancerin e qafës së mitrës. Vaksina siguron një mbrojtje të lartë për dy tipet e virusit që janë shkaktarët më të shpeshtë të kancerit të qafës së mitrës.
Vaksina kundër HPV-së është një vaksinë jo-infektive që përgatitet nga pjesëza shumë të pastra të  ngjashme me virusin kancer shkaktues tip 16 dhe 18.

A ka vaksinë në SHQIPËRI?
Po. Fatmirësisht vaksina sot gjendet edhe në Shqipëri.
Kushdo që është i interesuar mund ta gjejë në farmaci.
Por, sigurisht përpara se të vendosni për të bërë vaksinën duhet patjetër të konsultoheni me mjekun tuaj.

Në çfarë moshe rekomandohet vaksina?
Vaksina rekomandohet të bëhet nga mosha 10 vjeç e sipër.

Si mund të përdoret vaksina kundër HPV-së?
Vaksina ekziston në formë pezullie në shiringë të parambushur për lehtësi përdorimi. Skema e parë e vaksinimit konsiston në 3 doza. Doza e parë bëhet në çdo moment. Një muaj mbas dozës së parë bëhet doza e dytë dhe mbas 6 muajve të dozës së dytë bëhet doza e tretë. E thënë pak më ndryshe në 0, 1 dhe 6 muaj.
Vaksinimi është injeksion i padhimbshëm i cili bëhet në muskul në zonën e krahut.
Vaksinimi e ul rrezikun e kancerit të mitrës, por nuk e eliminon nevojën e bërjes së Pap testit.
Paralelisht me vaksinimin duhet të vazhdojë edhe bërja e PAP testit në mënyrë periodike në përputhje me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Si përfundim mund të themi se çdo femër mund të mbrohet nga kanceri i qafës së mitrës:
• Duke u VAKSINUAR me vaksinën kundër virusit, HPV
• Duke bërë rregullisht PAP TESTIN Të dyja së bashku, vaksinimi dhe bërja rregullisht e Pap Testit ju mbrojnë ju nga kanceri i qafës së mitrës.
Vaksinimi dhe bërja rregullisht e Pap Testit ju mbrojnë ju nga kanceri i qafës së mitrës.



Main menu 2