Jump to Navigation

EKO grafia dhe kapja e hershme e Kancerit të Gjirit

Çfarë është ekografia –EKO grafia?
Imazhi i ekzaminuar me ultratinguj, ose i quajtur ndryshe ekografi-EKO grafia, nënkupton ekspozimin e një pjese të trupit ndaj frekuencave të larta të valëve zanore, për të prodhuar më pas figura apo pamje të pjesëve të brendshme të trupit. Ekzaminimet me ultratinguj nuk përdorin rrezatimet e jonizuar (sikundër përdoret ne rrezet X). Fakti që imazhet me ultratingull kapen në kohë reale, bëjnë të mundur shfaqjen e strukturës dhe lëvizjen e organeve.
Imazhet me ekografi janë një kontroll mjekësor që ndihmon në diagnostikimin dhe trajtimin mjekësor.
Kështu edhe imazhet e nxjerra nga ekzaminimi me ultratingull apo siç jemi mësuar ta ndeshim shpesh, ekografia e gjirit, na jep mundësinë e vrojtimit të strukturës së brendshme të saj.
Qëllimi kryesor i përdorimit të ekzaminimit me ultratingull të gjirit ka të bëjë me përcaktimin e diagnozës së anormalitetit të gjirit, nga mjeku ekograf gjatë një ekzaminimi të tij (siç mund të jetë një kokërr apo rrjedhje gjaku apo lengu nga thumbi i gjirit) si edhe për të përshkruar gjendje jo normale të mundshme të ekzaminuar më parë në mamografi.
Imazhi i nxjerrë në ekografi mund të ndihmojë për të përcaktuar nëse një anormalitet është i fortë (siç mund të jetë një kokërr jo kancerogjene apo një tumor kancerogjen) apo një masë e lëngshme e mbushur (siç janë kistet beninj) ose të dyja së bashku.

Cilat gra duhet të bëjnë EKO grafinë e gjirit?
EKO-n e gjirit duhet ta bëjnë gratë të cilat:
• Janë më të rriskuara për të pasur kancer të gjirit;
• Janë të ekspozuar ndaj riskut në nivel të ndërmjetëm, për shkak të historisë familjare, historisë personale me kancer të gjirit apo një biopsie paraprake që shfaq një rezultat anomalie të gjirit;
• Kanë gji të dendur;
• Kanë mbushje të gjirit me silikon dhe vetëm pak ind mund të përfshihet në mamografi;
• Janë shtatëzëna apo nuk mund të ekspozohen ndaj rrezeve X (e cila është e nevojshme për mamografinë);

Cilat janë përfitimet e EKO grafisë të gjirit?
Shumica e ekzaminimeve me ekografi janë jo shpuese, pra pa injeksione dhe pa gjilpëra dhe kryesisht pa dhimbje. Ekografia është tashmë mjaft e njohur dhe e përhapur gjerësisht, si edhe mjaft e lehtë për t’u përdorur dhe më pak e kushtueshme se sa metodat e tjera të imazherisë. Ekzaminimi me ekografi nuk përdor rrezatimin e jonizuar, i cili në raste të caktuara nuk mund të përdoret. Falë saj arrihet të kapen pamje të qarta të indeve të buta të cilat nuk shfaqen mirë tek ekzaminimet me rrezatime X.
Ekografitë na japin imazhe në kohë reale, duke e bërë atë një mjet të mirë për të na drejtuar drejt  procedurave të tjera siç janë biopsitë me gjilpërë apo aspirimet me gjilpërë. Kjo mënyrë na ndihmon gjithashtu për të përcaktuar dëmtime të gjirit edhe tek një gji i dendur. Ajo ndihmon edhe në klasifikimin e një dëmtimi të gjirit që nuk mund të interpretohet qartë vetëm me anë të mamografisë.
Duke përdorur ekografinë mjekët janë të aftë për të përcaktuar që shumë zona të dyshimta janë për shkak të një indi normal (siç mund të jetë një lob i trashë ose cisti beninj) apo jo.
Imazhet gjatë EKO grafisë janë me kontrast të lartë dhe na jep pamje të masave (kokrra) të cilat nuk mund të preken me dorë.
Ekzaminimi i kancerit të gjirit me ekografi, nuk konsiderohet thjesht si një kontroll imazherie, por si një teknologji diagnostikuese e përdorur për të pasur një pamje të afërt të zonës së gjirit për të cilën mjekët kanë ende dyshime pasi kanë bërë më parë një mamografi apo ekzaminim klinik të gjirit. Një kontroll me ekografi mund të jetë i dobishëm nëse mamografia e berë më parë na shfaq një masë jo të dalluar qartë apo një kokërr e cila mund të diagnostikohet më qartë vetëm pas një ekzaminimi ekografik.
Për shumë femra që janë 35 vjeç e lart mamografia duhet të shoqërohet edhe me një ekografi gjiri. Për femrat nën 35 vjeç vetëm një ekografi shpesh është mëse e mjaftueshme për të përcaktuar nëse një zonë ka nevojë për biopsi apo jo.
Është normale për personat të cilët nuk kanë informacion mbi funksionimin e ekografisë të mund të lindin pyetje dhe dyshime mbi njohjen e rrisqeve që kjo mënyrë diagnostikimi paraqet. Shumë shpesh madje kjo bëhet edhe pengesë apo faktor që pjesa më e madhe e tyre hezitojnë t’u drejtohen qendrave diagnostikuese për parandalimin e kancerit te gjirit.
Ndaj më poshtë po radhis edhe disa nga rrisqet që njihen apo e thënë ndryshe disavantazhet e EKO grafisë:

A ka efekte të dëmshme Ekografia?
Për diagnostikime standarde me ekografi nuk janë të njohur efekte të dëmshme tek njerëzit. Interpretimi i gjirit me ekografi na lejon për të vazhduar me proceduarat e mëtejshme siç janë ekografi të tjera dhe/ose biopsia. Shumë zona të cilat mund të jenë dyshuese mjafton të ekzaminohen me ekografi për të saktësuar këto dyshime të cilat në shumicën e rasteve rezultojnë si jo të tilla
Ndër disavantazhet e EKO grafisë është se ajo nuk mund të na japë imazhe të zonave të thella të gjirit.
Përveç kësaj kërkon mjek me eksperiencë dhe të kualifikuar, dhe mund të ketë probleme për të dalluar anormalitetet nga indet e afërta përreth saj. Gjatë EKO grafisë nuk mund të kapen mikrokalcifikimet. Shpesh pajisjet mund të kenë probleme.

Kur bëhet EKO grafia?
Qëllimi i kontrolleve me anë të imazherise siç është ekografia apo mamografia kanë të bëjnë me kapjen dhe diagnostikimin e kancereve para se ato të shfaqin shenjat e tyre. Kanceret e gjirit të ekzaminuar gjatë kontrolleve me ekografi apo mamografi janë zakonisht te përmasave të vogla dhe ende të kufizuara brenda gjirit.
Përmasa e kancerit te gjirit, si edhe përmasat e përhapjes apo shtrirjes së saj janë faktorë të rëndësishëm për të përcaktuar ecurinë e shëndetit për një grua me këtë sëmundje.
Të gjitha femrat e moshës 20 deri 40 vjeç, duhet të bëjnë një EKO grafi çdo 1-3 vjet. Nëse 3 EKO grafi rresht dalin normal, atëherë ato duhet të vazhdojnë ta kryejnë rregullisht EKO grafinë çdo 3 deri 5 vjet.
Diagnostikimi i hershëm i kancerit të gjirit shpëton me mijëra jetë në vit ndaj shumë e më shumë jetë mund të shpëtohen nëse femrat e vlerësojnë më shumë jetën e tyre duke vlerësuar avantazhet e diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit nëpërmjet ekzaminimit me ekografi apo mamografi.



Main menu 2