Jump to Navigation

Mamografia

Çfarë është mamografia?
Mamografia është një lloj radiografie e gjirit. Mamografia e kap kancerin e gjirit në faza shumë të hershme, atëherë kur ndryshimet nuk mund të shihen me sy apo të preken me dorë. Mamografia mund ta dallojë kancerin e gjirit rreth 2 vjet përpara shfaqjes së shenjave.

Të gjitha gratë duhet ta bëjnë mamografinë?
Të gjitha gratë nga mosha 40 vjeç e lart, duhet të bëjnë mamografinë çdo 3 vjet. Rreziqet për kancer të gjirit rriten me rritjen e moshës. Kështu nëse jeni mbi 50 vjeç duhet të bëni një mamografi çdo 1-2 vjet. Megjithatë, pavarësisht nga mosha juaj, nëse keni ndonjë shqetësim në gji, paraqituni menjëherë tek mjeku. Ai do t’ju sqarojë se çfarë duhet të bëni dhe sa herë duhet të bëni mamografinë.

Kur duhet bërë mamografia?
Mamografia mund të bëhet në çdo kohë, por është mirë që femrat në moshën riprodhuese ta kryejnë mamografinë në fund të periodave. Mamografia nuk duhet të kryhet sidomos në tre muajt e parë të barrës. Në periudhën e menopauzës kryhet në çdo moment.

A duhet të bëj ndonjë përgatitje përpara mamografisë?
Jo. Vetëm nuk duhet të përdorni deodorant, pudër, ose të lyheni me ndonjë solucion tjetër trupor, ditën që ju do të shkoni për të bërë mamografinë sepse kjo ndikon në rezultatin e saj.
Ju duhet të zhvisheni nga mesi e lart kështu që është mirë të vishni rroba të veçuara, bluza me fund ose pantallona.

A është e dhimbshme mamografia?
Disa gra mund të ndjejnë një shtypje dhe dhimbje të lehtë të gjinjve gjatë mamografisë. Për pjesën më të madhe kjo është e durueshme. Disa prej tyre pinë kokrra që përdoren për dhimbje koke, 1 orë përpara mamografisë, e cila lehtëson dhimbjen.
Një mënyrë tjetër për ta zgjidhur këtë, është të mos shkoni për të bërë mamografinë 1 javë para ose gjatë periodave, pasi në këtë periudhë gjinjtë janë të tendosur dhe të dhimbshëm. Planifikoni një periudhë tjetër për të bërë mamografinë.

Përse duhet bërë mamografia?
Sepse shumë lloje kanceri gjiri janë kapur në faza të hershme kur ka akoma shanse për tu trajtuar me sukses.
Sepse gati gjysma e kancereve të gjirit që arrijnë të kapen nga mamografia janë akoma të vegjël dhe mund të hiqen lehtë, pa hequr gjithë gjirin dhe pa lënë shenjë.
Sepse mamografia shpëton shumë jetë grash të cilat vdesin çdo vit nga kanceri i gjirit.
Sepse megjithëse jo të gjitha kanceret që kapen nga mamografia janë të kurueshme, më tepër se 95% e grave janë gjallë dhe mirë edhe për shumë vjet mbas diagnostikimit dhe mjekimit të kancerit.

Sa shpesh duhet bërë mamografia?
Kjo varet nga mosha që ju keni. Megjithatë, mamografia rekomandohet të bëhet një herë në 1-3 vjet sidomos për moshat mbi 40 vjeç. Kanceri i gjirit mund të shfaqet në çdo kohë madje edhe nga një mamografi tek tjetra.
Kështu që mamografia duhet të bërë rregullisht.
Bazuar në rezultatet e mamografisë së parë ju mund ta përsërisni atë, nëse mjeku ju a kërkon këtë.
Mamografia nuk duhet bërë vetëm 1 herë në jetë, por në mënyrë të vazhdueshme çdo 1-3 vjet, dhe për gjatë gjithë jetës!
 



Main menu 2