Jump to Navigation

Vetë-Kontrolli i Gjirit

Vetë-kontrolli i gjirit është një nga mënyrat e kapjes së hershme të kancerit të gjirit.
Vetë-kontrolli i gjirit bëhet duke kontrolluar gjirin nëpërmjet prekjes me duar për të vërejtur nëse ka ndonjë ndryshim të pazakontë tek ta. Duke kontrolluar gjinjtë rregullisht ju do të mësoni se si është pamja normale e tyre. Kjo gjë do t’ju ndihmojë të vini re menjëherë ndonjë ndryshim që mund të ndodhi në gji dhe të shkoni sa më shpejt tek mjeku.
Gjendrat në gji mund të shikohen apo zbulohen shumë thjesht nga vetë gruaja, por kanë shumë rëndësi nëse zbulohen shpejt.
Shumë raste të kancerit të gjirit janë zbuluar nga vetë gratë të cilat nëpërmjet prekjes së gjirit kanë vërejtur ndryshime të cilat i kanë detyruar të shkojnë tek mjeku.
Vetë-kontrolli i gjirit ka rëndësinë e vet, gjithmonë nëse realizohet në mënyrë korrekte. Prandaj është e këshillueshme që vet-kontrolli i gjirit në fillim të mësohet nga mjeku.

Kur bëhet vetë-kontrolli i gjirit?
Vetë-kontrolli i gjirit duhet të bëhet 1 herë në muaj duke filluar qysh nga mosha 20 vjeç. Por në çfarëdo moshe që të jeni duhet ta ktheni në zakon kontrollin mujor të gjirit.
Kontrolli i gjirit këshillohet të bëhet çdo muaj, mbas kalimit të periodave, 3-4 ditë mbas tyre. Kjo sepse gjatë periodave gjinjtë janë të dhimbshëm, të tendosur, dhe mund tu ngatërrojnë. Për gratë në menopauzë vetëkontrolli i gjirit bëhet ditën e parë të çdo muaji. Kjo bëhet me qëllim që ju ta keni më të lehtë për tu kujtuar.
Duke i kontrolluar gjinjtë çdo muaj ju do të bëheni familjar me ta, do të njihni se si janë ata zakonisht dhe kështu do të vini re menjëherë ndonjë gjë të pazakontë në ta.

Si bëhet Vetë-kontrolli i gjirit?
Është një veprim shumë i thjeshtë që çdo femër mund ta bëjë pa shumë mundim, kur është duke bërë dush, kur është duke ndenjur shtrirë, apo duke qëndruar para pasqyrës. Me dorë, lehtë me lëvizje rrotulluese, kontrollohen me rradhë gjinjtë. Me dorën e majtë kontrollohet gjiri i djathtë dhe pastaj me dorën e djathtë kontrollohet gjiri i majtë.
Indet e gjirit përfshijnë një sipërfaqe më të madhe se gjinjtë, prandaj, kontrollo, prek dhe shiko të gjithë sipërfaqen e gjirit duke përfshirë edhe pjesën e sipërme të kraharorit dhe sqetullat.

Filloni që tani të ndiqni hapat e mëposhtme:
1. Qëndroni përpara pasqyrës. Vendosini duart në mes si në figurë dhe merrni frymë me energji. Ky veprim tendos muskuj t e kraharorit duke dhënë një mundësi për ti parë më mirë gjinjtë Vini re: Mos ka ndonjë ndryshim të pazakontë në ngjyrën, formën apo madhësinë e gjinjve?
2. Qëndroni përpara pasqyrës. Vendosini duart pas kokës. Vini re: Mos ka ndonjë ndryshim të pazakontë në ngjyrën, formën apo madhësinë e gjinjve?
3. Qëndroni përpara pasqyrës. Vendosini duart pas kokës. Kthejeni trupin majtas. Kthejeni trupin djathtas. Vini re: Mos ka ndonjë ndryshim të pazakontë në ngjyrën, formën ose në madhësinë e gjinjve?
4. Kontrolloni me majat e gishtave të dorës së djathtë gjirin e majtë dhe me majat e gishtave të dorës së majtë gjirin e djathtë, duke shkuar deri tek sqetullat. Vini re: Mos ka ndonjë kokërr tek gjinjtë?
5. Kontrolloni me të prekur sqetullën e djathtë, pastaj dhe sqetullën e majtë. Vini re: Mos ka ndonjë kokërr?

Çfarë ndryshimesh në gji duhet t’ju tërheqin vëmendjen?
Ju duhet të shkoni menjëherë tek mjeku nëse vini re shenja jo normale si:
• Zmadhim apo forcim të gjirit që nuk është normale për ju. Zakonisht, shumë gra para periodave kanë gjoks të fortë dhe të dhimbshëm, por kjo është një gjë normale
• Gjëndra apo mahisje në gji
• Rrudhosje apo gropëzim të lëkurës së gjirit.
• Njeri gji është më i ulët se tjetri në mënyrë të pazakontë
• Tërheqje nga brenda e thithave të gjirit ose rrjedhje lëngu apo gjaku prej tyre.
• Dhe çdo gjë tjetër që nuk ju duket normale
Por, jo të gjitha gjendrat që mund të dalin në gji janë kancer- 9 nga 10 të tilla nuk kthehen në kanceroze.
Megjithatë pa frikë apo ankth, drejtohuni sa më shpejt të jetë e mundur tek mjeku nëse vini re ndonjë ndryshim jo normal tek gjinjtë tuaj. Vetëm mjeku mund të bëjë dallimin.
Përpiquni ta bëni zakon bërjen e vetë kontrollit të gjirit 1 herë në muaj!
Vetë-kontrolli i gjirit zgjat vetëm pak minuta, nuk kushton fare por ju mbron jetën!
Vetëkontrolli mujor i gjirit është vetëm një pjesë e kujdesit për gjirin.
Çdo femër e moshës 20 deri 40 vjeç duhet të kryejë edhe një EKO të gjirit çdo 2-3 vjet. Çdo femër e moshës mbi 40 vjeç, përveç vet-ekzaminimit mujor të gjirit duhet të kryejë edhe një mamografi çdo 2-3 vjet.



Main menu 2