Jump to Navigation

Shënohet sukses në luftimin e virusit HIV

Mjekët e klinikës universitare të Berlinit kanë arritur sukses në luftimin e virusit HIV nëpërmjet transplantimit të palcës kockore. Por ata thonë se kjo lloj terapie nuk konsiderohet e përshtatshme për të kuruar sidën.

Sukses në klinikën e Berlinit  Mjeku Gero Hyter
Zhdukja e virusit HIV kishte qenë efekt pozitiv dytësor i transplantimit. Fjala është për një pacient në një klinikë të spitalit universitar Charite në Berlin, i cili vuan nga leukemia e që kishte qenë i infektuar edhe me HIV. Transplantimi i palcës ashtërore ishte bërë për të luftuar leukeminë, por mjekët kishin zgjedhur një dhurues, qelizat bazë të cilit ishin imune ndaj virusit të sidës. “I testuam të gjithë dhuruesit e përshtatshëm. Pas testimit të 60 prej gjithsej 80 dhuruesve hasëm në dhuruesin me mutacionin që imunizon qelizat nga virusi HIV”, ka thënë drejtuesi i klinikës, Ekhard Til (Thiel), të mërkurën në Berlin. Tre vjet më parë qelizat e transformuara  ishin transplantuar pacientit. Që prej dy vjetësh tashmë analizat e infektimit me HIV rezultojnë negative.

Klinika universitare Berlin "Charite"
Nuk ka shpresa për shërimin e pacientëve me HIV
Udhëheqësi i terapisë, Gero Hyter, megjithatë ka paralajmëruar se terapia e tij nuk mund të shërbejë si bazë për shërimin e pacientëve me HIV. Hyter ka shpjeguar se vetë procedura e transplantimit të qelizave bazë është shumë e rrezikshme për jetën e pacientit, kështu që përdorimi i saj për të sëmurët me HIV do të ishte i papërligjur. Kjo procedurë ndiqet vetëm në raste sëmundjesh të rënda e pa rrugëdalje, si për shembull leukemia akute. Problem tjetër përbën vështirësia e gjetjes së dhuruesit të përshtatshëm, pasi persona me qeliza bazë imune ndaj virusit HIV hasen vetëm në tre për qind të popullsisë.
Ideja për të trajtuar pacientët me virusin HIV nëpërmjet transplantimit të qelizave bazë nuk është e re. Studime të ngjashme ka pasur edhe në Amerikë, por pa sukses. Specialistët thonë, se suksesi i arritur në Berlin është para së gjithash prodhim i rastësisë, por ai do të shërbejë si nxitje për hulumtime të mëtejshme në këtë fushë.



Main menu 2