Jump to Navigation

Kardiokirurgjia

Shenjat klinike të sëmundjes së arterieve koronare. Shfaqja klinike e sëmundjes së arterieve koronare është shumë variabile. Ndjenja e bezdisë apo diskomfortit në gjoks është shpesh ankesa kryesore e të sëmurëve. Ajo përshkruhet si mbytje apo ankth por edhe si shtrëngim, rëndim apo peshë në gjoks. Këto ankesa lokalizohen në zonën e gjoksit prandaj quhen edhe angina pectoris (e kraharorit) por mund të përhapen edhe në shpatullën e majtë, krahun e majtë, në zonën e stomakut ose në nofullën e poshtme.


Episodet e dhimbjes anginoze fillojnë gradualisht dhe arrijnë intensitetin maksimal pas disa minutash (është e pazakontë që dhimbja anginoze të fillojë menjëherë në mënyrë të papritur). Sforcimi fizik, qëndrimi në të ftohtë por edhe ngrënia e ushqimit janë shpesh faktorët shpërthyes të ankesave. Normalisht dhimbja anginoze qetësohet nga ndalimi i sforcimit apo përdorimi i nitroglicerinës prandaj kjo e fundit përdoret edhe si një mjet diagnostikues për natyrën ishemike të dhimbjes. Zakonisht pacientëve i duhet një nivel të caktuar sforcimi i nevojshëm për shpëthimin e ankesave ishemike (p.sh. ngjitja në katin e dytë të pallatit). Kjo është Angina Pectoris e Qëndrueshme. Disa herë pacientët ankesat i ndjejnë vetëm në mëngjes kur ata fillojnë aktivitetin e përditshëm dhe pas një pushimi të shkurtër ata rifillojnë aktivitetin e tyre pa kufizim e kjo quhet Angina e Nxehjes”. Angina Pektoris e Paqëndrueshme është ajo gjendje ku pragu i fillimit të ankesave ndryshon nga njëri episod tek tjetri madje ato mund të fillojnë edhe në qetësi. Nuk duhet harruar se një pjesë e pacientëve megjithëse kanë sëmundje të arterieve koronare të rëndësishme ata nuk ndjejnë ankesa. Kjo quhet “ishemia “e heshtur” dhe zbulimi i sëmundjes bëhet vetëm rastësisht gjatë ekzaminimeve rutinë ose vetëm në stadet e përparuara të sëmundjes kur ajo shfaqet si insuficiencë kardiale apo edhe si vdekje e papritur.


Infarkti i miokardit apo kriza e zemrës ndodh kur një arterie koronare bllokohet totalisht nga mpiksja e gjakut në të. Dhimbja e gjoksit është lokalizuar në gjoks si në anginë e kraharorit por është më e fortë, zgjat më shumë se 20 – 30 minuta dhe nuk qetësohet nga përdorimi i nitroglicerinës. Në këtë situatë pacienti duhet të drejtohet menjëherë në qendrat mjeksore për marrjen e ndihmës së specializuar.

Trajtimi i sëmundjeve të arterieve koronare
Mjekët përpiqen në tre drejtime për trajtimin e pacientëve me sëmundje të arterive koronare. Të reduktojnë ngrakesën e punës së zemrës, të ngadalsojnë apo të frenojnë procesin e zhvillimit të aterosklerozës dhe të përmirësojnë fluksin e qarkullimit koronar. Ngarkesa e punës së zemrës mund të ulet duke kontrolluar tensionin arterial brenda vlerave normale si dhe nga përdorimi I disa medikamenteve si beta-bllokuasit (atenolol, metoprolol, bisoprolol etj) apo bllokuesve të kanaleve të kalciumit si verapamili apo diltiazemi të cilët e ruajnë zemrën nga puna e rëndë.
Modifikimi i dietes, ushtrimet fizike si dhe përdorimi i disa medikamenteve si antiyndyrorët (statinat) që reduktojnë yndyrnat në gjak mund të ndihmojnë në frenimin apo edhe ndalimin e proçesit të aterosklerozës. Aspirina në doza të vogla ka treguar efekte të shkelqyera në parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve të arterieve koronare.
Rivendosja e qarkullimit të prishur koronar mund të realizohet vetëm me anë të ndërhyrjeve invazive që janë angioplastika koronare apo kirurgjia e arterieve koronare (bajpasi).

Koronarografia
Koronaropgrafia mbetet standarti i artë për diagnostikimin e pranisë apo mungesës së ngushtimeve të arterieve koronare nga ateroskleroza, për përcaktimin e mënyrave të papërshtatshme të trajtimit(terapi medikamentoze, angioplastikë koronare apo kirurgji e arterieve koronare) si dhe jep të dhëna për prognozën e sëmundjes. Të gjithë paceintët që referojnë ankesa sugjeruese për origjinën ishemike të tyre dhe ekzaminimet jo invazive japin të dhëna për praninë e sëmundjes së arterieve koronare si dhe pacientët pa ankesa specifike por me rrezik të lartë për zhvillimin e sëmundjes duhet ti nënshtrohen patjetër procedurës së koronarografisë për të përcaktuar praninë e sëmundjes, shkallën e saj dhe mënyrën e përshtatshme të trajtimit.

Procedura e koronarografisë
Koronarografia kryhet në një vend të specializuar të spitalit që quhet laboratori i kateterizimit të zemrës. Gjatë proçedurës pacienti qëndron i shtrirë në shpinë, ështe i zgjuar dhe komunikon me mjekun duke ndjekur porositë e tij (p.sh. “merr frymë thellë”). Pas mpirjes lokale në zonën rrëzë kofshës shpohet arteria kryesore e këmbës (arteria femorale) dhe në të vendoset një pajisje plastike (sheath) që shërben si portë hyrje. Nga kjo portë nëpër sistemin arterial futen disa tuba të gjatë e të hollë plastike (katetere) dhe pozicionohen me rradhë në origjinën e arterieve koronare në afërsi të zemrës. Nëpërmjet këtyre kateterëve injektohet një lëndë kontrasti në arteriet koronare duke i bërë ato të dukshme nën rrezatimin X. Pas kryerjes së koronarografisë paceinti duhet të qëndrojë për disa orë i shtrirë në krevat për të bërë të mundur mbylljen e arteries së shpuar. Përgjithësisht pas proçedurës diagnostikuese dalja nga spitali bëhet ditën tjetër. Në raste të vecanta, për të njëjtin qëllim, mund të përdoret edhe arteria e krahut (arteria brakiale) apo e kycit të dorës (arteria radiale).

Angioplastika koronare dhe vendosja e stenteve
Angioplastia në trajtimin e sëmundjes së arterive koronare sjell qetësim të shpejtë të ankeasave si dhimbja e gjoksit ose vështirësia në frymëmarrje. Pjesa më e madhe e pacientëve i rikthehen aktivitetit normal pas një periudhe të shkurtër kohe (3 – 4 ditë).
Proçedura e angioplastikës koronare është e ngjashme me koronarografinë. Nëpërmjet kateterit të pozicionuar në origjinën e arteries koronare të sëmurë përparohet nëpër enen e gjakut një tel i hollë përtej zonës së ngushtuar apo të bllokuar. Kjo guidë do të shërbejë si “shinë drejtuese” për të gjitha pajisjet që do të përdoren gjatë procedurës. Nëpërmjet guidës metalike në nivelin e ngushtimit pozicionohet një balon i fiksuar në majën e një sistemi special i cili fryhet për disa sekonda duke shtypur pllakën aterosklerotike përgjegjëse për ngushtimit dhe duke zgjeruar arterien në këtë nivel (në këtë moment paceinti mund të ndiejë pak dhimbje të gjoksit). Në pjesën më të madhe të rasteve proçedura pasohet nga vendosja e stentit në këtë nivel për të siguruar qëndrimin hapur të enës së gjakut. Stenti është i montuar mbi një balon të fiksuar në majën e një sistemi special për lëshimin e tij. Pasi fryhet baloni, stenti zgjerohet dhe lëshohet brenda mureve të arteries duke marrë formën dhe përmasat e enës së gjakut.

Stentet
Gjatë tre dekadave të fundit ka patur një përparim të madh e të qëndrueshëm në përmirësimin e pajisjeve dhe teknikave të përdorura për revaskularizimin koronar megjithatë stentet hapen një erë të re në trajtimin e ngushtimeve të arterieve koronare nga ateroskleroza. Stentet janë disa tuba të hollë e të zgjerueshëm të përbërë nga rrjeta teli shumë të hollë të fiksuara mbi një balon në majën e një sistemi special për lëshimin e tyre. Ato shërbejnë për të mbajtur të hapur arterien e gjakut duke u përshtatur në bazë të gjatësisë dhe gjerësisë së saj. Sot proçedura e koronarografisë dhe angioplastikës koronare me vëndosjen e stenteve ka marrë një përhapje të gjerë dhe kryhet në mënyrë rutinë në të gjithë botën. Pas vendosjes së stenteve pacienti duhet të marrë detyrimisht disa medikamente si aspirinë dhe klopidogrel të cilët ulin aftësinë e mpiksjes së gjakut mbi stent që do ishte shkak i ribllokimit të arteries koronare (tromboza e stentit). Me kalimin e kohës (afërsisht një muaj) stenti vishet brenda nga qelizat e vetë enës “së shëruar” për të mos lejuar kontaktin e gjakut me metalin e stentit. Në disa raste ky proçes është shumë i shprehur dhe çon në ringushtimin e stentit dhe enës së gjakut në këtë nivel (ristenoza e stentit). Vitet e fundit janë prodhuar stente të ngarkuara me medikamente të cilat mundohen të mbajnë nën kontroll procesin e ringushtimit.


Tek pacientët me infarkt akut të miokardit, procedura e koronarografisë dhe e angioplastikës koronare duhet të kryhet sa më shpejt të jetë e mundur.
Miokardi mund të durojë vetëm disa orë (afërsisht 6 orë) pa furnizimin normal me gjak të pasur me oksigjen. Pas kësaj kohë në muskulin e zemrës fillojnë ndryshime të parikthyeshme derisa zona e interesuar ndalon së funksionuari (vdes). Kjo gjendje quhet Infarkt Akut i Miokardit. Për këtë arsye rivendosja e qarkullimit të gjakut nëpër arterien koronare të mbyllur është e një rëndësie thelbësore dhe kjo duhet të kryhet sa shpejt të jetë e mundur. Përfitimi maksimal arrihet kur qarkullimi koronar rivendoset brenda 6 orëve të para të fillimit të ankesave megjthëse koha e përfitimit shtrihet edhe më tej (deri ne 12 orët e para). Pacientët me infarkt akut të miokardit apo dhe ata që vetëm dyshohet po kalojnë një të tillë duhet pa humbur kohë të drejtohen në qëndrat spitalore të specializuar për kryerjen e koronarografisë.



Main menu 2