Jump to Navigation

Operacioni unikal i kardio-kirurgut të famshëm rus Leo Bokeria për rinovimin e zemrës

Për herë të parë në botë kardio-kirurgu i famshëm rus Leo Bokeria i transplantoi pacientes me anomalinë Epstein valvulën biologjike të zemrës. Tani njerëzit,  me këtë difekt të lindur jashtëzakonisht të komplikuar të zemrës, të cilët ishin të destinuar për vdekje të shpejtë, fituan shansin për ti zgjatur jetën vetes. Zhvillimin e këtij operacioni unikal e ndoqi korrespondentja e Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” Maria Domnickaja.
Grumbullim i një numri kaq të madh gazetarësh në orën e hershme të mëngjesit nuk mbahet mend në gjithë historikun 55 vjeçar të Qendrës Shkencore të Kirurgjisë Kardio-Vaskulare “Bakulev” në Moskë. Pacientes 24-vjeçare praktikisht i mungonte pareti i përparmë lateral i barkushes së dhjathtë të zemrës, ai ishte mjaft i hollë, gati transparent. Kjo përjashtoi si mundësinë e rikonstruktimit të valvulës së zemrës së saj, ashtu dhe përdorimin e valvulës artificiale, e cila për rastin konkret ishte shumë e rëndë. Valvula e lehtë biologjike mbetej e vetmja mundësi për shpëtimin e jetës së vajzës 24-vjeçare.


Operacioni zgjati më shumë se 2 orë. Në etapën e parë të operacionit Leo Bokeria injektoi në zemrën e pacientes qelizat burimore (staminale) të organizmit të saj. Pas njëfarë kohe ato fillojnë të riprodhohen dhe krijohet si rezultat i këtij procesi një pjesë e miokardit (myocardium). Etapa tjetër e operacionit - pacientes kirurgët i transplantojnë valvulën biologjike. Si material për të u shfrytëzua valvula mitrale e zemrës së derrit.
Deri kohët e fundit zgjedhja e protezës biologjike ishte problem i madh për Qendrën “Bakulev”, ku zhvillohen me tepër se 4.500 operacione në vit. Kurse tani materiali biologjik sigurohet në fermën e Aleksandër Konovallovit në periferitë e Moskës. Dhe, duhet theksuar me këtë rast, se fermeri e bën këtë gjë pa kurrfarë interesi, pa marrë asnjë pagese, tregon Drejtoresha e Laboratorit të prodhimit të protezave biologjike të Qendrës Shkencore të Kirurgjisë Kardio-Vaskulare Natalia Bakuleva. “- Ne kemi kërkuar për një kohë të gjatë një fermë ekologjikisht të pastër në periferitë e Moskës. Dhe krejt rastësisht më ra në vesh lajmi se u krijua një fermë, në të cilën kafshët majmen me ushqim natyral, pa shtesa hormonale. Gjashtë muaj me radhë ne jemi marrë me analizimin e këtij materiali biologjik. Dhe si rezultat lidhëm marrëveshje me të zotin e fermës”, - tregoi Natalia Bakuleva.


Rivendosja e plotë e gjendjes shëndetësore të pacientes do të marrë plot gjysmë viti. Dhe, megjithëse përpara janë ditë vërtet të rrezikshme për të - sepse zemra nuk është adaptuar ende me ritmin e ri të punës - Leo Bokeria është mëse i sigurt se furnizimi i dobët me gjak i të gjitha organeve dhe frymëmarrja e rëndë mbetën në të kaluarën për vajzën 24-vjeçare. “Sportiste mund edhe të mos bëhet pacientja jonë, por cilësia e jetës së saj do të përmirësohet në mënyrë të dukshme”, - tha kardio-kirurgu i famshëm rus Leo Bokeria.



Main menu 2