Jump to Navigation

Inflamacion syri te fëmijët

Të shpeshtën e herave kalon pas një jave
Inflamacioni i syve është i zakonshëm te fëmijët, të shpeshtën e herave në raste të rrufave (ftohjeve) me infektim virusal. Pjesa e bardhë e syrit skuqet dhe irritohet dhe një lëng i trashë, shpesh i verdhë, rrjedh nga syri. Syri zakonisht duket i ënjtur. Në më të shpeshtën e rasteve sytë shërohen brenda një jave edhe pa trajtim mjekësor. Inflamacioni i syrit është lehtë i infektueshëm.
Fëmijët mund të infektohen me inflamacion syri edhe për shkaqe tjera. Sëmundjen mund ta shkaktojnë reagime alergjike, lëndime të syrit ose kur fëmijëve u hyn diç në sy. Inflamacioni është një mënyrë e trupit për t’u mbrojtur.

A mundet fëmiu të shkojë në parashkollë?
Fëmijët që vuajnë nga inflamacioni i syrit, kanë sy të skuqur dhe pak sekret të trashë për shkak të ndonjë rrufe (ftohjeje) të lehtë, nuk kanë nevojë të mungojnë në parashkollë nëse ata në pëgjithësi ndjehen mirë. Fëmijët që vijojnë parashkollën duhet të jenë aq të shëndoshë sa të mund të marrin pjesë në të gjitha aktivitetet. Fëmijët që vuajnë nga probleme alergjike të syve poashtu nuk kanë nevojë të mbeten në shtëpi.
Në rast se syri qelbet atëherë fëmiu duhet të mbetet në shtëpi
Nëse fëmiut i ngjiten sytë dhe i duhet që të fshijë qelbin disa herë në ditë atëherë fëmiu ka një infektim të rëndë. Në të shpeshtën e herave janë të dy sytë të irrituar dhe nga sytë mund t’i rrjedhë qelb. Në rast të tillë fëmiu duhet të mbetet në shtëpi sepse sëmurja është infektuese por edhe sepse syri i fëmiut duhet pastruar disa herë brenda ditës. Fëmiu mund të kthehet në grupin e tij parashkollor kur inflamacioni t’i ketë kaluar dhe kur syri të mos rrjedh qelb.
Infektimi i syve përhapet më lehtë te fëmijët e vegjël duke qenë se ata luajnë shumë afër njëri tjetrit.  Infektimi përhapet, pos tjerash, kur fëmiu të fërkojë sytë dhe pastaj me ato duar kap lodra ose fëmijë tjerë. Fëmijët shkollorë nuk kanë kontakte aq të afërta mirëpo në raste infektimi të rëndë të syve dhe nëse sytë i kanë të irrituar duhet që edhe ata të mbeten në shtëpi.

Pastroni syrin me ujë
Nëse fëmiut syri i rrjedh qelb është mirë që t’ia pastroni me ujë të zakonshëm sa herë që të ketë nevojë. Përdorni kompresë ose pambuk dhe filloni me pjesën e jashtme të syrit duke shkuar kah pjesa e brendshme të syrit.

Të jeni të vëmendshëm me higjienë të duarve
Për të parandaluar infektim të syve është mirë të jeni të vëmendshëm dhe të pastroni duart kur dikush në rrethin tuaj është ftohur. Është poashtu mirë që sa më shpesh të ndërroni peshqirët, si në shtëpi ashtu edhe në parashkollë.

Fëmijë të posalindur
Fëmijët e posalindur rëndom kanë sekret të verdhë në sy ngase kanalet e lotit të tyre janë më të ngushta se ato të fëmijëve më të vjetër dhe të të rriturve. Ua pastroni sytë duke shkuar prej pjesës së jashtme kah pjesa e brendshme me kompresë ose pambuk të lagur me ujë të vakët çezme ose tretësirë kripe të zier.

Mund që do t’u duhet të kontaktoni entin shëndetësor
Inflamacioni i syrit që nuk kalon pas një jave mbase do të duhet të trajtohet me antibiotikë. Atëherë ju duhet të kontaktoni shtëpinë e shëndetit. Pas dy ditësh trajtimi me antibiotikë infektimi nuk mund të përhapet dhe fëmiu përsëri mund të shkojë në parashkollë.
Nuk bën të pritni shumë për të kontaktuar shtëpinë e shëndetit nëse fëmiu ka inflamacion të rëndë dhe nga syri i rrjedh shumë qelb. Kjo vlen edhe kur fëmiu është i ndjeshëm ndaj dritës ose ka problem me rrufë (ftohje) të rëndë. Nëse fëmiu ka probleme të mëdha vetëm në njërin sy dhe dyshoni se ai/ajo diku e ka lënduar syrin ju poashtu nuk bën të pritni që të kontaktoni shtëpinë e shëndetit.
Nëse fëmiu i posalindur vuan nga inflamacion i rëndë sysh atëherë ju duhet të kontaktoni poliklinikën e fëmijëve.



Main menu 2