Jump to Navigation

Ftohja te fëmijët

Rrufë, kollitje dhe nganjëherë edhe ethe
Fëmijët që ftohen, ditët e para, në të shpeshtën e herave janë të pafuqishëm, të lodhur, paksa të mërzitur dhe me disponim grindavec. Ata zakonisht kanë hundë të zëna ose rrjedhje nga hundët dhe mund të kenë fyt dhe vesh të irrituara. Ata edhe mund të kenë edhe kollitje të lehta e nganjëherë edhe zajrrmi .
Qurrat në fillim janë të kthjellëta dhe tejdukshme por pas disa ditësh ato trashen dhe marrin ngjyrë të verdhë ose të gjelbërt.
Ditët e para të ftohjes fëmiu ndjehet më së keqi. Pas një deri dy javësh ftohja kalon vetvetiu. Shkak i ftohjeve të zakonshme është virusi dhe ndaj virusit nuk ekziston ndonjë ilaç që mund të bëjnë që fëmiu të shërohet më shpejt.

Fëmijët që kanë zjarrmi dhe janë të pafuqishëm duhet të mbesin në shtëpi
Fëmijët që kanë zjarrmi dhe janë të lodhur e të pafuqishëm duhet të mbeten në shtëpi dhe të pushojnë. Shumë fëmijë duhet poashtu të mbeten në shtëpi ditën e parë pasi t’u ketë kaluar zjarrmia dhe të kenë ndërprerë përdorimin e ilaçeve për ulje të temperaturës. Ata duhet të jenë aq të shëndoshë sa të munden të shkojnë në shkollë ose parashkollë.

Nevojitet pushim
Është mirë që fëmiut t’i ofroni mundësi të pushojë, por nuk është e domosdoshme që ai të rri i shtrirë në krevat. Fëmijët zakonisht e dinë vetë sa munden të qëndrojnë të ngritur.
Për ta mund të jetë më lehtë të marrin frymë dhe të flejnë nëse nën kokën e tyre vendosni edhe ndonjë jastëk më shumë. Kjo vlen para së gjithash për fëmijë pak më të vjetër që nuk lëvizin shumë kur flejnë.

Ushqim i preferuar dhe pije shtesë
Shumë fëmijë nuk kanë oreks kur të jenë të ftohur. Prandaj është mirë t’i ofroni fëmiut atë që i pëlqen më shumë, për shembull qull, jogurt ose akullore. Nëse fëmiu ka zjarrmi  është mirë t’i jepni më shumë pije.

Tretësirë kripe të zier ose sprej hunde për hundë të zënë
Nëse fëmiut i është zënë hunda ju mund t’i pikoni ose stërpikni me sprej tretësirë kripe të zier në hundë, gjë që do t’i tëhollojë qurrat. Por në këtë mënyrë edhe qurrat e mbetura mund të largohen më lehtë. Tretësirë kripe të zier mund të bleni në apotekë. Tretësirën mund ta bëni edhe vetë duke futur një mililitër – një masë mëlmese – kripë në një decilitër ujë të vluar të cilën pastaj e leni të ftohet. Për të pikuar tretësirën e kripës së zier në hundë të fëmiut mund të përdorni një copë pambuku.
Në rast zënie më të rëndë të hundës fëmiut mund t’i jepni pika kundër ënjtjes në hundë ose sprej hunde që i zbut ënjtjen në hundë. Këto ilaçe mund t’i bleni pa recetë por nuk bën t’i përdorni më gjatë se dhjetë ditë me radhë. Spreji dhe pikat e hundës janë të përshtatura për mosha të ndryshme, dhe kjo figuron në paketim.

Ilaçe për ulje të temperaturës që mund të blehen pa recetë
Zjarrmia rrallë herë është e nevojshme të trajtohet me ilaçe për ulje të temperaturës. Shumica e fëmijëve kanë zjarrmi  që zgjat vetëm disa ditë dhe ajo zakonisht nuk është  aq serioze. Mirëpo ju fëmiut mund t’i jepni ilaçe për ulje të temperaturës nëse është e qartë se fëmiu ndjehet keq nga zjarrmia, si për shembull ka dhembje në trup, ankohet shpesh, ha dhe pi më pak se zakonisht, fle keq ose e ka të vështirë të qetësohet mbrëmjeve.
Mos i trajtoni fëmijët e moshës nën gjashtëmuajshe që kanë zjarrmi pa kontaktuar entin shëndetësor.
Për fëmijë të moshës mbi tre muajshe ka ilaçe kundër zjarrmisë që përmbajnë paracetamol, si për shembull Alvedon dhe Panodil. Prej moshës gjashtëmuajshe fëmiut mund t’i jepni Ipren, që blehet pa recetë dhe përmban ibuprofen. Ilaçet janë në formë të lëngtë dhe të pilulave që përdoren në zorrën e trashë, me dozë të përshtatshme për fëmijë të vegjël. Për fëmijë më të vjetër ka edhe tableta. Përmbajuni me kujdes instruksioneve në paketim. Mos kombinoni ilaçe të ndryshme. Fëmijë të moshës nën 18 vjeçare nuk bën të përdorin ilaçe për ulje të temperaturës që përmbajnë acid acetilsalici, për shmebull Magnecyl, Treo dhe Albyl.

Ilaçe kundër kollit që mund të blehen pa recetë
Ilaçet kundër kollit që mund të blehen pa recetë zakonisht nuk ndihmojnë. Nëse fëmiu kollitet është me rëndësi që fëmiu me anë të kollit të nxjerr jashtë këlbazën dhe të pastrojë kanalet e frymëmarrjes. Ilaçet për zbutje të kollit vështirësojnë që fëmiu të nxjerr këlbazën. Ilaçe që tretin këlbazën ndërkaq kanë efekt të pasigurtë. Për t’i zbutur kollitjen fëmiut mund të provoni t’i jepni pije të ngrohtë ose të ftohtë. Fëmijëve të moshës nën dyvjeçare asnjëherë nuk bën t’i jepni ilaçe kolli pa biseduar me mjekun.

Si të veprohet për të mënjanuar përhapjen e infektimit?
Për të mënjanuar mundësinë që të infektoni të tjerët është mirë të mësoni fëmijën të tështijë dhe të kollitet në anën e brendshme të bërrylit dhe të përdorë faculeta letre. Kujdesuni që ata të pastrojnë duart disa herë në ditë. Përpiquni poashtu të mësoni fëmijën të mos fut gishtat në hundë dhe në sy. Pikërisht në  hundë dhe sy virusi zakonisht ngjitet dhe nga aty përhapet. Përhapja e infektimit zvogëlohet poashtu nëse fëmiu nuk luan në kontakte të afërta me dikë që është i ftohur. Leni fëmiun të rrijë jashtë shtëpisë sa më shumë që të jetë e mundur, edhe në dimër.
Ta keni poashtu parasysh se fëmijët që jetojnë në ambient ku ka më shumë tym duhani e kanë më lehtë të ftohen.

Mund që do t’u duhet të kontaktoni entin shëndetësor
Është mirë të jeni shumë të vëmendshëm e të vëreni se si ndjehet fëmiu. Nëse fëmiu ka kollitje të rëndë ose nëse temperatura  nuk i ulet edhe pas katër, pesë ditëve atëherë ju duhet të kontaktoni shtëpinë e shëndetit.
Nëse dyshoni se fëmiu ka inflamacion veshi atëherë fëmiu duhet të kontrollohet në ndonjë repart kujdestar apo në shtëpi shëndeti brenda njëzetekatër orëve.
Mirëpo ju duhet të kontaktoni menjëherë entin shëndetësor nëse fëmiu është i plogësht, nuk ka fuqi të luajë dhe nuk do të hajë e të pijë ose është i moshës nën gjashtëmuajshe.



Main menu 2