Jump to Navigation

Sëmundje barku te fëmijët e vegjël

Sëmundja shfaqet shpejt
Kur fëmijët e vegjël vuajnë nga sëmundje barku ata zakonisht vjellin dhe kanë diarre. Ata edhe mund të kenë dhimbje në bark dhe t’i zënë ethet. Sëmundjet e barkut në të shpeshtën e herave janë pasojë e infektimit të shkaktuar nga ndonjë virus.
Problemet zakonisht shfaqen dy ditë pasi fëmiu të jetë infektuar dhe ato shfaqen shpejt. Shpesh ndodh që disa anëtarë të familjes ose nxënës të shkollës të infektohen nga sëmundja njëkohësisht. Infektimi rëndom kalon pas disa ditësh. Vjelljet ndalen pas një dite mirëpo diarreja mund të zgjasë deri në një javë.
Fëmijët janë të ndjeshëm ndaj humbjes së lëngjeve në organizëm
Vjelljet dhe diarretë shkaktojnë humbje të lëngjeve dhe kripërave në organizëm. Fëmijët e vegjël janë më të ndjeshëm se të rriturit ndaj humbjes së lëngjeve. Nëse një fëmijë i vogël humb më shumë lëng se sa pi gjatë ditës shëndeti i tij/saj mund shpejt t’i keqësohet. Ethe të larta mund të bëjnë që fëmiu të humb edhe më shumë lëngje. Prandaj është me rëndësi që fëmiut t’i jepni të pijë qysh në fillim të infektimit.

Këshilla si t’i jepni lëngje fëmiut
Që një fëmijë i vogël që vjell të ushqehet me lëngje duhet që, nëse fëmiu mëkon, t’i jepni shujta të  vogla  dhe të shpeshta. Nëse fëmiu nuk do të thithë mund të provoni të shtrydhni gjirin me një pumpë dhe t’i jepni të pijë me lugë. Pumpa të përshtatshme mund të bleni në apotekë.
Nëse fëmiu nuk mëkon atëherë duhet t’i jepni zëvendësim të lëngjeve. Më së lehti ështe ta ushqeni me një lugë të vogël dhe t’i jepni sasi të vogla por të shpeshta.
Nëse fëmiu vjell shumë atëherë duhet t’i jepni përafërsisht dy lugë të vogla lëng çdo pesë minuta. Brenda njëzet e katër orësh fëmiu ka nevojë për më shumë lëngje se sa mund ta merrni me mend, për shembull një fëmijë njëvjeçar ka nevojë për diç më shumë se një litër. Vazhdoni t’i jepni shujta të vogla dhe të shpeshta edhe nëse fëmiu vjell.

Zëvendësim lëngjesh
Kur fëmiu vjell shpesh zëvendësimi i lëngjeve është gjëja më e mirë që mund t’i jepni. Zëvendësim lëngjesh mund të gjeni në apotekë. Duke qenë se lëngu përmban kripë atëherë baraspesha e lëngjeve në organizëm do të rivendoset në një mënyrë të mirë.
Mirëpo ndodh që fëmiu nganjëherë e ka më lehtë të pijë diç tjetër. Në rast të tillë provoni t’i jepni atë që dëshiron, sepse është me rëndësi që fëmiu të ushqehet me lëngje. Por është mirë   që  t’u shmangeni pijeve tepër të ëmbla, si për shembull limonadës, sepse shumë sheqer mund të shkaktojë edhe më shumë diarre. As pije light mos i jepni sepse ato nuk përmbajnë fare sheqer.

Kur vjelljet ndalen por diarretë vazhdojnë
Vjelljet zakonisht ndalen porse diarretë vazhdojnë edhe për një kohë. Nëse fëmiu ka diarre dhe mëkon ju vazhdoni t’i jepni gji si edhe më parë. Nëse fëmiu nuk mëkon, mund t’i jepni zëvendësim të qumështit të gjirit, qull orizi apo misri, varësisht nga mosha e fëmiut. Në fillim i jepni sasi të vogla që të vëreni se a e mban ushqimin fëmiu.
Kur fëmiu dëshiron të hajë atëherë është mirë t’i jepni ushqim të zakonshëm dhe në të të shtoni pak më shumë yndyrë. Nëse doni të provoni diçka që mund t’ia ndalë diarrenë provoni t’i jepni supë karrotash, e përgatitur nga pure karrotash dhe ujë. Keni parasysh se pemët shkaktojnë jashtëqitje të lëngshme dhe gjatë  diarreve më të rënda duhet t’i shmangeni qumështit dhe qullit me drithëra të pasitura. Pritni edhe ca me ushqim të pasur me fibër deri sa fëmiu të jetë krejtësisht i shëndoshë.

Nëse vjelljet kthehen
Nëse vjelljet kthehen përsëri atëherë ju prap i jepni fëmiut zëvendësim të lëngjeve, por njëkohësisht të jeni të vëmendshëm nëse fëmiu bëhet i plogësht ose i ndikuar.

Si të parandalohet infektimi?
Duke qenë se sëmundjet e barkut janë shumë infektuese është mirë që fëmiu dhe anëtarët tjerë të familjes të pastrojnë duart me sapun të lëngshëm para ushqimit dhe pasi të dilni nga toaleta dhe që të gjithë të kenë një peshqir të vetin ose të përdorin peshqirë letre të cilët hudhen pas përdorimit. Duhet poashtu që edhe toaletin ta pastroni shpesh.
Nëse fëmiu ka pelena është mirë që pelenat e përdorura t’i futni në një qese të posaçme para se t’i hudhni te mbeturinat. Pastroni tryezën  në  të cilën kujdeseni për fëmijën pas përdorimit dhe pastroni duart mirë çdo herë pasi t’i keni ndërruar pelenat fëmijës.

Mund që do t’u duhet të kontaktoni entin shëndetësor
Nëse fëmiu ka diarre dhe vjellje të shpeshta dhe vëreni shenja të mungesës së lëngjeve në organizëm, d.m.th. duket qartë se është i lodhur dhe i painteresuar për rrethin në të cilin gjendet, urinon pak ose shumë rrallë dhe nuk ka fuqi të luajë atëherë ju duhet menjëherë të kontaktoni entin shëndetësor.
Nëse fëmiu përveç vjelljeve dhe diarreve ka edhe temperaturë të lartë ose dhinbje të rënda në bark, apo nëse diarreja i është e përzier me gjak ose gëlbazë, ju poashtu duhet të kontaktoni entin shëndetësor. Kjo vlen edhe nëse fëmiu nuk bën më mirë brenda njëzet e katër orësh, ose nëse fëmiu pas sëmundjes së barkut është i shëndoshë por ka jashtëqitje të  hollë  më gjatë se dy javë.
Diarretë dhe vjelljet mund të jenë simptome të sëmundjeve tjera, jo vetëm të sëmundjes së barkut. Nëse jeni të pasigurtë telefononi për t’u këshilluar me këshilltarë për çështje shëndetësore ose shtëpisë së shëndetit. Nëse fëmiu është i moshës nën gjashtë muajshe dhe ka diarre dhe vjellje ju patjetër duhet të kontaktoni entin shëndetësor.



Main menu 2