Jump to Navigation

Amiodaron 200mg Profarma

FLETËUDHËZUES I PAKETIMIT: Informacion për pacientin

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.

  • Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
  • Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
  • Ky bar është përshkruar per ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma me tu.
  • Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.

Në këtë fletëudhëzues:

  1. Çfarë është Amiodaron dhe përse përdoret
  2. Përpara se të merrni Amiodaron
  3. Si ta merrni Amiodaron
  4. Efekte anësore të mundshme
  5. Si ta ruani Amiodaron
  6. lnformacion i mëtejshëm

1.ÇFARË ËSHTË Amiodaron DHE PËRSE PËRDORET
Amiodaron është një bar i cili bën pjese në klasën III të antiaritmikëve, ndonëse ai ka edhe disa veti të antiaritmikëve të klasave I, II dhe IV.
Ai bllokon kanalet e çaktivuara e të shpejta të natriumit, si edhe kanalet e kalçiumit dhe të kaliumit.
Ai antagonizon në mënyre jokonkuruese efektet e alfa dhe beta-receptorëve adrenergjikë.
Amiodaron ndikon në sistemin e përçimit specifik të zemrës e për rrjedhojë ushtron veprim të theksuar e të sigurtë në çrregullimet e ritmit të saj.

Ky bar indikohet në situatat e mëposhtme klinike:

  • flater atrial dhe fibrilim, kur barnat e tjera nuk mund të përdoren;
  • të gjitha tipet e aritmive me natyrë paroksizmale, përfshirë takikarditë supraventrikulare nodale dhe ventrikulare, fibrilim ventrikular, kur barnat e tjera nuk mund të përdoren (mjekimi duhet filluar në spital ose nën një mbikqyrje mjekësore të kujdesshme):
  • takiaritmi të shoqëruara me sindromin Wolff-Parkinson-White.

Mjeku juaj mund ta ketë dhënë Amiodaron për një qëllim tjetër.
Pyesni mjekun tuaj në qoftë se doni të dini pse ju është dhënë Amiodaron.

2. PËRPARA SE TË MERRNI Amiodaron

Mos merrni Amiodaron në qoftë se:

  • keni mbindjeshmëri ndaj përbësve të barit dhe ndaj jodit;
  • keni bradikardi sinusale;
  • keni bllok sino-atrial;
  • keni bllok AV (përveç rasteve të pacemaker-it ventrikular);
  • keni çrregullime të funksionit të tiroides:
  • jeni në periudhën e shtatzanisë dhe të ushqyerjes se fëmijës me gji.

Në qoftë se mendoni se keni ndonjë nga gjendjet e përmendura më sipër, këshillohuni fillimisht me mjekun tuaj dhe ndiqni këshillat e dhëna.

Tregoni kujdes të veçantë me Amiodaron
Amiodaron duhet të merret me rekomandim dhe mjekimi me të duhet të mbikqyret nga një mjek specialist me njohuri dhe përvojë në mjekimin e aritmive.
Përpara fillimit të trajtimit duhen kryer provat për të kontrolluar funksionin e mëlçise dhe të tiroides dhe më pas ky kontroll duhet bërë çdo 6 muaj (por amiodaroni interferon në provat e funksionit të tiroides).
Kujdes duhet treguar në rastet me sindromin e sinusit të sëmurë, si edhe gjatë kombinimit me digoksinë, antikoagulues që merren nga goja, beta-bllokues dhe kalçibllokues.
Kujdes duhet treguar në mjekimin e të sëmureve të moshuar dhe të fëmijëve, të sëmurëve me insufiçience kardiake, me sëmundje mëlçie, me hipokalemi (të matet përqëdrimi në serum i kaliumit përpara trajtimit), me hipotension, me insufiçiencë respiratore, me porfiri dhe gjatë anestezisë.
Çdo 3 muaj duhet kryer një kontroll me EKG.
Ekzaminime të rregullta të gjoksit dhe të funksionit të mushkërive janë të këshillueshme përpara trajtimit dhe çdo 6 muaj.
Me shfaqjen e shenjave të një sëmundjeje mushkerie, ekzaminimet janë të detyrueshme.
Ekzaminimi oftalmologjik, mbikqyrja dhe mjekimi i ndryshimeve në sy janë të rekomandueshme kur shfaqen çrregullime subjektive.
Këshillohet që kontrolle të tilla të kryhen çdo vit.
Ekspozimi në diell duhet mënjanuar gjatë mjekimit me Amiodaron.
Gjatë muajve të verës, të sëmurët duhet t’i mbulojnë pjesët e ekspozuara të trupit me një krem mbrojtës nga rrezet e diellit.
Amiodaron mund të ndikojë në aftësitë psikofizike për të drejtuar automjetin ose për të punuar me makineri.

Marrja e Amiodaron me ushqim dhe pije
Nuk ka të dhëna.

Shtatzania
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni shtatzanë ose po planifikoni të ngeleni shtatzanë.
Duke ditur se amiodaroni dhe metaboliti i tij kryesor e kalojnë në sasi të konsiderueshme placentën dhe paraqesin rrezik për efekte farmakologjike tek i porsalinduri (gushë, efekt kardiodepresor), përdorimi i nuk lejohet gjatë shtatzanisë, përveç rastit kur ka indikacion jetësor për nënën.

Ushqimi me gji
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se ushqeni foshnjen me qumësht gjiri.
Amiodaron kalon në sasi të konsiderueshme në qumështin e gjirit, prandaj ai nuk duhet përdorur gjatë kësaj periudhe.

Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Amiodaron mund të ndikojë në aftësitë psikofizike për të drejtuar automjetin ose për të punuar me makineri.
Gjithashtu mund të shkaktojë çrregullime të shikimit në disa pacientë.
Tregohuni të kujdesshëm gjatë drejtimit të automjetit ose përdorimit të makinerive derisa të shihni se si Amiodaron ndikon tek ju.

Marrja e barnave të tjera
Efekti i amiodaronit mund të jetë klinikisht i theksuar për ndërveprime, të cilat mund të shfaqen edhe disa muaj pasi mjekimi të jetë ndërprerë.
Përdorimi në të njëjtën kohë i amiodaronit dhe disopiramidit, flekainidit, kinidinës ose prokainamidit jep efekt aditiv dhe rrit rrezikun për aritmi ventrikulare, ndaj dozat e këtyre barnave duhen ulur në varësi të niveleve të tyrë në serum (kinidina me 1/3 deri ½ prokainamidi me 1/3).
Nuk rekomandohet përdorimi në të njëjtën kohë i sotalolit ose i bepridilit për shkak të shtimit të rrezikut për aritmi.
Përdorimi i njëkohshëm amiodaronit me kalçibllokuesit (diltiazem, verapamil) ose me beta — bllokuesit mund ta rrisë rrezikun për bradikardi dhe bllok A-V.
Kombinimi i amiodaronit me antidepresivët triciklikë ose fenotiazinat e shton rrezikun e aritmive ventrikulare, sidomos të atyre të tipit të torsadës së majës.
Nga përdorimi i njëkohshëm i amiodaronit me varfarinën, digoksinën, fenitoinen ose ciklosporinën lind nevoja e mbikqyrjes së nivelit në serum të këtyre barnave dhe doza e tyre duhet ulur (varfarina me 1/3 deri ½ , digoksina me ½ ).
Kombinimi i amiodaronit me diuretiket që e shtojnë jashtëqitjen e kaliumit me kortikosteroidet ose amfotericinën B (me injektim në venë) mund të shpjerë në hipokalemi, gjë që shkakton zgjatjen e intervalit QT dhe shtimin e rrezikut për aritmi ventrikulare, përfshirë edhe ato të tipit të torsadës së majës.
Kur përdoret me cimetidinën, nivelet në serum të amiodaronit rriten si rezultat i ngadalësimit të metabolizmit te tij.
Përdorimi në të njëjtën kohë me laksativët nxitës nuk këshillohet sepse shtohet rreziku për aritmi ventrikulare.
Amiodaroni ka një efekt të theksuar në rezultatet e provave të funksionit të tiroides.
Kërkoni këshillën e mjekut ose të farmacistit nëse njëkohësisht me Amiodaron merrni edhe barnat e përmendura më sipër.

3. SI TA MERRNI Amiodaron
Gjithmonë merrini tabletat Amiodaron vetëm sipas këshillës në mjekut.
Në qoftë se ndjeni që efektet e Amiodaron janë shumë të forta ose shumë të dobëta, flisni me mjekun ose farmacistin tuaj.
Mjeku juaj mund tju kërkojë të merrni Amlodaron për një kohë më të gjatë.
Pyesni mjekun tuaj për këshillë në qoftë se nuk jeni të sigurtë për sa kohë duhet ta merrni.
Tabletat Amiodaron duhet të gëlltiten të plota me një gotë ujë.

Tabletat e Amiodaron disponohen në formëdozën 200 mg.

Më poshtë jepet një pasqyrë praktike për dozimin e amiodaronit:

Dozimi ditor

1 tabletë = 200 mg
Java e parë

1 tabletë, 3 herë në ditë
Java e dytë

1 tablete, 2 herë në ditë
Java e tretë1 tabletë, 1 herë në ditë (në rast nevoje 1 tabletë, 2 herë në ditë)
Fundjavë pa mjekim

1 tabletë për 5 ditë e pastaj 2 ditë pa mjekim.


Në qoftë se keni marrë me shumë Amiodaron
Në qoftë se keni marrë më shumë Amiodaron se sasia që duhet të merrnit, ose në qoftë se fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, tu lutemi të kontaktoni mjekun tuaj, spitalin ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë për veprimet që duhet të ndërmerren.

Në qoftë se keni harruar të merrni Amiodaron
Në qoftë se harroni një dozë, merrni dozën në vazhdim kur të jetë koha për marrjen e zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë për të plotësuar dozën e harruar!
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.

4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME TË Amiodaron
Të gjitha barnat mund të shkaktojnë efekte anësore.
Ndonjëherë ato janë serioze, shumicën e herëve jo.
Mos u alarmoni nga kjo listë e efekteve të mundshme anësore!
Mund të mos ju shfaqet asnjë prej tyre.

Njoftoni mjekun tuaj në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore të mëposhtme ju shqetëson:

  • bradikardi dhe çrregullime të përdorimit sepse amiodaroni e ul ritmin e zemrës (në qoftë se pulsi është më i ulet se 55/min, mjekimi duhet ndërprerë përkohësisht);
  • përkeqësim j aritmisë ekzistuese si dhe shfaqja e aritmive të reja;
  • insufiçiencë kardiake ose rëndim i asaj ekzistuese (në këto raste është i nevojshëm mjekimi edhe me kardiotonikë);
  • çrregullime gastrointestinale: të pëziera, të vjella, konstipacion, shije metalike dhe anoreksi;
  • në raste të rralla edhe dëmtim i përkohshem i mëlçisë (rritje e enzimave të saj); ndonjëherë mund të shfaqet një nekrozë hepatoqelizore, çka dikton nevojën e mbikqyrjes së funksionit të mëlçisë sidomos në të sëmurët të cilët në të kaluarën kanë pasur dëmtime të saj;
  • mikrodepozitime korneale të prapësueshme: janë konstatuar edhe çrregullime të të parit si rezultat i neuritit optik, neuropati dhe miopati periferike (zakonisht të prapësueshme kur mjekimi ndërpritet);
  • fototoksicitet dhe në raste të rralla ngjyrosje e përhershme e lëkurës;
  • hipotiroidizëm, hipertiroidizëm; alveolit pulmonar difuz dhe fibroz;
  • raste të rralla me dridhje, ankth, marrje mendsh, dhimbje koke, pagjumësi, lodhje, rritje beninje e presionit intraokular, epididimit, ataksi, ekzantema (përfshirë dermatitin eksfoliativ), vaskulit, trombocitopeni dhe rritje e kohës së protrombinës.

Në qoftë se vëreni efekte anësore që nuk janë të përmendura në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.

5. SI TA RUANI Amiodaron
Mbajeni larg fëmijëve!
Mos e përdorni Amiodaron pas datës së skadencës e cila është e shënuar në paketim.
Mos e ruani në temperaturë mbi 25°C!

6. INFORMACION I MËTEJSHËM

Çfarë përmban Amiodaron
Lënda vepruese është klorhidrat amiodaroni.
Çdo tabletë përmban 200 mg klorhidrat amirodaroni.

Përbërësit e tjerë janë: amidon, celulozë mikrokristalore, xhelatine, talk, glikolat natriumi i amidonit dhe stearat magnezi.

Përmbajtja e paketimit
Forma e paketimit: kuti x 30 tableta.

Mbajtësi i liçencës së tregtimit dhe prodhuesi:

PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta”
Tel.Fax. ++35542362800
Tirane ALBANlA



Main menu 2