Jump to Navigation

Trend i rritjes së sëmundjes epileptike

02.05.2014 / Ariana Kasapolli - Selani / Në Kosovë rreth 20 mijë persona vuajnë nga epilepsia, thonë profesionistë shëndetësorë, derisa në botë vlerësohet se janë rreth 50 milionë njerëz me këtë sëmundje.
 
 Valbona Govori, neuropsikiatre, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo sëmundje paraqitet kryesisht te fëmijëria e hershme, derisa na flet edhe për trajtimin e kësaj sëmundjeje.
 
 “Me sëmundjen e epilepsisë, përpos Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht Klinikës së neurologjisë, merren edhe qendrat tjera të mjekësisë familjare. Epilepsia paraqitet në çdo kohë, shfaqja në moshën e fëmijërisë është më e shpeshta”, ka thënë Govori.
 
 Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë kanë deklaruar se trendi i sëmundjes së epilepsisë është në rritje.
 
 Gani Halilaj, neuropsikiatër, njëherësh shef i divizionit të shëndetit mendor në Ministrinë e Shëndetësisë, jep hollësi të tjera:
 
“Epilepsia, është një sëmundje mjaft e shprehur. Sa i përket çështjes së furnizimit, Ministria e Shëndetësisë ka bërë furnizim stabil, sidomos me barnat anti-epileptike, ku kemi disa lloje me të cilat furnizohet QKUK - ja, e që janë të nevojshme për trajtimin e kësaj sëmundje. Është e vërtetë që është një rritje e trendi i sëmundjes së epilepsisë, e që është ndërlidhshmëri e shumë faktorëve, por lidhet edhe me problemet që janë të shprehura në popullatën e Kosovës, sidomos pas luftës”.
 
 Ndërkaq, Govori flet edhe për kushtet, në të cilat trajtohen pacientët me epilepsi, në Klinikën neuropsikiatrike në Qendrën Klinikë Universitare.
 
 “Kushtet në Klinikën e neurologjisë janë relativisht të mira, por ne e dimë që mjekësia ka metoda çdo ditë e më të sofistikuara. Mendoj se kemi rezultate të mira gjatë trajtimit të këtyre pacientëve. Sa i përket barnave, qëndrojmë mirë, por ka mungesa të kohëpaskohshme”, ka thënë Govori.
 
 Shoqata kundër Epilepsisë e Kosovës nga viti 2011 është anëtare e Ligës Internacionale Evropiane kundër epilepsisë.

Copyright (c) 2014. RFE/RL, Inc. E ribotuar me lejen e Radios Evropa e Lirë , 1201 Connecticut Ave., N.W. Uashington DC 20036.



Main menu 2