Jump to Navigation

Shenjat paralajmëruese që çdo nënë duhet t’i di

Disa zhvillimeve qe mund të ndodhin gjatë shtatzënisë duhet t’i kushtohet vëmendje e menjëhershme. Mos harroni, mjeku juaj është i vetmi person që mund t’iu bëjë diagnozën dhe ta rregullojë trajtimin tuaj.
 
Gjakderdhja vagjinale: Domethënia e gjakderdhjes vagjinale do të ndryshojë varësisht nga java e shtatzënisë. Njëra nga shenjat e para të rrezikut të dështimit apo fillimit të lindjes është ajo që mund të quhet njollosje, një mukozë ngjyrë rozë që mund të shihni në letër tualeti. Pas marrëdhënies seksuale ju mund të shihni disa njolla të vogla gjaku. Por nëse gjakderdhjet vagjinale kanë ngjyrë të kuqe të ndezur që të keni nevojë për të mbajtur vata higjienike, atëherë kjo mund të jetë shenjë për ndonjë problem. Lajmëroni mjekun menjëherë. Plasenta previa është një komplikim kur placenta vendoset para qafës së mitrës dhe kjo mund të shkaktojë gjakderdhje aktive vagjinale por pa dhimbje. Ndërsa abrupsio placenta është shkëputja e parakohshme e placentës nga muret e mitrës para lindjes, duke shkaktuar dhimbje dhe gjakderdhje. Të dyja këto situata mund të jenë të rrezikshme si për foshnjën ashtu edhe për nënën, për këtë arsye duhet menjëherë ta njoftoni mjekun për këtë gjendje dhe të shtroheni në spital. Varësisht nga java e shtatzënisë dhe gjendjes suaj, mjeku do ta përcaktojë qasjen më të shëndetshme për ju.
 
Grisja e hershme e qeskës amniotike: Qeska amniotike brenda së cilës ndodhet foshnja nuk griset deri në fillimin e lindjes, ajo griset vetvetiu gjatë lindjes apo nga mjeku juaj. Kjo grisje nuk ju jep dhimbje por vetëm shkakton rrjedhjen e një lëngu nga vagjina. Nëse ndjeni se po rrjedh lëng pa kontroll që i lag mbathjet tuaja atëherë njoftoni mjekun menjëherë. Varësisht nga java e shtatzënisë dhe gjendjes suaj, mjeku do ta përcaktojë qasjen më të shëndetshme. Në disa raste, posaçërisht kur qëndroni në këmbë, nga vagjina mund të rrjedhë ujë ngadalë dhe në sasi të vogël. Kjo rrjedhje për shkak të shtypjes zakonisht përzihet me rrjedhat normale apo shkakton urinimin e pavullnetshëm. Mjeku juaj mund të kërkojë të bëni një test për të përcaktuar se nga vjen ky lëng. Nëse keni çfarëdo problemi lajmëroni mjekun.
 
Pre-eklampsia: Pre-eklampsia është komplikim i shtatzënisë që karakterizohet nga tensioni i lartë i gjakut, ënjtjet dhe shtimi i proteinave në urinë. Shkaktari i vërtet i kësaj gjendjeje nuk dihet mirëpo bëhet fjalë për një çrregullim intravenoz. Zakonisht shfaqet gjatë shtatzënisë së parë për shkak të ushqyerit jo të shëndetshëm apo nga pesha e tepërt. Faktorët e rrezikut të pre-eklampsisë janë shtatzënia e shumëfishtë, sëmundja e sheqerit dhe e veshkave, mosha shumë e re apo e vjetër e nënës, dhe sëmundjet e ligamenteve. Kjo sëmundje përgjithësisht ndodh më vonë në shtatzëni dhe shërohet bashkë më lindjen. Diagnoza bëhet nëpërmjet përcjelljes së tensionit dhe analizës së urinës dhe kështu mund të merren masa për parandalimin e shfaqjes së problemeve më serioze. Shfaqja e njollave drite para syve, kokëdhimbjet e rënda dhe të vazhdueshme, turbullirë në shikim, dhimbje në pjesën e epërme të djathtë të abdomenit dhe shtimi i menjëhershëm i peshës mund të jenë shenja të këtij problemi. Nëse ndonjëra prej këtyre shfaqet lajmëroni mjekun. Nëse pre-eklampsia nuk trajtohet me kohë mund t’iu bëj dëm juve dhe foshnjës suaj.
 
Lindja e parakohshme:  Lindjet që ndodhin para javës së 37-të të shtatzënisë emërtohen si lindje të parakohshme. Kjo shfaqet në rreth 6% të shtatzënive. Faktorët e rrezikut të lindjes së parakohshme janë shtatzënia e shumëfishtë, infeksionet, dhe lindja e parakohshme në të kaluarën.  Nëse para datës së lindjes ndjeni shtrëngim në mitër në mënyrë rregullt dhe në periudha të caktuara njoftoni mjekun menjëherë. Lindja e parakohshme mund të shkaktojë zhvillimin e pamjaftueshëm të mushkërive të foshnjës suaj, probleme serioze në tru dhe sistemin e tretjes, si dhe probleme në të shikuarit. Intervenimi me kohë do t’iu ndihmojë juve dhe foshnjës suaj.
 
Nëse shfaqet ndonjëra nga simptomat më poshtë lajmëroni mjekun tuaj:
 
• gjakderdhje vagjinale ose ardhja e ujit
 
• kokëdhimbje të rënda
 
• Dhimbje të pazakonshme
 
• shikim të turbullt, apo njolla drite që shfaqen para syve
 
• temperatura që tejkalon 38 C
 
• djegie në urinë, ulje të sasisë së urinës
 
• të përziera dhe të vjella që nuk kalojnë
 
• kruarje ose ënjtje e pazakonshme
 
• Marramendje apo alivanosje
 
• Ënjtje e pazakontë e fytyrës dhe gishtave
 
• pakësim të lëvizjeve të foshnjës
 
• Përveç këtyre, nëse i jeni ekspozuar sëmundjeve që çajnë lëkurën si  fruthi, hepatiti apo sëmundjeve që transmetohen seksualisht thërrisni mjekun tuaj menjëherë.



Main menu 2