Jump to Navigation

Rrëzimet aksidentale, rreziku kryesor për të moshuarit

Studimet tregojnë se rrëzimet aksidentale janë shkaku kryesor i lëndimeve dhe vdekjeve te të moshuarit. Shkencëtarët në Universitetin e Misurit po zhvillojnë teknologji për t’u dhënë ndihmën e shpejtë të lënduarve dhe për të gjetur një mënyrë për të parandaluar rrëzimet. Ish-zonja e parë Nensi Regan u shtrua në spital për pak orë pasi u rrëzua më 17 shkurt në shtëpinë e saj, në Los Angeles. 85-vjeçarja Nensi Regan duket fizikisht e dobët, por mjeku i saj tha se nuk ka pësuar dëmtime.

Neurologët thonë se rrëzimi nuk është pjesë normale e pleqërisë. Shumë njerëz rrëzohen. Por të moshuarit janë më në rrezik dhe gjysma e atyre që rrëzohen ka të ngjarë të rrëzohen përsëri. Njerëzit rrëzohen kur pësojnë hemorragji cerebrale ose goditje në zemër. Ndihma e shpejtë mund të shpëtojë jetë dhe të parandalojë dëmtime të mëtejshme të zemrës dhe trurit. Njerëzit rrëzohen edhe për arsye të tjera. Dhe nga kjo shkaktohen fraktura të legenit, dëmtime të trurit dhe të tjera dëmtime që e bëjnë rrëzimin shkakun kryesor të vdekjeve nga plagët e marra te të moshuarit. Rënia është gjithashtu shkaku i dëmtimeve jovdekjeprurëse mes të moshuarve dhe shkaku numër një i shtrimeve në spital të kësaj grupmoshe për shkak të traumave që pësojnë.

Studiuesja Marilyn Rantz në Univeristetin Misuri pohon se miliarda dollarë shpenzohen për të mbuluar koston e kujdesit shëndetësor për mjekimin e të dëmtuarve nga rrëzimet. “Prandaj puna jonë është përqendruar jo vetëm në gjetjen e shkaqeve që shkaktojnë rrëzimin, por edhe në vlerësimin e rreziqeve që vijnë prej tyre. Nëse studiuesit do të arrijnë të zbulojnë se kur një person është më në rrezik të rrëzohet para se kjo të ndodhë, ata mund të ulin koston e mjekimeve dhe mund të parandalojnë shumë dhembje dhe vuajtje”, – thotë Rantz. Zonja Rantz punon me Marjorie Skubic dhe shkencëtarë të tjerë në Universitetin e Misurit.

Ata pohojnë se mund ta përdorin këtë përvojë për të ndërtuar programe kompjuterike në mënyrë që të jemi në gjendje të njohim automatikisht si ndodhin këto rrëzime në jetën e përditshme. Studiuesit marrin të dhëna nga kamerat dhe sensorët dhe i hedhin në kompjuter për të zbuluar shenja paralajmëruese para se të ndodhë rënia. Profesor Skubic thotë se kompjuterat mund të dallojnë ndryshimin midis shtrirjes në dysheme dhe asaj në divan. Kur dikush rrëzohet, bie alarmi dhe ndihma vjen menjëherë. Programi kompjuterik mund të paralajmërojë infermieret kur ka ndryshim në mënyrën e ecjes së të moshuarve. Nëse dikush është më në rrezik për t’u rrëzuar, infermierët mund t’i mësojnë atij teknika për të parandaluar rënien.



Main menu 2