Jump to Navigation

Efektet e domates për sëmundjet e ulcerës, zemrës dhe reumatizmës

Të gjitha efektet kuruese të domates dhe vlerat ushqyese që ajo përmban

Domatja është një nga perimet më të njohura për vlerat e saj kuruese. Perimet luajnë një rol të rëndësishëm në organizmin e njeriut në çdo kohë dhe për të gjitha stinët. Ato përmbajnë kripëra minerale, karbohidrate, proteina, acide organike, fitoncide (antibiotikë bimorë) dhe veçanërisht vitamina. Perimet nxisin veprimin e gjëndrave të tretjes dhe ndikojnë drejtpërsëdrejti në përvetësimin e ushqimeve që treten me vështirësi. Perimet janë të pasura me kripëra të kaliumit, fosforit, kalciumit, magnezit, hekurit etj, të cilat treten lehtësisht nga organizmi i njeriut.

Disa nga perimet janë të pasura me proteina në sasi të barabartë me mishin, si për shembull bishtaja (që quhet mishi i gjelbër) dhe në përgjithësi bishtajoret. Sa për vitaminat, perimet mbajnë vendin e parë. Vitaminat luajnë rolin kryesor në shkëmbimin e lëndës (metabolizmit) në organizmin e njeriut, pa të cilat jeta do të ishte e pamundur. Janë tepër të rëndësishme për jetën e njeriut vitaminat A dhe C dhe nevojat e organizmit me vitamina plotësohen duke konsumuar jo sasi, por shumëllojshmëri perimesh.

Vlerat ushqyese të domates Për vlerat e saj ushqyese, domatja ka gjetur përdorim të gjerë. Ajo është e pasur me Vitamina C dhe A. Gjithashtu, domatja përmban kripëra minerale, acide organike etj. Ndër kripërat, vend të rëndësishëm zënë potasi, fosfori, kaliumi, hekuri, magnezi raporti i të cilave krijon një ekuilibër të përsosur të ushqimit. Domatja përmban edhe antibiotikë bimorë si tomatina, e cila shërben në shërimin e sëmundjeve të lëkurës dhe të aparatit tretës. Lëngu i domates ushtron ndikim të madh në shërimin e plagëve të infektuara si dhe të ulcerave kronike. Ai vepron gjithashtu mbi sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut. Domatja ndikon në kurimin e formave të lehta reumatike.

Gjithashtu, ajo ka veti kuruese edhe për nefritin, artritin dhe kapsllëkun. Pas Vitaminës C dhe antioksiduesve, zbulimet e fundit për të parandaluar kancerin e vënë theksin te glikopeni, që është dhe përbërësi kryesor i domates. Për të luftuar plakjen, për të parandaluar kancerin apo për të pasur një lëkurë të bukur, asgjë nuk do të ishte më e çmuar se sa marrja gjatë vakteve të ditës të një “ilaçi” me emrin domate. Atë mund ta përdorësh të “gjallë”, në salcë, gjellë, sallatë, makarona, rizoto, supa, koktejl (koktejli i famshëm “Bloody Mary” përgatitet me lëngun e domates) apo në gatime të ndryshme, për të cilat nuk është e nevojshme të konsultohesh me ndonjë mjek apo të kesh recetë për t‘i blerë.

Antioksiduese Është vërtetuar se domatet kanë veti magjike, janë të shijshme, ekonomike, por mbi të gjitha janë aleate të çmuara për shëndetin. Prania e madhe e antioksiduesve shkatërron radikalet e lira, cilësohet nga shumë ekspertë si dhurata e natyrës, prandaj domatet luftojnë sëmundjet. Është zbuluar se këto substanca arrijnë rezultate të shkëlqyera, madje mund të krahasohen edhe me ilaçet tradicionale që mund të shkaktojnë edhe dëme. Domatet janë të pasura me betakaroten, likopen (substanca që u jep atyre ngjyrën e kuqe) dhe me vitaminat më të mira dhe më efikase se çdo gjë tjetër në luftën kundër plakjes. Jo më kot është cilësuar si fryti më i përhapur në botë pas mollëve, bananeve, rrushit dhe portokalleve.

Në të vërtetë, nuk ka këshillë më të mirë sesa të hash ushqime që jo vetëm nuk të sëmurin, por mbi të gjitha të mbrojnë. Antikanceroze Laboratori i artë i natyrës është në gjendje të na ofrojë gjithçka, sidomos kur shkenca ka zbuluar me kujdes virtytet e produkteve të saj. Kërkimet mjekësore që shtohen vit pas viti kanë treguar se domatet dhe produktet e tjera ku ato përdoren kanë aftësinë të jenë antikanceroze dhe të ulin rrezikun e zhvillimit të kancerit.

Sipas ekspertëve, konsumi i rregullt i saj ul pothuajse me tri herë mundësinë për t‘u prekur nga kanceri i prostatës, zorrës së trashë, mushkërive apo pankreasit dhe se efekti “mbrojtës” i detyrohet tërësisht likopenit, përbërës që gjendet me shumicë te domatja dhe është një armë e fortë në luftën kundër kancerit. Fillimisht, diçka e tillë dukej e pamundur, por faktet tregojnë se likopeni dhe antioksiduesit e domates mund të parandalojnë dhe reduktojnë zhvillimin e llojeve të ndryshme të kancerit, sidomos atij të prostatës te meshkujt, ndaj konsumi është i rëndësishëm për organizmin.

Konsumimi i dhjetë kokrrave domate në javë, të freskëta, të gatuara apo produkte të saj, mund të ulin rrezikun e prekjes nga sëmundjet me 60 për qind.

Sigurisht që mjekët duan t‘i bindin njerëzit të hanë domate dhe produktet që rrjedhin prej saj, pasi mund të reduktojnë rrezikun e përhapjes së shumë llojeve të kancerit, por kjo nuk do të thotë se ata duhet të hanë vetëm domate. Por domatet duhet të jenë shoqërueset e para të një diete të pasur ushqimore me fruta dhe perime. Nga ana tjetër, ajo mund të ndihmojë edhe në uljen e kolesterolit të keq në gjak. Studimet e fundit të mjekëve finlandezë treguan se salca e kuqe e quajtur ndryshe “ketch up” largon kolesterolin e keq në organizëm.

Sipas kërkimit finlandez, salca e kuqe, aq e dashur për anglezët dhe jo vetëm për ta, është një minierë e artë për zemrën dhe mjafton një sasi e vogël në ditë për të mbajtur tërësisht nën kontroll vlerat e LDL, të ashtuquajturin “kolesteroli i keq”. Jo më kot, Hipokrati e kishte si rregull që çdo pacienti të tij i thoshte: “Ushqimet që hamë janë në gjendje të influencojnë në “nxehtësinë” e organizmit dhe gjenezën e sëmundjeve”. Shumë mjekësi tradicionale, mes të cilave edhe ajo indiane dhe kineze, mbështesin se nuk ka ushqime 100 për qind të shëndetshme për organizmin, por ka ushqime që janë të përshtatshme për çdo njeri dhe kjo është domatja.



Main menu 2