Jump to Navigation

Përurohet Reparti i Emergjencës, Njësisë së Transfuzionit dhe Administratës në Spitalin Rajonal në Mitrovicë

Prishtinë 23 dhjetor 2013 / Në Spitalin Rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri”  në Mitrovicë u përurua sot Reparti i  Emergjencës, Njësisë së Transfuzionit dhe Administratës, një investim ky i përbashkët i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë Norvegjeze.

Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, tha se kjo paraqet një fitore të punës së përbashkët  të Spitalit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, të cilat kanë kontribuar që rrita e spitalit të jetë e pandalshme dhe cilësia e shërbimeve shëndetësore të vijë çdo ditë duke u përmirësuar. Hapja e tri kapaciteteve të reja tregon përkushtimin  që Ministria e Shëndetësisë e ka pasur  për zhvillimin e këtyre shërbimeve dhe konsiderimin e tyre si prioritet.

Me këtë rast, Ministri Agani tha se Ministria është në hap të pandalshëm të zhvillimit të rëndësishëm dhe është e përkushtuar për luftimin e dukurive negative që e kanë karakterizuar deri tash sektorin dhe, gjithashtu,  e përkushtuar që reformën që ka filluar, ta zhvilloj në themele të shëndosha. Ai tha se hartimi i Ligjit për Odat e Profesionistëvë Shëndetësor, Projektligji për Sigurime Shëndetësore dhe miratimi i Statutit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar paraqesin një arritje apo një kornizë të shëndosh që motivimi i punonjësve shëndetësor të jetë në nivelin e duhur dhe kjo të shndërrohet në ofrim të shërbimeve sa më cilësore për qytetarët.

Dr. Agim Peci, drejtori i Spitalit të Mitrovicës tha se Këshilli Drejtues i spitalit Strategjinë e zhvillimit të spitalit e ka orientuar në këto shtylla: zhvillimin e hapësirës; sigurimin e  kuadrit; furnizimin me aparaturë bashkëkohore dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve. Brenda dy viteve të fundit, me ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë, spitali ka punësuar 16 specialistë, 31 mjekë janë në specializim nga ky spital, janë punësuar 60 punëtorë të stafit të mesëm dhe 19 personel mbështetës.

“Spitali Rajonal i Mitrovicës gradualisht po e merr fizionominë e një spitali bashkëkohore falë bashkëpunimit dhe përkrahjes së Ministrisë së Shëndetësisë”, tha drejtori Agim Peci.



Main menu 2