Jump to Navigation

Diabeti rrezik per zemren dhe trurin

Rrallë ndonjë sëmundje tjetër në dukje kaq “e butë” krijon ndërlikime kaq të shumta e të rënda sa diabeti. Rrallë ndonjë sëmundje tjetër sa ai arrin të prekë e të dëmtojë aq heshtazi e ngadalë thuajse të gjitha organet kryesore te trupit pa përjashtim dhe sidomos enët e gjakut duke krijuar aksidente kaq dramatike e madje tragjike. Çudia është se vetëm pak të sëmurë me diabet e dinë këtë të vërtetë dhe akoma më të paktë janë ata që e besojnë. Diabeti arrin mjaft shpesh t’i mashtrojë viktimat e tij. Si, në ç’mënyrë? Së pari: Prej mosdijes, mosnjohjes së tij! Shumë të sëmurë nuk e dinë që diabeti krijon ndërlikime. Nuk i njohin ato, madje dhe kur vuajnë prej tyre, nuk u shkon mendja t’i lidhin me të. Së dyti: gënjehen nga forma apo paraqitja e “butë” e diabetit. Ata kujtojnë se vetëm diabeti i “rëndë” “ai që mjekohet me insulinë” është i rrezikshëm, kurse diabeti “i lehtë” pa shenja, me glicemi jo shumë të lartë (që mjekohet me dietë ose hapa) është jo i dëmshëm”.

Rreziqet reale të diabetit
Diabeti i pamjekuar ose i mjekuar keq krijon në mënyrë të sigurt ndërlikime. Ato janë të shumëllojshme. Sipas kohës së shfaqjes mund të ndahen në ndërlikime të mprehta (akute, urgjente të shpejta), të cilat do t’i përshkruajmë pas kapitullit të mjekimit, dhe në ndërlikime të largëta, apo të ngadalshme, të cilat mund të grupohen në tri kategori të ndryshme, si më poshtë:
1. Ndërlikime që shfaqen në enët e imta të gjakut, në kapilarët e arteriet me kalibër shumë të vogël.
2. Ndërlikime aterosklerotike në enët e gjakut me kalibër të madh.
3. Infeksione e dëmtime në inde e organe të ndryshme të organizmit.

Ndërlikimet
Ndërlikimet që krijohen nga dëmtimet e kapilarëve të gjakut dhe arterieve të vogla. Janë më karakteristike e më tipiket për diabetin. Ato shfaqen zakonisht 3-10 vjet pas fillimit të tij, por vetëm në ato raste kur mjekimi nuk është bërë në mënyrë të kujdesshme e të vazhdueshme. Sa më i vjetër të jetë diabeti, sa më shumë vjet të jetë i sëmuri me hiperglicemi, sa më e lartë të jetë niveli i saj pra sa më i çrregulluar të jetë diabeti, aq më të shpeshta , më të përhapura e më të rënda do të jenë këto dëmtime. Preket e dëmtohet sidomos i tërë rrjeti kapilar, i cili është i përhapur në të gjitha pjesët sado të vogla të organizmit, në të gjitha organet, duke shkaktuar çrregullime në funksionin e tyre.

Ndërlikimet në sy, të shikimit
Së pari, këto dëmtime shfaqen e vërehen në kapilarët brenda syrit, pikërisht në atë shtresë të tij që quhet retinë. Kjo është një cipë shumë e hollë në fund të syrit që luan rolin vendimtar për shikimin e fotografimin e objekteve. Kapilarët e retinës, nën ndikimin e hiperglicemisë kronike shumëvjeçare, deformohen, mbyllen, çahen, lëshojnë brenda në sy lëngje dhe hemorragji, të cilat cenojnë retinën e dëmtojnë pamjen, deri në verbim të plotë.

Ky ndërlikim quhet retinopatia diabetike dhe është ndër ndërlikimet më të hershme e më të shpeshta të tij. Fatmirësisht ai nuk zhvillohet për një ditë dhe as për një vit. Duhen vite të tëra që retina të arrijë të prishet e të humbasë pamjen. Zbulimi i dëmtimeve fillestare që quhen mikroaneurizma arrihet me një kontroll fare të thjeshtë të fundit të syrit nga mjeku okulist. Është koha që gjithçka mund të ndreqet. Të sëmurët që kanë shenja hemorragjie në retinë duhet, përveç diabetit, të kontrollojnë vazhdimisht tensionin arterial, ta mbajnë atë gjithmonë në shifra normale e po qe i lartë të përdorin patjetër mjekim të vazhdueshëm për ta ulur e normalizuar. Duhet patur parasysh që përveç dëmtimeve të kapilarëve retinalë diabeti mund të krijojë në sy dhe ndërlikime të tjera, si infeksione, rritje të presionit brenda syrit (glaukoma) dhe sidomos zhvillimin që në moshë të re të perdes (kataraktit). Veç këtyre tek te sëmurët me diabet mund të ndodhin turbullime dhe deri humbje të papritura të pamjes. Por ato janë kalimtare jo nga retinopatia por të lidhura me luhatjet e mëdha e të befta ditore të nivelit të glicemisë. Edhe këto ndërlikime janë pasojë e mosmjekimit dhe e ekuilibrit të keq të diabetit, pasojë e hiperglicemisë së pamjekuar ose të lënë pas dore.
 
Ushqime që mund të përdoren pa kufizim: Zarzavate, Domate, Kastravecë, Karota, Sallatë jeshile, Lulelakër, Speca, Panxhar i kuq, Qepë, Rrepë, Lakër e bardhë, Lëngjet, Ujë mineral, Ujë i gazuar, Lëngje zarzavatesh, Kafe, çaj pa sheqer.

Ndërlikimet nervore tek të sëmurët me diabet
Në dëmtimet e rrjetit kapilar me rëndësi të veçantë janë dhe neuropatitë e diabetit që përfaqësojnë dëmtim e vuajtje të nervave nga kjo sëmundje. Prekja e sistemit nervor mund të jetë shumë më e gjerë, njëhershmi në nervat periferike ashtu dhe në nervat e organeve të brendshme. E para, shfaqet në formë dhimbje, mpirje, ç’mpirje e djegie në formë neuriti. Ulet ndjeshmëria ndaj të ftohtit, të nxehtit e dëmtohen reflekset. Një nga shenjat karakteristike është djegia e shputave të këmbës, sidomos në orët e natës. Në faza më të avancuara nervat dëmtohen aq shumë sa bëhen të pandjeshëm, nuk përcjellin dot as dhimbjen as të nxehtin, të ftohtin apo prekjen.

Ndikimet e diabetit te zemra dhe truri
Arterioskleroza është një proces që krijohet nga ndikimi i përbashkët dhe nga pleksja e një sërë faktorësh favorizues, si dhjamosja e tepërt, tensioni i lartë i gjakut, yndyrat e tepërta në gjak, nikotina e duhanit, emocionet e ankthi i vazhdueshëm, puna ndenjur, jeta pa lëvizje fizike, trashëgimia etj. Diabeti dhe arterioskleroza janë dy sëmundje njësoj të rrezikshme, sepse për një kohë të gjatë të dyja rrinë të fshehura e të heshtura. Në diabet rritet sheqeri në gjak, ai dëmton për vite me radhë kapilarët e gjakut, por as ndihet e as dhemb. Çdo diabetik, pavarësisht nga forma e diabetit apo mjekimi që përdor, sidomos kur kalon moshën 40 vjeç, e ka të domosdoshme të bëjë përpara se të jenë shfaqur shenjat e stenokardisë një kontroll me anën e një prove më të saktë: regjistrimin e elektrokardiogramës pas një ushtrimi fizik.

Ndërlikimet me infeksione të diabetit
Diabeti mund të fshihet pas infeksioneve të përsëritura të tilla si infeksione të tjera qelbësuese të lëkurës, infeksione urinare (me ose pa djegie gjatë urinimit), tuberkuloz, infeksione në organet gjenitale, mukoza (që shfaqet me të kruara të “vetes”), infeksione të mishrave të dhëmbëve, të bajameve, sinozite e sëmundje të gojës në përgjithësi, infeksione të mushkërive, bronkeve, rrugëve të tëmthit, të thonjve të këmbëve etj. Diabetikët janë më “delikatë”, ftohen më lehtë, u ngjitet shpejt rrufa, infeksionet e ndryshme virusale dhe gjithë sëmundjet infektive në përgjithësi. Nga ana tjetër, të sëmurët që e dinë se vuajnë nga diabeti, duhet të kenë kujdes të veçantë që të mbrohen nga infeksionet, sepse këto çrregullojnë rëndë diabetin. Mbrojtja arrihet thjesht me anë të një diete të kujdesshme.

Disa këshilla të dobishme për diabetikët
Së pari është e këshillueshme respektimi i rregullave të higjienës së trupit (higjiena e lëkurës së duarve, dhëmbëve, thonjve, e këmbëve, e organeve gjenitale), ruajtja nga lagështia, të ftohtit, korrentet e erës etj. Së dyti: vaksinimi i rregullt kundër të gjitha sëmundjeve infektive duke përfshirë edhe gripin. Së treti: mjekimi i rregullt e i përpiktë i diabetit, ruajtja e ekuilibrit të vazhdueshëm të tij. Lufta më e mirë ndaj infeksioneve është parandalimi i tyre. Nga ana tjetër, nuk duhet shpresuar që infeksionin do ta mposhtë vetëm mjekimi me antibiotikë apo ilaçe të tjera antiinflamatore. Që të mposhtet një infeksion në të sëmurët me diabet, përveç antibiotikëve apo ilaçeve të tjera antiinflamatore duhet bërë patjetër dhe mjekimi shembullor i diabet.



Main menu 2