Jump to Navigation

Steroidet anabolike

Steroidet anabolike janë substanca sintetike të hormoneve seksuale mashkullore të cilat kanë strukturë të ngjashme me hormone natyrale. Steroidet ndihmojnë në rritjen e muskujve të skeletit, në zhvillimin e karakteristikave seksuale ashtu si dhe në disa efekte të tjera anësore. Steroidet u prodhuan për herë të parë në vitet '30 kryesisht për të kuruar hipogonadizmin, një sëmundje ku testikujt nuk prodhojnë testosteron të mjaftueshëm për rritjen normale dhe zhvillimin e karakteristikave seksuale.

Tashmë, steroidet përdoren për të kuruar zhvillimin e vonshëm të pubertetit, impotencën, dhe gjithashtu dhe për pacientë me AIDS, për të ndihmuar në rritjen e imunitetit. Gjithashtu ne vitet ’30 u pa se këto substance ndihmojnë edhe në rritjen e masës muskulore, kështu që steroidet u përdorën menjeherë nga bodybuilderët, peshëngritësit dhe atletë të sporteve të tjera.

Abuzimi i ketyre substancave është rritur shumë që nga ajo kohë dhe është bërë shumë popullor sidomos në bodybuilding. Tashmë, janë zhvilluar më tepër se 100 steroide të ndryshme. Shumë prej tyre janë në formë tablete dhe merren nga goja, të tjera janë ampula që merren me injektim në muskuj. Ato steroide që injektohen në muskuj ndahen në ato që janë me efekt të gjatë apo ato me efekt të shkurtër.

Steroidet me efekt të shkurtër janë zakonisht substanca ujore që zhduken nga trupi shpejt, gjë që bën të vështirë dallimin e këtyre substancave në testet e dopingut në kampionate sportive. Ne vitet e fundit popullaritet kanë fituar format e tjera si xhel apo krem që fërkohen në lëkurë. Abuzuesit e steroideve zakonisht mbidozohen me këto substanca, me një fjalë marrin dy apo më tepër steroide në të njëjtën kohë duke kombinuar forma tabletash dhe intra-muskulore, duke rritur kështu rrezikun për efekte anësore. Kjo mënyrë përdorimi nuk ka ndonjë mbështetje shkencore.

Shumë shpesh, atletët i përdorin në cikle steroidet, në mënyrë piramidale, ku fillojnë t'i rrisin dozat deri në gjysëm të ciklit dhe pastaj i ulin prapë deri në fund të ciklit. Nje cikël zgjat 6 deri në 12 javë. Kjo mënyrë përdorimi i jep mundesi trupit të rikuperohet nga abuzimi i steroideve. Siç përmendet më sipër kjo mënyre perdorimi nuk ka mbështetje shkencore.

Steroidet më popullore janë: Dianaboli (methandienone), Deca-Durabolin (nandrolone decanoate), Durabolin (nandrolone phenproprionate), Anadrol (oxymetholone), Winstrol (stanozolol) etj. Steroidet ndër vite sa vijnë e bëhen më popullore, sidomos në sporte si bodybuildingu, bejsbolli, futbolli amerikan, peshëngritja, çiklizmi etj. Tashmë, abuzimi i këtyre substancave fatkeqësisht bëhet jo vetëm nga atletë por edhe punëtorë, studentë etj, Çdokush që kërkon të rrisë masën muskulore për tu dukur më bukur, për tu ndjerë më mirë për veten dhe gjithashtu ata arrijnë të sterviten më fortë.

Arsyeja që njerëzit abuzojnë me asteroidet është shumë e thjeshtë: ato për një moment të caktuar e bejnë punën. Askush nuk mund t'i mohojë dhe të thotë që asteroidet janë të pavlefshme apo nuk kanë efekt. Steroidet jane te efektshme. Shume atletë shtojne 10 kilogram për një apo dy muaj, megjithatë qëllimi nuk e justifikon mjetin në këtë rast.

Për efektet anësore të këtyre substancave flitet pak ose aspak, e janë ato për te cilat duhet të kemi shumë kujdes. Ato fillojnë me zhvillimin e akneve, inhibim të sintezës së hormoneve natyrale, impotencë, dëmtim te mëlçisë, ngritje e nivelit të kolesterolit, rritje të tensionit arterial, çrregullime në sistemin imunitar, dobësim të tendinave, e deri tek kancerii i mëlçisë dhe sëmundjet e veshkëve. Aq më tepër steroidet ndalojnë rritjen e adoleshentëve duke i mbyllur qendrat epifizale të rritjes në kockat e trupit.

Këto janë vetëm disa nga efektet fizike, nga ana tjetër efektet psikologjike janë gjithashtu shumë të pranishme. Më të njohura këtu janë përzierje ndjenjash, depresion, ndjenja agresiviteti, dhe më e keqja varësi psikologjike ndaj steroideve. E fillova këtë artikull meqë në shtetet perëndimore tashmë çdo ditë po dalin në pah skandale të abuzimit me steroide në të gjitha diciplinat sportive. Thuhet se rreth 80% e gjithë beisbollistëve në SHBA përdorin steroide. Shume bejsbollistë kanë pranuar para publikut se kanë përdorur steroide për një kohë të gjatë duke e vërtetuar faktin me efektet anësore. Kjo ka shkaktuar argumente dhe diskutime publike ndaj steroideve, dhe sidomos ka influencuar shume të rinjë edhe në vendin tonë të cilët kanë idhuj këta atletë, dhe fatkeqësisht fillojnë marrjen e këtyre sustancave pa qenë të vetëdijshëm për pasojat serioze që sjellin ato!

Nëse ju jeni një nga ata të rinj, ndalo për një moment dhe mendo për të ardhmen. Jeta është shumë herë më e gjatë sesa karriera sportive. Fatkeqësisht, trupin nuk mund ta ndërrojmë aq herë sa nderrojmë makinat apo veshjet. Kur karriera sportive është më tepër se një kujtim i largët, ndoshta disa kupa apo medalje në dollap, kanceri, ataqet e zemrës, sëmundjet e zemrës dhe shumë e shumë pasoja të tjera do jenë të vetmet kujtime nga ditët e lavdishme të rinisë.

Përgatitii: Pleurat Pula



Main menu 2