Jump to Navigation

Çfarë mund të bëjnë pacientët për të shmangur gabimet e mjekimit?

Medikamentet janë një mjet i zakonshëm në arsenalin e mjekut për trajtimin e sëmundjeve, por ato  mund të jenë gjithashtu një burim i zakonshëm efektesh të dëmshme midis pacientëve. Një studim nga Health Services Research në Amerikë, analizoi të dhëna e ngjarjeve të padëshiruara nga barnat prej vitit 2005 deri në 2007. Studiuesit zbuluan se 0,5% e të gjitha vizitave shëndetësore ambulatore te të rriturit janë të lidhura me efekte të padëshiruara nga barnat. Vetëm 0,5% e vizitave mund të duket si një pjesë e vogël, por kësaj i shtohen deri në rreth 4.5 milionë vizita tek mjeku çdo vit për efekte të padëshiruara të barnave. Kjo do të thotë se çdo vit pacientët vizitohen më shumë për të trajtuar problemet e lidhura me medikamentet sesa për streptokokun e fytit ose pneumoninë.

Pacientët që merrnin nga gjashtë deri tetë medikamente kishin gati katër herë më shumë mundësi të bënin këto vizita në krahasim me njerëzit që nuk merrnin medikamente. Nuk është çudi, që njerëzit e moshuar që marrin më shumë medikamente në përgjithësi kishin një risk më të lartë se sa të rinjtë.

Në një tjetër raport të diskutuar në American Medical News, në vitin 2008 rreth 1.9 milion shtrime spitalore (rreth 5% e tyre) rezultuan në një efekt të padëshiruar të lidhur me barnat. Efektet e padëshiruara nga barnat mund të lindin nga shumë arsye. Pacientët mund të marrin barin e duhur në dozën e duhur për problemin e duhur, por sistemi i tyre thjesht reagon keq, ndaj barit në një mënyrë të papritur. Gjithashtu ata mund të marrin sasi të larta të barit, ose ta marrin atë në mënyrën e gabuar, ose mund të bien viktima të një kombinimi të keq midis barnave të ndryshme.

Jepen shumë udhëzime për mjekët, farmacistët dhe spitalet për të pakësuar numrin e efekteve të padëshiruara nga barnat: shfrytëzimi i programeve kompjuterike të posaçme, një përzgjedhje e kujdesshme e alternativave terapeutike, dhe në raste të pamundësisë së zgjedhjes, monitorimi i vazhdueshëm farmakoterapeutik i pacientëve për të identifikuar ngjarje të padëshirueshme dhe prania e farmacistit në ekipin multidisiplinar.

Por gjithashtu individët mund të mbrojnë veten e tyre. Pacientët mund, dhe duhet thjesht të pakësojnë numrin e barnave që përdorin. Shumë prej sëmundjeve kronike e të rënda që kërkojnë barna janë të parandalueshme, si diabeti, hipertensioni, kolesteroli i lartë, etj. Nëse ushtroni më shumë aktivitet fizik, mbani peshën ideale, hani më shumë produkte bimore dhe më pak ushqime të përpunuara dhe shmangni duhanin, ju do të mbroni veten tuaj në radhë të parë. Këto mund të pakësojnë gjithashtu nevojën për barna antidepresive dhe anksiolitike.

Përgatiti: Vjosa Shkodra



Main menu 2