Jump to Navigation

Statinet, Barnat e Ri Çudibërës?

Edhe pse ndryshimet në stilin e jetesës dhe dietë mund të prodhojnë rezultate pozitive në shëndetin e zemrës, shumë njerëz ende përjetojnë nivele të larta të kolesterolit megjithë ndryshimet e jetesës, ndërsa të tjerët e kanë të vështirë të kontrollojnë vazhdimisht faktorët e rrezikut si dieta, pirja e duhanit, ushtrimet, dhe kontrollin e peshës. E zgjidhja për këtë problem janë statinet, një klasë e barnave që përdoren për të ulur nivelet e larta të kolesterolit duke penguar enzimën HMG-CoA reduktaze, e cila luan një rol qëndror në prodhimin e kolesterolit në mëlçi. Këto masa ndërmirren me qëllim të prevenimit të ataqeve dhe goditjeve kardiake. Statinet mund të ndihmojnë gjithashtu në reabsorbimin e kolesterolit i cili është pllakosur në muret e arterieve, duke parandaluar kështu bllokimin e mëtejshëm të enëve të gjakut. Aktualisht janë shtatë statine në dispozicion: simvastatina, rosuvastatina, pravastatina, pitavastatina, lovastatina, ator va statina dhe fluvastatina. Ndërsa të gjitha kanë të njëjtin mekanizëm bazë të veprimit, ato nuk janë medikamente të njëjta.

Për shembull, disa statine, të tilla si rosuvastatina, janë më të fuqishme në aftësinë e tyre për të ulur nivelin e LDL-së(lipoproteinës me densitet të ulët) apo kolesterolit të “keq”. Statinet e tjera, të tilla si atorvastatina, janë më efektive në uljen e yndyrës, ose nivelit të triglicerideve. Një tjetër avantazh i statineve është se kanë një potencial për rritjen e HDL-së (lipoproteinës me densitet të lartë), të ashtuquajturin kolesteroli "i mirë" deri në 10%, i cili kolesterol prevenon formimin e pllakës arterosklerotike dhe rrit transportin e LDL-se nga gjaku për në mëlqi ku aty metabolizohet. Studimet e fundit, megjithatë, kanë hedhur një dritë të re mbi përfitimet e mundshme nga këto barna.

Në një studim që përfshin më shumë se 50.000 pacientë, statinet treguan një përfitim te pacientët me sëmundje arterosklerotike, apo forcim të arterieve. Ato jo vetëm që ulin kolesterolin, por ato kanë efekte të favorshme edhe në enët e gjakut, veshkat, dhe kockat. Statinet kanë treguar veprim ne uljen e formimit të gjakut të ngjizur dhe shkencëtarët këtë e kanë lidhur gjithashtu me zvogëlim të rrezikut për zhvillimin e sëmundjes Alzheimer, të kancerit të prostatës dhe të zorrës së trashë, thyerjeve të eshtrave, degjenerimit makular, glaukomës, dhe osteoporozës. Mirëpo, pavarësisht faktit se statinet janë barnat më të përdorshëm në uljen e nivelit të LDL-se dhe triglicerideve, dhe ndër barnat më të shitur në bote, duhet të kemi kujdes në ordinimin e tyrë sepse shoqërohen me veprime anësore nga më të ndryshmet, dhe duke ditur faktin se shumica e pacienëve i nënshtrohen kësaj terapie gjatë gjithë jetës. Efektet më të shpeshta anësore të statineve përfshijnë: dhembje koke, veshtirësi gjatë gjumit, dhimje të muskujve ose dobësi, të qenët i përgjumur, marramendje, të vjella, dhimbje stomaku, diarre, kapsllëk, puçrra etj.

Mioziti, i cili është një inflamacion muskular mundet me qenë një efekt anësor i rëndë i statineve. Një faktor i cili rrit rrezikun për dëmtime muskulore është kombinimi i statineve me barna të tjera. Një rast tipik është kombinimi i statineve me një klase tjetër të hipolipemikëve siç janë fibratet, me ç’rast rreziku për dëmtim muskular shumëfishohet në krahasim me një pacient qe mjekohet vetëm me statine. Gjithsesi, statinet janë një armë e fuqishme në duart e profesionistëve ne luftë për parandalimin e problemeve kardiovaskulare, dhe një përdorim i arsyeshëm i tyre mund të përmirësojë mjaft kualitetin e jetesës dhe të shpëtojë shumë jetë!

Përgatiti: Eglantina Mustafaj



Main menu 2