Jump to Navigation

Terapia Fagale - barnat inteligjente

Para disa ditësh, kur po shfletoja një monografi të vjetër, që fliste për historinë dhe revolucionin që bënë antibiotikët në mjekësi disi në mënyrë instiktive e fiksova në memorie një rresht mjaft interesant: “Thanks to penicillin he will come home”. Më vonë kuptova se kjo frazë ju kushtohej të gjithë atyre njerëzve e sidomos ushtarëve të plagosur që kishin arritur të ju mbijetonin infeksioneve vdekjeprurëse gjatë Luftës së Dytë Botërore ,falë zbulimit të penicilinës që koincidoi në atë kohë. Sipas shumë supozimeve që sot qarkullojnë në botë numri i viktimave gjatë kësaj lufte do ishte shumëfish më i madh sikur të mos ndodhte zbulimi i penicilinës.

Mirëpo “miti i penicilinës” nuk zgjati përgjithmonë, sepse bakteret u riorganizuan gjenetikisht drejt krijimit të shtameve rezistente, dhe sot siç dihet ndodhemi para një realiteti të njohur si “kriza antibiotike”….duhen zgjidhje të reja !!! Çka thoni për terapinë fagale ose barnat intelegjente???

Terapia fagale paraqet përdorimin terapeutik të bakterofagëve me qëllim të trajtimit të infeksioneve bakteriale. Kurse bakteriofagët janë virusë të cilët duke kryer ciklin e vetë të shumimit në baktere shkaktojnë lizën dhe vdekjen e tyre. Edhe pse kjo metodë mjekimi është përdorur gjithandej nëpër botë e posaçërisht në vendet e Ish-Unionit Sovjetik për më shumë se 90 vjet rresht, ajo sot në shumë vende të botës gjendet nëpër faza të ndryshme të testimit klinik dhe ende nuk ka marrë vizën e plotë të aprovimit.

Terapia fagale si koncept kurativ ka një gamë mjaft të gjerë të apikimeve potenciale si në: mjekësinë humane, stomatologji, shkencat veterinere, bujqësi etj. Nëse nikoqiri veprues I terapisë fagale nuk është qenie animale atëhërë në vend të termit “terapi fagale” shfrytëzohet termi “biokontrollë”, terme këto që përfaqësojnë të njejtin mekanizëm veprues por që dallojnë në targetet e tyre. Bakterofagët në fakt janë barna shumë më specifike sesa medikamentet e zakonshme sepse për këto barna në mënyrë hipotetike mund të konkludojmë se janë të padëmshme për organizmin nikoqir (njeriun, kafshën apo bimën) sepse atakojnë  vetëm qelizat bakterore. Por jo vetëm kaq, siguria e tyre është ende më precize sepse ata nuk i dëmtojnë as bakteret e dobishme te organizmit tonë siç është flora normale intestinale dhe në këtë mënyrë zvogëlohet dukshëm mundësia e infeksioneve oportune.

Pra, për këto barna mund të themi se kanë indeks terapeutik mjaft të lartë dhe profil të ulët te efekteve anësore krahasuar me grupin e barnat tjera që indikohen për të njejtin qëllim. Për shkak se fagët replikohen in-vivo atëherë efektiviteti i tyre realizohet edhe në doza shumë të vogla vepruese. Tani për tani fagët po përdoren për t’i trajtuar infeksionet bakteriale që nuk përgjigjen në antibiotikë ose janë rezistente në ta.

Menjëherë pas zbulimit të bakteriofagut me 1915, kishte lindur ideja që terapia fagale mund të shfrytëzohet si teknikë e re për eradikimin e infeksioneve bakteriale. Studimet më të mëdha janë bërë në Gjeorgji, në Institutin Eliava në Tbillisi si dhe në Institutin e Pasterit në Paris. Kurse studimet ekstenzive filluan gjatë viteve të dyzata të shekullit të kaluar në SHBA, me ç’rast edhe komercializimi i kësaj teknike ishte marrë nën përgjegjësinë e kompanisë së famshme farmaceutike Eli Lilly.

Megjithatë zbulimi i antibiotikëve që ndodhi në këtë kohë e sidomos futja në aplikim e penicilinave me 1941, bëri që shkencëtarët ta humbin interesimin për studim të metutjeshëm të terapisë fagale. Në këtë mënyrë gjatë kësaj kohe bota përendimore u orientua kryesisht në izolomin dhe prodhimin e antibiotikëve. Për kundër kësaj shkencëtarët rus vazhduan edhe më tej me hulumtimet dhe kërkimet e tyre me qëllim të zbulimit të benifiteve eventuale të kësaj teknike kurative.

Si rezultat i kësaj gjatë Luftës së Dytë Botëore vendet e Unionit Sovjetik me sukses kanë përdorur bakterofagët në trajtimin e ushtarëve me infeksione të plagëve dhe formave tjera të infeksioneve bakteriale. Mirëpo këto hulumtime në fushën e terapisë fagale nuk arriten të përhapen gjerësisht nëpër botë, për shkak të barrierës dhe vakumit shkencor që u zhvillua gjatë Luftës së Ftohtë. Vetëm kohëve të fundit ndodhi që këto publikime shkencore të botohen në gjuhën angleze në një përmbledhje të quajtur : “A literature review of the practical application of bacterophage research”.

Neglizhenca ndaj terapisë fagale nuk zgjati shumë, në fakt dominimi absolut i antibiotikëve ndaj bakteriofagëve filloj të zbehet menjëherë pas shfaqjes të rasteve të para të rezistencës antibiotike. Pra, kështu intersi për terapinë fagale u rikthye edhe njëherë por tani gjerësisht nëpër botë si njëra nga alternativat e mundëshme për luftimin e infeksioneve bakteriale e sidomos atyre rezistente në antibiotikë. Në fakt potenciali kurativ i bakterofagëve është investiguar në targete dhe fusha nga më të ndryshmet siç janë: Industria ushqimore - me qëllim të eliminimit të patogjenëve mjaft të shpeshtë në ushqimin e freskët dhe të pagatuar (psh. Campylobacter dhe Listeria) Praktika bujqësore - me qëllim të luftimit te patogjenëve të dëmshëm si : Escherchia, Campylobacter, Salmonella (tek kaf shët blegtorale), Lactococcus, Vibrio (tek akuakultura e peshqve), Erwina , Xanthomonas (tek bimët me rënësi bujqësore) Mjekësia humane – e cila në fakt paraqet aplikimin më të vjetër të terapisë fagale, deri më tani këta virusë tek njerëzit kryesisht janë shfrytëzuar kundër infeksioneve të shkaktuara nga E.Coli, Shigella, Vibrio, Staphylococcus dhe Streptococcus.

Ditëve tona terapia fagale ka gjetur aplikim edhe tek infeksionet sistemike e për më tepër edhe tek ato intracelulare. Hulumtimet e reja kanë çuar në zbulimin e disa enzimave fagale të ngjashme me lizinat, të cilat edhe më shumë e kompletojnë arsenalin antimikrobial të këtyre drogave intelegjente. Kohëve të fundit fagët kanë filluar të përdoren edhe si mekanizma transportues të antibiotikëve tradicional deri tek bakteret specifike ku duhet të veprojë antibiotiku (new drug delivery system), po ashtu janë dhënë edhe idetë e para për shfrytëzimin e këtyre virusëve si mjete transportuese të agjentëve antitumoralë.

Natyrisht në sensin origjinal kjo nuk mund të quhet “terapi fagale” por paraqet interes sa i përket zgjerimit të fushës aplikative të bakteriofagëve. Pa dyshim që është e udhës që edhe njëherë në mënyrë koncize t’i ritheksojmë dobitë e terapisë fagale: Trajtimi me bakterifagë ofron një mundësi alternative për terapinë e infeksioneve bakteriale. Është e besueshme që bakteriet mund të zhvillojnë rezistencë edhe kundër fagëve, mirëpo ky tip i rezistencës mund të tejkalohet shumë më lehtë sesa rezistenca antibiotike. Kështu zgjidhja e rezitencës fagale mund të bëhet brenda ditësh ose javësh kurse zbulimi i antibiotikëve të rinjë mund të merr edhe vite të tëra. Prandaj me të drejtë mund të themi se terapia fagale paraqet shpresën tonë të madhe për t’iu kundërvënë rezistences antibiotike në të ardhmen.

Bakteriofagët janë shumë specifik në këtë mënyrë ata sulmojnë vetëm një ose disa shtame të së njëjtës baktere . Për dallim nga kjo duket që antibiotikët tradicionalë kanë spektër më të gjerë veprimi duke vrarë bakteret patogjene dhe ato jopatogjene siç janë bakteret e florës së dobishme digjestive. Pra, përmes këtij specificiteti fagal reduktohet shansi i vrasjes së bakterive të dobishme. Po ashtu disa evidenca tregojnë se fagëve iu është përshkruar një aftësi e veçantë udhëtimi deri tek vendi i veprimit, përfshirë këtu kalimin e barrierës gjak-tru dhe mundësisë së trajtimit te infeksioneve meningeale. Sidoqoftë tek disa pacientë mund të zhvillohen edhe pergjigje imune gjatë terapisë me fagë.

Disa grupe hulumtuese në përendim janë duke e zhvilluar një inxhinieri të prodhimit të fagëve me spektër të gjerë dhe të fagëve anti-MRSA kurse Universiteti Rockefeller ka avancuar një teknologji të prodhimit të enzimave fagale të njohur si Enzobiotikë, të cilat janë treguar shumë të sukseshme në prevenimin e infeksioneve bakteriale sekondare, psh. Pneomonisë tek pacientët që kanë vuajtur nga ndonjë ftohje, otitis, etj. Siç e theksuam më herët fagët janë qenie “bacterium-specific”, kjo na sugjeron se para çdo trajtimi duhet që nga pacienti të marrim nga një strisho në mënyrë që të dimë për identitetin e bakteries dhe pastaj t’ia përshtasim terapinë fagale adekuate.

Mirëpo kjo procedurë zbatohet shumë rrallë sepse klinikat në përgjithësi posedojnë koktejët fagalë të cilët mbulojnë shtamet bakteriale më të zakonshme në hapësirën e caktuar gjeografike. Në praktikë fagët aplikohen në mënyrë orale ose topikale në vendin e infeksionit. Injektimi përdoret rrallë më qëllim që t’i shmangemi reaksioneve eventuale imune që mund t’i ndërmarrë organizmi ynë kundër viruseve ose me qëllim që ti ikim riskut nga ndonjë bakterie në gjurmë që ka mbetur gjatë prodhimit të bakterifagëve. Përdorimi direkt i fagëve në njerëz duket të jetë shumë i sigurtë, kështu në mënyrë sugjestive në gusht të vitit 2006 FDA-ja aprovoi sprejët fagalë për mbrojtje të mishit.

Ky aprovim u bë për ListShield, i cili në fakt ishte një preparat fagal i destinuar kundër Listeria monocytogenes dhe njëherit paraqiste aditivin e parë me bazë fagale. Po ashtu terapia fagale është treguar e suksesshme në një mori të infeksioneve si: laringitet, infeksionet lëkurore, dizenteria, konjuktivitet, periodontitet, gingivitet, sinusitet, infeksionet e traktit urinar, infeksionet intesinale, djegiet etj. Në vititn 2007 Instituti Nacional për Fyt, Hundë dhe Vesh në Londër i kishte kompletuar studimet klinike të fazes I-re dhe II-te për fagët adekuat kundër infeksioneve me Pseudomonas aeruginosa. Sa i përket formave farmaceutike të fagëve ato mund të jenë të ngurta ose të lëngëta.

Administrimi oral i fagëve është më i efektshëm kur shoqërohet me ndonjë antacid sepse kështu zvogëlohet mundësia e shkatërrimit fagal nga aciditeti gastrik. Kurse administrimin topikal zakonisht realizohet me ndonjë fashë e cila vendoset në vendin e trajtimit. Specificiteti fagal na obligon edhe një gjë, krijimin e “bankave fagale” në të cilat do të gjenim të gjithë bakteriofagët e mundëshëm kundër baktereve specifike. Edhe pse në përgjithësi terapinë fagale e cilësojmë si të sigurtë prap se prap reaksionet e hipersensibilitetit dhe lirimi i endotoksinave pas vrasjes bakteriale mbeten problematikat esenciale të kësaj terapie në të ardhmen.

Nëse tek një pacient i caktuar shfaqen reaksione alergjike atëherë tek ky pacient terapinë fagale mund ta shfrytëzojmë vetëm njëherë sepse hera e dytë do të ishte e rrezikshme për shkak të sensibilizimit të organizmit. Po ashtu edhe mundësia e lirimit të endotoksinave është disavantazh në vete sepse kjo gjë mund të inicojë simptoma si: ethe, temperaturë e deri tek sindromi e shokut toksik (probleme që janë vrejtur edhe tek antibiotikët). Megjthatë terapia fagale është një teknikë alternative mjekësore në hapat e saj të parë prandaj nga ekspertët e kësaj fushe siç janë: mikrobiolgët, farmakologët, farmacistët, kimistët farmaceutikë etj., mbeten ende shumë punë për tu bërë me qëllim të avancimit dhe krijimit të standardeve të arta të kësaj terapie me perspektivë.

Punoi: Valdet Uka



Main menu 2