Jump to Navigation

Përdorimi afatgjatë i barnave mund të kthehet si Bumerang

Nëse e shfletojmë fjalorin e Gjuhës Shqipe rreth fjalës bumerang, gjejmë këto kuptime: BUMERANG m.sh.

1. Shkop i trashë, i përkulur e me majë, që kur hidhet me forcë, dredhon në ajër dhe kthehet përsëri tek ai që e ka hedhur (përdoret si armë nga fiset australiane dhe nga disa fise të tjera indianësh). Goditi me bumerang. Kthehet prapa si bumerang.

2. fig. Goditje që jep dikush dhe e pëson vetë, fjalë ose vepër, e cila kthehet kundër atij që e thotë a që e bën. U kthye në bumerang.
Megjithatë, Fjalori Online, Webster Online Dictionary fjalën Bumerang e definon si:
Pasojat e papritura që vijnë si rezultat i medikamenteve të caktuara. Kur mjekët e përshkruajnë një bar për ndonjë sëmundje të caktuar, ata nuk dëshirojnë që gjërat t’i përkeqësojnë më shumë. Por, nganjëherë përshkrimet e barnave kthehen si bumerang.

Me dekada mjekët kanë përshkruar Terapi Zëvendësuese Hormonale (TZH) për gratë në menopauzë, si një mënyrë për të parandaluar sulmet e zemrës. Ishte zbulim i pakëndshëm kur u kuptua se një Terapi Zëvendësuese Hormonale në fakt ishte ajo që çonte në sulme të zemrës dhe aksidente cerebrovaskulare.

Çrregullimet e ritmit të zemrës mund të jenë të rrezikshme dhe shumë frikësuese. Në vitet 80 – ta, mjekët përshkruanin Tambocor ( Flekainid) dhe Enkaid ( Enkainide) që të kontrollojnë aritmitë e rënda. Por, në vitin 1989, një studim rreth këtyre barërave zbuloi se ato në fakt shkaktonin vdekje të papritura kardiake, të cilat pikërisht ishin synim që të parandaloheshin.
Shembulli më i fundit sesi një trajtim mund të kthehet në bumerang, vërehet tek trajtimi i osteoporozës më barëra si Aktonel (Acid Risedronik), Boniva (Acid Ibandronik), Fosamaks (Acid Alendronik). Këto barëra i përkasin një grupi të medikamenteve që quhen bisfosfonate. Këto janë të indikuara me qëllim që të forcojnë eshtrat por, disa mjekë kanë raportuar se përdorimi afatgjatë i këtyre barërave mund të shfaq rrezik të disa frakturave të caktuara e të pazakonta.

Që të kuptojmë sesi këto barëra funksionojnë, ne duhet që të dimë se ashti normalisht degradohet nga disa qeliza dhe ndërtohet nga disa qeliza të tjera. Në ashtin e shëndoshë, këto procese janë të balancuara.
Në osteoporozë, degradimi i eshtrave është më i shprehur, e tejkalon ndërtimin eshtëror, që rezulton në eshtra të dobësuara. Bisfosfonatet e ulin shpejtësinë e qelizave që degradojnë indin eshtëror dhe i lejojnë qelizave që ndërtojnë ashtin të kompensojnë humbjen, dhe të arrijnë balancën.

Megjithatë, pyetje janë ngritur, rreth kualitetit të indit ashtëror që rindërtohet. Një artikull në revistën e njohur New England Journal of Medicine (me datë 20 Mars, 2008), publikoi disa raste të thyerjeve të pazakonta të kofshës të shoqëruara me një përdorim afatgjatë të Fosamaksit (Alendronatit).
Që atëherë, hulumtime të tjera gjithashtu kanë vënë re thyerje të tilla atipike të femurit.

Raportet më të fundit janë prezantuar në takimin e Akademisë Amerikane të Kirurgëve Ortopedik, i mbajtur në fillim të vitit 2010. Një studim ka treguar se edhe pse trajtimi me bisfosfonate forcon eshtrat në fillim, pas katër ose pesë viteve ashti kishte integritet më të vogël struktural dhe mund të bëhej i thyeshëm.
Momentalisht askush nuk mund të parashoh rrezikun aktual nga këto thyerje të pazakonta. FDA – ja (Food and Drug Administration) aktualisht është duke bërë një rishikim të informacioneve rreth kësaj çështje të mundshme. Deri tani, sipas kësaj agjencie nuk dihet me siguri nëse këto barëra janë përgjegjëse për thyerjet.

Agjencia, FDA, i nxit pacientët që të raportojnë rreth ndonjë dhimbje të kofshës ose legenit tek mjekët e tyre dhe mos të ndërpresin ata vetë marrjen e barërave. Kjo nuk është e vetmja polemikë me të cilën FDA – ja po përballet. Kemi shembull barërat anti-astmatike që janë për qëllim të hapjes së rrugëve të frymëmarrjes, dhe të zvogëlojnë rrezikun e komplikacioneve serioze. Megjithatë të dhënat rreth disa medikamenteve anti-astmatike si Formoterol dhe Salmeterol, sugjerojnë që këto barna në fakt mund të rrisin rrezikun e sulmeve të rënda astmatike dhe madje edhe vdekjen. (New England Journal of Medicine, 24 Shkurt 2010).

Këto efekte bumerang i lënë mjekët, farmacistët, pacientët dhe FDA- në të hutuar. Për hir të sigurisë, neve na duhen informacione shtesë dhe më të mira rreth rreziqeve të përdorimit afatgjatë të medikamenteve dhe diskutime akademike për trajtime alternative.

Përgatiti: Meriton Muriqi



Main menu 2