Jump to Navigation

Sistemi endokrin

Sistemi endokrin rregullon ambientin e brendshëm (milieu interieur). Është një sistem komunikimi ku përbërësit sintetizohen dhe sekretohen (tahiten) nga gjëndrat endokrine. Këta përbërës quhen hormone dhe çojnë informacione tek indet apo organet shenjestër. Organet shenjestër dekodifikojnë informacionin kimik dhe mund të përgjigjen në mënyrë specifike.
 
Hormonet sekretohen nga gjëndrat dhe lëshohen në qarkullimin e gjakut. Kështu, aksionet e hormoneve ndodhin edhe shumë larg vendit të sekretimit të tyre. Hormonet janë të përfshirë në rregullimin e përgjigjeve të shpejta e të ngadalta. Por ata veprojnë edhe në koordinimin e përgjigjeve qelizore në një numër të madh indesh të trupit.
 
Funksioni rregullator i hormoneve, pra ai i të ruajturit të “ambientit” të brendshëm, kërkon ndreqje të vazhdueshme. Kjo sepse trupi duhet t’i përgjigjet një sërë kushtesh që ndryshojnë embientin e brendshëm të orgnizmit. Në fjalë të tjera, sintetizimi, sekretimi, dhe shkalla e çaktivizimit të hormoneve duhet të  jetë nën rregullim (kontroll) të vazhdueshëm.
 
Sinteza e hormoneve mund të ndodh në  gjëndra, në grupe qelizash speciale apo edhe në një qelizë të vetme.
 
Organet apo indet që sintetizojnë hormone janë:
 •Hipotalamusi
 •Gjëndra pituitare (hipofiza)
 •Gjëndra tiroide
 •Gjëndrat paratiroide
 •Gjëndrat mbiveshkore
 •Timusi
 •Ishujt e Langerhansit në pankreas
 •Qelizat intersticiale të Leydigut në testikuj
 •Folikuli dhe trupi i verdhë (corpus luteum) në vezore
 •Placenta
 
Gjithashtu, është demonstruar se, edhe veshkat dhe atriumi (veshorja) i zemrës  prodhojnë hormone.
 
Bazuar në strukturën e tyre kimike, hormonet mund të klasifikohen në:
 •hormone peptid-ikë apo protein-ikë
 •hormone steroid-ikë
 •hormone derivate të aminoacidit Tirozinë
 
Sintetizimi i hormoneve peptidikë dhe proteinikë kryhet nëpërmjet transkriptimit dhe translatimit. Zakonisht, në fillim, sintetizohet një molekulë prekursore – prehormoni. Pastaj prehormoni i nënshtrohet hidrolizës për të formuar hormonin. Në vendin e sintetizimit hormonet ruhen në disa fshikëza dhe sekretohen nëpërmjet ekzocitozës.
 
Disa hormone sekretohen në mënyrë konstante, si për shembull hormonet e gjëndrës tiroide. Të tjerë sekretohen vetëm nën kërkesë, si për shembull insulina (nga pankreasi). Një tjetër grup hormonesh lëshohet në qarkullim ne një ritëm 24-orësh. Së fundmi, disa hormone sekretohen në cikle mujorë, si hormonet seksuale femërore.
 
Në gjak, hormonet udhëtojnë të lidhur me proteina transporti specifike.
 
Hipotalamusi është, zakonisht, organi qëndror që rregullon aktivitetin hormonal. Ai sekreton RH-të (releasing hormones) që stimulojnë një hormon të dytë në gjëndrën hipofizare. Hormonet e sekretuara nga gjëndra e hipofizës quhen edhe hormone tropikë, duke qenë se ata stimulojnë gjëndrat endokrine periferike. Gjëndrat shenjestër, të stimuluara, sekretojnë hormonet në qarkullimin e gjakut. Kështu, hormonet mund të arrijnë në organet apo indet shenjestër dhe të prodhojnë efektin e tyre.
 
Kemoreceptorët, në hipotalamus, monitorojnë  përqëndrimin hematik (në gjak) të hormoneve. Si pasojë, sekretimi i hormoneve është nën rregullim të vazhdueshëm. Në fakt, kur përqëndrimi hormonal në gjak është i lartë, hipotalamusi redukton lëshimin e RH-ve (releasin hormones). Ndërsa, kur përqëndrimi hormonal në gjak është ii ulët, hipotalamusi rrit lëshimin e RH-ve. Ky mekanizëm quhet mekanizëm me feedback (mekanizëm me prapaveprim).
 
Gjithsesi, disa hormone nuk e përdorin mekanizmin me feedback hipotalamo-hipofizar.


Main menu 2