Jump to Navigation

Limoni

Për qëllime mjekësore përdoren lëvozhga dhe lëngu i frutit të limonit, farat, gjethet dhe lulet e limonit. Vetitë mjekësore të limonit kushtëzohen nga prania në të e një sasie të madhe vitaminash, kryesisht të vitaminave C dhe P. Nga të gjitha agrumet, frutat e limonit kanë efekt shërues më të theksuar. Ato përdoren kundër sëmundjeve që shoqërohen me ethe, janë freskuese dhe ulin temperaturën.

Limoni ka veti të mira tretëse në stomak, është freskues i këndshëm dhe nxit oreksin që mund të jetë prerë nga sëmundje të ndryshme. Në këto raste përdoret lëngu i limonit në trajtë limonade ose i shtuar në çaj apo në gjellë. Në sajë të vetive rrudhëse dhe antitoksike, lëngu i limonit përdoret me efekt kundër barkut dhe diarresë, më pak ose pa sheqer. Rezultate të mira ka dhënë lëngu i limonit gjatë përdorimit kundër acarimeve të mukozës së gojës dhe të grykës, duke bërë larjen dezinfektuese në formë gargarash. Limoni ka gjetur përdorim të gjerë kundër acarimit ose qelbëzimit të bajameve, shërimin e sëmundjeve të mëlçisë. Lëngu i limonit është i dobishëm edhe për artritikët. Por nuk duhet ta përdorin ata që kanë stomak delikat e të ndjeshëm, pasi shton aciditetin dhe dëmton stomakun.



Main menu 2