Jump to Navigation

Dëllinja

Bima përbëhet nga frytet e pjekura e të thara të shkurres së dëllinjës së zezë, e cila në vendin tonë ndeshet shpesh dhe kudo, deri në 2000 m mbi nivelin e detit. Dëllinja i ka gjethet halore me majë të mprehtë dhe të qëndrueshme, të vendosura në qerthuj trish. Fryti ka pamjen e një sfere të vogël; në vitin e parë është i gjelbër, ndërsa kur piqet (në vitin e dytë) bëhet gati i zi. Frytet e dëllinjës së zezë përmbajnë sheqerna, juniperinë, esencë, rrëshirë, etj.

Kanë veti të nxisin urinimin dhe të pengojnë zhvillimin e rritjen e mikrobeve në rrugët urinare. Bima konsiderohet si mjet i mirë diuretik që ndihmon në jashtëqitjen e klorureve dhe të azotit në formën e uresë; (këshillohet në hidropizi, në reumatizmin e kyçeve etj). Rritja e dierezës fillon pas 4 orësh nga marrja e fryteve dhe vazhdon për po aq orë. Bima sforcon epitelin renal; për këtë arsye nuk këshillohet tek fëmijët dhe në rastetet e veshkave të sëmura të prirura për hematuri, albuminuri etj. Frytet e dëllinjës së zezë këshillohen edhe në bronkitet katarale dhe në sëmundje që vijnë nga të ftohurit, sepse ndihmojnë në nxjerrjen e gëlbazës dhe në lehtësimin e kollës.



Main menu 2