Jump to Navigation

Dardha

Frutat e dardhës përdoren në gjendje të freskët në kohën e pjekjes natyrore, të ruajtura në frigorifer, dhe të përpunuara në formë marmelate, konserve, kompostoje ose të thara. Përmbajnë kripëra minerale, si: kalium, kalcium, mangan, fosfor, hekur etj., 4-5 përqind sheqer, vitamina C, B1, B2, B6, karotinë, acide organike etj. Ato janë freskuese, qetësuese, largojnë etjen, lehtësisht pastruese të zorrëve dhe japin energji. Kur janë të papjekura, nuk treten lehtë dhe qëndrojnë rëndë në stomak. Në sajë të përmbajtjes së hekurit dardhat bëjnë mirë për luftimin e anemisë. Ato bëjnë mirë gjithashtu në mëlçi, pasi nxisin aktivitetin për prodhimin e tëmthit.

Cipa e frutave të dardhës ka veti diuretike (diuretik, mjet që shkakton urinim të shpeshtë dhe ndihmon veprimtarinë e veshkave dhe të rrugëve urinare) dhe bën mirë në pastrimin e veshkave dhe të rrugëve urinare. Lëngu që fitohet nga zierja e lëvores së degëve të dardhës ndikon pozitivisht në uljen e temperaturës. Gjethet e dardhës kanë veti të mira diuretike dhe antiseptike dhe përdoren kundër sëmundjeve të rrugëve urinare, në cistitet në gurët e veshkave, në dhimbjet e fshikëzës urinare, etj.



Main menu 2