Jump to Navigation

Lista esenciale reduktohet në listën vitale

01.11.2013 / Ariana Kasapolli - Selani / Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, janë zbuluar rreth 750 raste të reja të personave të prekur me kancer.

Në Institutin e Onkologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, brenda ditës ndihmë mjekësore kërkojnë 80 deri në 180 pacientë, përderisa 40 të tjerë janë duke kryer rrezatimin në shërbimin e radioterapisë.
 
Por, barnat që u duhen pacientëve për t'u trajtuar, shpeshherë mungojnë.
 
Behxhet Osmani, ushtrues detyre i drejtorit të këtij instituti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ka mungesa të kohëpaskohshme të citostatikëve, barna këto me të cilat trajtohen pacientët që vuajnë nga sëmundja e kancerit.
 
"Ka mungesa, por mundohemi me ato barna që i kemi, maksimalisht t'u dalim në ndihmë pacientëve që mos t'i blejnë ato. Ka pacientë  që po i blejnë barnat, por ka edhe të tillë që ua gjejmë, meqë e bëjmë planifikimin barnave. Kohëve të fundit  furnizimi ka rënë, por po presim të sjellin nga Ministria e Shëndetësisë", është shprehur Osmani.
 
 E, pacientët që vuajnë nga sëmundja e kancerit, thonë se gjatë trajtimit në Institutin Onkologjik, ka raste kur ka barna, por kryesisht barnat e shtrenjta vështirë gjenden brenda këtij instituti.
 
Njëri nga ta është Kastriot Hajdari, i cili është duke u trajtuar aty.
 
"Në kohën kur më është dashur një lloj i ilaçit i quajtur ‘’Sorafenip‘’ ka pasur. Mjekët më thanë se ke pasur fat, pasi që gjithmonë nuk ka. Problemi më i madh ka qenë te barnat e shtrenjta. Por, fatmirësisht unë nuk pata problem. Një herë më thanë nuk ka, pastaj kontrolluan edhe i gjetën. Por, mandej prapë nuk ka pasur më. Mjeku më tha që para një dite i kanë sjellë nga Ministria e Shëndetësisë, por janë shpenzuar", tregon Hajdari.
 
Institucionet publike shëndetësore prej pas luftës nuk kanë arritur ta përmbushin listën esenciale me barna, për shkak të buxhetit të ulët që ka Ministria e Shëndetësisë, dedikuar furnizimit me barna.
 
Sipas zyrtarëve të lartë, lista esenciale ka qenë shumë e gjerë, andaj edhe ka qenë e pamundur përmbushja në tërësi.
 
Por, në kuadër të rritjes së efikasitetit të menaxhimit, siç thonë zyrtarë brenda Ministrisë së Shëndetësisë, tashmë është bërë klasifikimi i listës në tri kategori: lista vitale, ajo esenciale dhe jo-esenciale.
 
Lista vitale do të përmbushet 100 për qind dhe pacientët nuk do të vuajnë brenda institucioneve shëndetësore për barnat, për të cilave u varet jeta, i ka thënë Radios Evropa e Lirë Faik Hoti, drejtor i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë.
 
Mirëpo, aktualisht, lista vitale brenda Qendrës Klinike Universitare është e përmbushur me citostatikë vetëm 54 për qind, me barna 48 për qind  dhe material shpenzues 21 për qind.
 
Këtë e thotë zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu.
 
"Statistikat e fundit nga ana e barnatores qendrore  flasin për një përqindje të ulët të furnizimit me barna dhe material shpenzues nga lista vitale. Barnatorja qendrore dhe Ministria e Shëndetësisë, është në kontakt të vazhdueshëm dhe kërkohet që në vazhdimësi të bëhet furnizimi".
 
"Presim që Ministria e Shëndetësisë të reagojë dhe të bëhet furnizimi. Me buxhetin aktual që ka Ministria, ne e dimë që është e pamundur të përmbushet lista esenciale, por presim që lista vitale të plotësohet dhe mos të ketë telashe në trajtimin e pacientëve", bën të ditur Fazliu.
 
Sidoqoftë, me gjithë buxhetin e limituar për barna që ka Ministria e Shëndetësisë, shpeshherë brenda këtij institucioni kanë ndodhur manipulime me barna, siç është blerja e tyre me çmim shumëfish më të shtrenjtë sesa vlera reale, e po ashtu edhe futja e ndonjë ilaçi shumë të shtrenjtë në listë esenciale, derisa nevoja e pacientëve për llojin e ilaçit të tillë, kanë qenë e vogël.

Copyright (c) 2013. RFE/RL, Inc. E ribotuar me lejen e Radios Evropa e Lirë , 1201 Connecticut Ave., N.W. Uashington DC 20036.



Main menu 2