Jump to Navigation

Kontrolli i punës së zemrës

Bëhet me matjen e pulsit (në arterien e qafës ose në vazhdimin e rrënjës së gishtit tregues). Matet me mollzat e tre gishtërinjve të mesëm (numri i rrahjeve të zemrës për minutë është 60-80). Tek gjakderdhja pulsi është më i dobët, por me më tepër të rrahura.
 
Veprimet për dhënien e ndihmës së parë gjatë ndërprerjes së punës së zemrës.
 
Vendoseni të dëmtuarin mbi një bazament të fortë jo elastik. Në metodën me një ndihmues , ndihmuesi ulet në gjunjë anash të dëmtuarit dhe vendos njërën pëllëmbë të dorës te fillimi i gjysmës së poshtme të dërrasës së kraharorit, pa e prekur me gisht kafazin e kraharorit. Mbi dorën e parë vendoset pëllëmba e dorës tjetër. Me krahët shtrirë ushtrohet pingul mbi dërrasën e kraharorit një shtypje e tillë sa ta çvendosë atë 4-5 cm. Shtypjen e bëjmë nga krahu e jo nga dora dhe jo në formë goditjesh. Në metodën me një ndihmues , pas çdo dy frymëshkëmbimeve  artificiale bëhen 15 shtypje të tjera. Vazhdohet kështu 4 herë.
 
Në metodën me dy ndihmues pas çdo 5-6 masazhesh të zemrës bëhet frymëshkëmbim artificial. Pas një minute duhet të bëhet kontrolli i punës së zemrës. Nëse pulsi në arterien e qafës nuk preket, duhet vazhduar frymëshkëmbimi artificial dhe masazhi i zemrës. Në qoftëse pulsi preket në arterien e qafës, atëherë vazhdohet frymëmarrja artificiale (pa masazhin e zemrës) duke kontrolluar vazhdimisht punën e zemrës.
 
Dhënia e ndihmës së parë gjatë ndërprerjes së punës së zemrës , mund të kërkojë një kohë nga 15-90 min, prandaj nuk duhet bërë ndërprerja menjëherë e dhënies së ndihmës.
 
Marrë nga: “Manual i drejtuesit të mjetit”- Demir Osmani, Shkëlqim Gruda


Main menu 2