Jump to Navigation

Njohja e gjakderdhjes

Është shumë e rëndësishme të dihet që personi i rritur ka afro 5 litra gjak dhe sikur 1/3 të humbasë fillon gjendja e shok-ut që çon drejt vdekjes. Gjakderdhja mund të jetë e brendshme dhe e jashtme, secila nga këto mund të jetë arteriale dhe venoze.
 
Gjakderdhja e jashtme shihet menjëherë me sy pas një kontrolli të imët të të dëmtuarit.
 
Gjakderdhja e brendshme është gjakderdhja në të cilën gjaku del nën lëkurë (hematoni), në zgavrat e kraharorit, stomakut, qeses së zemrës, në kokë dhe në organet e brendshme të tretjes.
 
Kjo  e fundit është më e vështirë të identifikohet , prandaj duhet kujdes i madh nëse i dëmtuari është shumë i plogët, ndjen zhurmë në vesh, është i frikësuar, lëkura dhe mukoza janë veçanërisht të zbehta, duart dhe këmbët të ftohta, fytyra e mbuluar me djersë të ftohta, pulsi i dobët dhe shumë i shpejtuar (më shumë se 100 rrahje në minutë). Për të  dalluar gjakderdhjen arteriale nga ajo venoze , vrojtojmë me kujdes gjakun. Nga arteria del gjak i freskët me ngjyrë të kuqe që shpërthen nga enët e gjakut në mënyrë sinkrone me punën e zemrës (rreziku është më i madh pasi shumë shpejt mund të çojë në gjendje shok-ut). Tek gjakderdhja venoze del gjak me ngjyrë të kuqe të errët duke rrjedhur në mënyrë të vazhdueshme nga plaga.
 
Veprimet për dhënien e ndihmës së parë në ndaljen e hemoragjisë:
 
Në rastet e hemoragjisë së jashtme, fillimisht lahet plaga me ujë kur është bërë pis me dhe. Pothuajse çdo hemoragji e rëndë , e dukshme, mund të ndalet duke shtypur fort nga jashtë burimin e hemoragjisë.
 
Tre mënyrat për ndalimin e hemoragjisë.
 
Ndalimi i hemoragjisë nëpërmjet shtypjes me gisht:
 
Vendoset i plagosuri ndenjur ose shtrirë;
 
Mbi plagën nga ku rrjedh gjak vendoset një shtresë garzash sterile e shtypet fort me gisht;
 
Mbahet fort me gisht deri sat ë vijë ekipi i shpëtimit.
 
Ndalimi i hemoragjisë nëpërmjet fashimit shtypës. Atje ku e lejon forma e trupit , kur disponohet material fashues i përshtatshëm, shtypja me gisht mund të zëvendësohet me fashim shtypës.
 
Ndalimi i hemoragjisë nëpërmjet lidhjes. Lidhja është një një masë që lejohet të përdoret vetëm atëherë kur masat e tjera nuk mund të përdoren. Lidhja lejohet të bëhet vetëm me material lidhës të gjerëmbrojtës (kravatë me pëlhurë trekëndëshe).
 
Lidhja e krahut. Krahu mbahet i ngritur, kravata me pëlhurë trekëndëshe vendoset rreth mesit të krahut si lak (asnjëherë në afërsi të kyçit), tërhiqen fundet shpejt e me kujdes, duke ruajtur tërheqjen lidhen nyje rreth krahut. Në këtë mënyrë krahu mbetet pa gjak dhe hemoragjia ndal.
 
Lidhja në kofshë. Lidhet pëlhura trekëndëshe lirshëm rreth kofshës. Futet një shkop midis anësisë e pëlhurës, ngrihet shkopi me kujdes e rrotullohet derisa të ndalet hemoragjia. Në këtë pozicion shkopi fiksohet me një pëlhurë tjetër. Në qoftë se ka trupa të huaj, eleminohet futja e tyre më thellë. Në asnjë mënyrë mos lëvizni trupin e huaj.
 
Në rastin e hemoragjisë së brendshme vendoset i dëmtuarinë pozicion antishok, duke marrë masa për ta dërguar në spital;mos i jepni të dëmtuarit të pijë lëngje; mos bllokoni daljen e gjakut nga hundët, veshët në rastet e goditjeve në kokë.
 
Marrë nga: “Manual i drejtuesit të mjetit”- Demir Osmani, Shkëlqim Gruda


Main menu 2