Jump to Navigation

Kanada - Mjekët kundër kryerjes së testit të virgjërisë

Kërkesa për testin e virgjërisë tek femrat është rritur kohët e fundit në Kebek të Kanadasë. Të bësh kontroll për një gjë të tillë është e papranueshme, thotë mjekia e etikës Marie-Eve Bouthillier.

DW: Pas studimit tuaj për testin e virgjërisë të zhvilluar në Kebek, Kolegji i Fizikantëve të Kebekut ka deklaruar që doktorët nuk duhet t'i bëjnë këto teste “skandaloze dhe të pështira”. Përse e kryet një studim të tillë?
 
Marie-Eve Bouthillier: Ne morëm një telefonatë nga një infermiere që punon në një shkollë. Ajo tha se familjarët e një vajze e morën vajzën dhe e çuan në një kinikë në emergjencë. Ata donin t'i bënin testin e virgjërisë vajzës dhe të merrnin një vërtetim virgjërie. Ajo kishte qenë në një festë, ku ishte konsumuar alkool dhe babai kishte frikë se ajo kishte humbur virgjërinë.
 
A mund t'i përshkruani njerëzit që vijnë në spital për certifikimin e virgjërisë?

Është e lidhur me nderin, nderin e familjes. Ne kishim një rast tjetër pak më të ndryshëm. Nje vajzë në moshën nga fundi i të 20-ve do të martohej pas dy javësh, por ajo kishte masturbuar dhe kishte frikë se nuk mund të martohej.
 
Çfarë roli luan përkatësia fetare në këtë çështje?
 
Nuk mendoj se ka të bëjë shumë me fenë, sa çka të bëjë me kulturën. Unë mendoj se këto janë besime arkaike, besime shumë konservative të disa grupeve të caktuara radikale, por nuk është e lidhur tërësisht me fenë.
 
Sa e përhapur është një eksperiencë e tillë në Kanada?
 
Ne nuk kemi bërë studim sasior. Mendoj se ne duhet të bëjmë më shumë studime, për të parë se ç'përmasa ka. Tani është një temë tabu, pra kur ndodh, duhet që dikush të ankohet. Por nëse vajzat çohen në klinikë dhe nuk ankohen, atëherë ne nuk e marrim vesh. Ajo që dimë me siguri është se testi i virgjërisë është kthyer në biznes, rindërtimi i cipës së virgjërisë me operacion. Ky është operacioni i dytë më popullor në Montreal.

A ndihen nën presion mjekët nga familjarët për kryrejen e këtyre testeve ?

Në rastin e parë mjekët patën presion të madh nga familjarët e vajzës. Në rastin e dytë, kishte sërish pak presion, sepse e ëma e vajzës rrinte jashtë dhomës së mjekut dhe vëzhgonte gjithçka. Mua më telefonoi infermierja, sepse herën e parë ia kishte bërë ajo testin, por e ëma kishte këmbëngulur që testi të bëhej edhe nga doktori. Dy vjet më parë, në Montreal kishte një vrasje për çështje nderi. Në familjen Shafia, babai vrau tre nga vajzat e tij dhe kjo është ngulitur në kujtesën e njerëzve. Pra kur më mori infermierja në telefon më tha: "Po mendoja për familjen Shafia, pasi bëra një gjë të tillë dhe mendova se mos kisha bërë diçka të gabuar."
 
Nga pikëpamja etike, çfarë duhet bërë që të ndalohet një gjë e tillë?

Kjo është një pyetje e vështirë. Për ne është e qartë që mjekët nuk duhet ta bëjnë një gjë të tillë, por ky është vetëm fillimi. Pas të gjitha këtyre kërkesave për test ka diçka tjetër. Ndoshta çertifikata e virgjërisë është bileta për një martesë me detyrim për një vajzë. Pra ka çështje sigurie dhe mbrojtjeje pas kësaj. Ne kemi nevojë për një fushatë edukuese për virgjërinë, sepse një nga problemet më të mëdha është kur mendon se virgjëria është thjesht çështje e një membraneje. Është shumë e kufizuar të mendosh në këtë mënyrë. Virgjëria nuk ka të bëjë thjesht me kryerjen e marrdhënieve seksuale. Nuk është thjesht mungesa apo prania e një membrane. Ne duhet të bëjmë më shumë në këtë drejtim, prandaj do të bëjmë edhe më shumë studime, për të mësuar se si mund të ndihmohen këto vajza dhe të ndihmojmë në ndryshimin e mentalitetit për këtë çështje.
 
Marie-Eve Bouthillier është mjeke etike dhe studiuese pranë Universitetit të Montrealit.

Copyright (c) DW



Main menu 2