Jump to Navigation

Çka është mbidozimi nga drogat?

Mbidozimi është një gjendje fiziologjike, e cila ndodhë si pasojë e marrjes së drogës në sasi të tepruar, se sa që e duron organizmi, duke quar në efekte toksike në organizëm. Për ta kuptuar më mirë mbidozimin, duhet të dini që, receptorët e frymëmarrjes (mbaresa nervore të cilat pranojnë ngacmime  prej jashtë organizmit dhe reagojnë ndaj tyre, e që në këtë rast rregullojnë ritmin e frymëmarrjes te njeriu) dhe receptorët për të cilët lidhet droga, gjenden afër njëra tjetrës në trurin e njeriut. Kur merret sasi e tepruar e drogës, një pjesë e saj lidhet për këta receptorë, dhe një pjesë tjetër mbetet si drogë e lirë. Kjo pjesë e mbetur e drogës, lidhet për receptorët e qendrës së frymëmarrjes, që gjenden aty afër, me ç’rast e bllokon funksionimin e qendrës për frymëmarrje.

Si mund të vie deri tek mbidozimi?
Deri tek mbidozimi mund të vie në dy mënyra:
Në mënyrë aksidentale, kur personi në mënyrë të pavetëdijshme merr sasi të tepruar të drogës, ose kur nuk është i vetëdijshëm për rrezikun e kombinimit të drogave ( këtu përfshihet edhe përzierja e alkoolit me barëra mjekësore ose përzierja e alkoolit me droga ilegale).
Në mënyrë të qëllimshme, kur personi përdor sasi te tepruar të drogës ose i kombinon ato, me qëllim që t’i shkaktoj vetës dëm, ose kur tenton të vetëvritet.
Mbidozimi është një gjendje emergjente mjekësore që  shpeshherë kërkon kujdes dhe intervenim mjekësor. Rreziku nga mbidozimi  ose qëndrueshmëria e personit në tejkalimin e gjendjes së mbidozimit, varet nga mosha  dhe gjendja shëndetësore e personit, lloji i drogës që është përdorë, mënyra se si është përdorë ai lloj droge, përzierja e drogave si dhe shumë faktorë tjerë.

Shenjat dhe simptomat e mbidozimit nga drogat
Mund të paraqiten një varg i gjerë shenjash dhe simptomash, kur një person bie në mbidozë, dhe tek secili individ manifestohen shenja të ndryshme të mbidozimit. Këto shenja dhe simptoma varen nga lloji i drogës, sasie e përdorur dhe gjendja e përgjithshme dhe momentale shëndetësore e personit

Simptomat e përgjithshme të mbidozimit mund të përfshijnë:
 •Vështirësi në frymëmarrje
 •Humbje e fuqisë
 •Nausea (ndjenja e të vjellurit)
 •Vjellje
 •Shtrëngime në bark
 •Barkqitje
 •Marramendje
 •Humbje e ekuilibrit trupor
 •Buzët dhe gishtërinjtë marrin ngjyrë të kaltër (mavijosen)
 •Përgjumje dhe vështirësi në kthjellje deri në humbje të vetëdijes
 •Ftohje e lëkurës
 •Rënia e shtypjes së gjakut dhe ngadalësimi i ritmit të zemrës
 
Mbidozimi, shpeshherë, mund të tejkalohet edhe pa intervenim mjekësor. Megjithatë, rreziku i vdekjes nga mbidozimi në disa raste ekziston. Vdekja mund të jetë e menjëhershme, ose mund të ndodhë më vonë si pasojë e dëmtimit të rëndë të organeve jetësore në organizëm.

Simptomat e mbidozimit vdekjeprurës:
 •Ndalje e frymëmarrjes
 •Ndalje e qarkullimit të gjakut me humbje të pulsit
 •Ndalja e të rrahurave të zemrës

Mbidozimi mund të jetë i menjëhershëm, kur brenda disa minutave personi vdesë. Në raste të tjera gjendja e mbidozimit mund të zgjasë me orë të tëra.

Si duhet vepruar në rast të mbidozimit?

Pa humbur kohë, kërko ndihmë profesionale (mjekun ose ndihmën e shpejtë). Kurrsesi,  mos e lëni personin vetëm, deri sa të vijë ndihma.
 Vërteto gjendjen e vetëdijes duke e thirrur dhe lëkundur personin pa i shkaktuar lëndime.
 Kontrollo frymëmarrjen e personit të mbidozuar, nëse është pavetëdije, duke e ofruar veshin tek goja e tij, ose duke shikuar lëvizjet e gjoksit dhe të barkut.
 Nëse personi nuk merr frymë, liro rrugët e frymëmarrjes, duke e kthyer personin në shpinë, pastro gojën dhe ngrite lartë mjekrën e tij.
 Pasi t’i keni liruar rrugët e frymëmarrjes, jep frymëmarrje artificiale. Më pas ktheje personin në krahë që të mos i bllokohen rrugët e frymëmarrjes dhe pritë ndihmën mjekësore.



Main menu 2