Jump to Navigation

Çfarë është heroina?

Heroina është opium gjysmë-sintetik që përfitohet nga morfina, një substancë natyrale që nxirret nga lëvozhga e farës së bimës  aziatike Opium Poppy.
Heroina gjendet në formë të pluhurit me ngjyrë kafe të errët, të kuqërremt dhe në formë të pluhurit të bardhë (e cila është e pazakontë në Kosovë).
Heroina është prodhuar në Kolumbi, Meksikë, Azi, Burma dhe Afganistan.

Zhargoni i rrugës
Mall, Llam, Herc, E kuqe, Rob.

Mënyra e përdorimit
Heroina mund të injektohet, të tymoset, të nuhatet dhe të gëlltitet. Përmes injektimit intravenoz merret sasi më e vogël se sa përmes rrugëve të tjera dhe efekti është i menjëhershëm. Heroina në formë të pluhurit nuhatet përmes vrimave të hundës, ku përmes mukozës së hundës kalon në gjak. Tymosja e heroinës bëhet përmes folisë dhe cigares e cila arrin në tru për 7 sekonda. Përjetimi i kulmit të efektit zgjatë pak, pasi që një pjesë e heroinës digjet gjatë procesit të oksidimit. Gëlltitja është formë e rrallë e përdorimit. Zakonisht aplikohet në rastet kur përdoruesit nuk duan të zbulohen nga policia. Rreziku i varësisë nga heroina është i njëjtë tek të gjitha këto forma të përdorimit.

Si ndikon heroina në tru?
Kur heroina mbrrine në tru, ajo shndërrohet në morfinë dhe lidhet me receptorët e ashtuquajtur receptorët opioid. Këta receptorë janë të lokalizuar në disa zona të trurit (dhe në trup), veçanërisht  ato që përfshijnë përjetimin e dhimbjes dhe të kënaqësisë. Receptorët opioid poashtu janë të vendosur edhe në disa zona trurore të rëndësishme për kontrollimin e proceseve automatike si: frymëmarrja, shtypja e gjakut dhe zgjimi.
Pas injektimit intravenoz të heroinës, përdoruesit përjetojnë ndjenjën e rritjes së euforisë të shoqëruar me tharje të gojës, mundim e djersitje,  rëndim të gjymtyrëve dhe funksionim të errët mendor. Pas kësaj euforie fillestare, përdoruesit kalojnë në një gjendje dremitjeje, të shoqëruar me përgjumje. Funksionimi mendor bëhet i mjegulluar për shkak të uljes së funksionimit të sistemit nervor qëndror. Kjo përcjellet me të folur të ngadaltë dhe të paqartë, ecje të ngadaltë, zvogëlim të bebes së syrit, rëndim të qepallave, pamje të dëmtuar, vjellje dhe kapsllëk.

Potenciali për varësi
Heroina shkakton tolerancë rapide (të shpejtë) dhe varësinë e lartë fizike dhe psikike. Dozat fillestare kanë tendencë rritjeje deri në 20 doza për muaj. Varësia fizike karakterizohet nga shqetësime ekstreme në organizëm. Simptomat e tërheqjes janë: nauzea, vjellja, insomnia, barkqitja, mundim e djersitje, dhimbje të papërballueshme trupore dhe dëshirë e shtuar per ta përdorur përsëri.

Aspekti ligjor
Heroina është drogë ilegale në të gjitha vendet e botës. Nuk ka përdorim mjekësor.

Mbidozimi (Overdoza)
Overdoza nga heroina është pasojë e bllokimit të qendrës së frymëmarrjes e cila gjendet afër qendrës trurore ku veprojnë receptorët e heroinës. Marrja e heroinës në doza të larta e bllokon funksionin e qendrës për frymëmarrje dhe si rezultat mund të pasojë vdekja. Shkak tjetër i mbidozimit mund të jetë edhe cilësia jo e mirë e heroinës që gjendet në treg, si dhe përdorimi intravenoz i heroinës për shkak  të veprimit të shpejtë dhe direkt të drogës në gjak.

Pasojat e përdorimit të heroinës
 •Infeksionet :  HIV/AIDS, Hepatiti B dhe Hepatiti C për shkak të shkëmbimit të shiringave dhe mjeteve të tjera për pergatitjen e heroinës.
 •Dëmtimi i venave
 •Problemet sociale



Main menu 2