Jump to Navigation

Gjendra tiroide, rëndësia e saj gjatë shtatzënisë

Lëkurë të thatë? Lodhje? Puls të shpejtë? Djersitje? Është e rëndësishme të njihni shqetësimet që shkakton çekuilibri i gjendrës tiroide, sepse kjo mund të ndikojë te zhvillimi i fëmijës tuaj gjatë shtatzënisë. Ja çfarë duhet të dini!

Çfarë është gjendra tiroide?
Gjendra tiroide është një gjendër endokrine në formën e fluturës, me një vendosje në pjesën e përparme të qafës. Funksioni i saj është prodhimi i hormoneve të tiroides (T4 dhe T3), të cilët hidhen në gjak dhe shpërndahen në çdo ind të trupit të njeriut. Hormonet e tiroides ndihmojnë organizmin në përdorimin e energjisë, mbajtjen e një temperature të qëndrueshme trupore dhe për të mbajtur trurin, zemrën, muskujt dhe organet e tjera të funksionojnë normalisht.

Cilat janë ndryshimet normale që pëson gjendra tiroide gjatë shtatzënisë:
Ndryshime Hormonale: Gjatë shtatzënisë kemi një sërë ndryshimesh fiziologjike hormonale që e ndryshojnë funksionin e gjendrës tiroide. Si rrjedhojë, nivelet e hormoneve të tiroides duhet të interpretohen me kujdes gjatë shtatzënisë. Këto ndryshime vijnë kryesisht si pasojë e dy hormoneve kryesore: HCG (Gonadotropina korionike humane), hormon i cili matet në testet e shtatzënisë. HCG në nivele shumë të larta, gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë, mund të aktivizojë gjendrën tiroide dhe të ulë nivelin e TSH, e ashtëquajtura hipertireozë subklinike. Nqs një gjë e tillë ndodh, do të kemi një nivel të ulët të TSH gjatë tremujorit të parë dhe më pas normalizimin e tij.

E2 (estrogjeni), hormoni femëror rrit nivelin e proteinës lidhëse të hormonit të tiroides duke rritur sasinë e hormonit total (Total T4 dhe Total T3), megjithatë nqs do të matim hormonet e lira FT4 dhe FT3 ato do të jenë brenda normës.

Ndryshimet e madhësisë së gjendrës tiroide:
Gjendra tiroide mund të rritet gjatë shtatzënisë dhe një gjë e tillë ndodh shpesh në vendet me deficiencë jodike, ku bën pjesë dhe vendi ynë.

Diagnostikimi është shumë i thjeshtë dhe bëhet nëpërmjet ekografisë. Në përgjithësi, kemi një rritje rreth 10-15 % të volumit, por në disa raste mund të kemi dhe një rritje të konsiderueshme të gushës, çka e bën të domosdoshme matjen e sasisë të hormoneve të tiroides në gjak.

Cilët janë marrëdhëniet midis hormoneve të tiroides së nënës dhe bebit?
Në 10-12 javët e para të shtatzënisë, bebi është plotësisht i varur nga nëna për hormonet e tiroides. Pas kësaj kohe, gjendra tiroide e bebit fillon të prodhojë hormone, megjithatë bebi mbetet i varur nga nëna për sasinë e jodit, i cili është esencial për prodhimin e hormoneve. Organizata Botërore e Shëndetësisë OBSH rekomandon që marrja ditore e jodit gjatë shtatzënisë duhet të jetë rreth 200 mcg/ditë për të siguruar një prodhim normal të hormoneve.

Hipotireoza dhe shtatzënia
Shkaqet gjatë shtatzënisë. Në përgjithësi, shkaku më i shpeshtë i hipotireozës gjatë shtatzënisë është një sëmundje e njohur si Tiroiditi Hashimoto, tiroiditi kronik me bazë autoimune. Kjo sëmundje është forma më e zakonshme e sëmundjes së tiroideve dhe përhapja e saj është shumë më e lartë në gratë dhe të moshuarit. Hipotireoza gjatë shtatzënisë mund të ndodhë në rast të diagnostikimit për herë të parë të tiroiditit Hashimoto, trajtimet e pamjaftueshme ose mbidozimi me medikamente antitiroidien. Afërsisht 2.5% e grave kanë një TSH mbi 6 dhe rreth 0.4 % kanë një TSH mbi 10, gjatë shtatzënisë.

Rreziqet tek nëna. Një hipotireozë e patrajtuar ose e trajtuar në mënyrë jo të përshtatshme, mund të shoqërohet me anemi tek nëna, miopati (dhimbje muskulare), insuficencë kardiake, lindje të fëmijëve me peshë të ulët dhe hemorragji pas lindjes.

Rreziqet e hipotiroidizmit të nënës tek fëmija
Hormonet e tiroides janë esenciale për zhvillimin e trurit të fëmijës. Fëmijët e lindur me hipotiroidizëm kongjenital mund të kenë defiçite të rënda konjitive, neurologjike dhe të zhvillimit. Një hipotireozë e rëndë tek nëna mund të shkaktojë dëmtime të rënda në zhvillimin e trurit tek fëmija, kjo vihet re kryesisht në rastet kur hipotireoza vjen nga mungesa e jodit, megjithatë studimet e fundit kanë treguar që anomali të lehta të zhvillimit të trurit janë konstatuar në fëmijët e lindur nga nëna me hipotireozë të lehtë të patrajtuar gjatë shtatzënisë. Si rrjedhojë, shumica e mjekëve rekomandojnë kontrollin e TSH para shtatzënisë dhe menjëherë sapo të konfirmohet shtatzënia, kjo veçanërisht në gratë me risk për sëmundjen e tiroides si psh: gratë e trajtuara më parë për hipertireozë, me histori familjare për sëmundje të tiroides ose në gratë me gushë. Nqs TSH është normal, nuk ka më nevojë për ndjekje të mëtejshme. Trajtimi është i njëjtë, edhe për gratë jo shtatzëna. Është e rëndësishme të theksojmë, se dozat e hormonit rriten shpesh gjatë shtatzënisë me rreth 20-50 %. Ka raste kur mund të duhet të arrihet deri në dyfishim të dozës. Testet hormonale të tiroides duhet të bëhen më pas, çdo 6-8 javë gjatë gjithë shtatzënisë.

Si përfundim, të gjithë fëmijët e porsalindur duhet të testohen për hipotiroidizëm kongjenital menjëherë pas lindjes, në mënyrë që terapia të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Marrja e sasisë së jodit në rastet me hipotireozë dhe të hormonit, janë të nevojshme gjatë dhe pas shtatzënisë në mënyrë që të sigurohet një shëndet i mirë për nënën dhe të porsalindurin.

Shkaqet e hipertireozës gjatë shtatzënisë
Në përgjithësi, rreth 80-85 % e shkaqeve të hipertireozës është Sëmundja e Graves (GD), (e njohur si gushë toksike difuze), e cila shkaktohet nga antitrupat e klasës IgG të cilët aktivizojnë receptorët e hormonit TSH. Këta antitrupa njihen si TSI dhe sëmundja haset 1 në 1500 gra shtatzëna. Shkaqe të tjera më të rralla janë nivele shumë të larta të HCG, gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë dhe shkaktojnë hipertireozë kalimtare. Rreziqet për nënën. Përveç shenjave klasike të hipertireozës mund të kemi lindje parakohe ose një formë të ashpër të hipertireozës “kriza tirotoksike”. GD shpesh përmirësohet në tremujorin e tretë të shtatzënisë dhe përkeqësohet në periudhën pas lindjes.

Rreziqet për fëmijën. Një hipertireozë e pakontrolluar mund të shoqërohet me takikardi fetale, fëmijë të vegjël për moshën e shtatzënisë dhe keqformime kongjenitale. Duke qenë se GD është sëmundje autoimuine, e cila shkaktohet nga disa autoantikorpe të njohura si TSI, këto antitrupa kalojnë placentën dhe ndërveprojnë me tiroiden e fëmijës dhe jo shpesh mund të shkaktojnë hipertiroidizëm fetal ose neonatal. Por, fatmirësisht një gjë e tillë ndodh vetëm kur nivelet e TSH tek nëna janë shumë të larta dhe gjithashtu nëna është nën mjekim dhe medikamentet kalojnë placentën e nuk lejojnë të rritet prodhimi hormonal nga tiroidja e fëmijës. Trajtimi me antitiroidienë të sintezës duhet bërë me dozën më të ulët efektive, në mënyrë që të kontrollojmë hipertireozën te nëna dhe të parandalojmë hipotireozën tek bebi ose tek i porsalinduri.

Cilat janë mundësitë e trajtimit të hipertireozës gjatë shtatzënisë?
Hipertireoza e lehtë (rritje minimale e hormoneve, simptoma minimale), shpesh monitorohet pa terapi, për sa kohë që nëna dhe bebi janë mirë. Kur hipertireoza është e ashpër, fillohet terapi me anti tiroidiene të sintezës (ATS), medikamente që bllokojnë prodhimin e hormoneve. Duhet bërë kujdes për të shmangur hipotioreozën tek nëna, monitorimi duhet të bëhet çdo muaj.

Trajtimi me Jod radioaktiv është i ndaluar
Ushqyerja me gji e fëmijës pas lindjes, është e rekomandueshme edhe gjatë terapisë me antitiroidienë të sintezës.

Nga Dr. Entela Puca



Main menu 2