Jump to Navigation

Testi i Hepatitit B

Hepatiti B është një infeksion i mëlçisë i shkaktuar nga një virus specifik me të njëjtin emër (HBV). Ai është një ndër shumë shkaktarët e inflamacionit apo zmadhimit të mëlçisë dhe për më tepër të hepatitit kronik. Rrugët e transmetimit janë nëpërmjet gjakut dhe shiringave që zakonisht përdoren ndërmjet përdoruesve të drogave intravenoze, si dhe lëngjeve të tjera të trupit, spermës apo sekrecioneve vaginale.

Nënat shtatzëna të infektuara mund t’ja transmetojnë këtë virus fëmijës. Gjithsesi, transmetimi varet edhe nga titri i antigjeneve në trup, statusi i individit që e ka virusin si psh; me infeksion aktiv, mbartës inaktivë etj.

Ecuria e këtij infeksioni kalon nëpër disa stade:
Forma akute që mund të manifestohet me shenjat e një viroze si ethe, këputje trupi, të përziera, të vjella, zverdhje të trupit. Por shpesh kjo fazë mund të kalojë pa shenja specifike.
Forma kronike ku prezenca e virusit detektohet nga testet laboratorike dhe shoqërohet me inflamacion të mëlçisë. Forma e mbartësit ku virusi është i pranishëm, por nuk ka inflamacion të mëlçisë. Infeksion i shëruar ku testet virusale bëhen negative dhe nuk kemi shenja apo inflamacion të mëlçisë. Ka teste specifike që matin nivelin e antigjeneve, antitrupave apo edhe ADN e virusit. Është shumë e rëndësishme ndjekja e të gjitha formave të këtij virusi me analiza gjaku, bilance biokimike dhe ekzaminime imazherike. Tashmë ekziston edhe vaksina për parandalimin e hepatitit B.



Main menu 2